Komuniteti i krishterë zviceran është i interesuar të njohë bashkëqytetarët e tyre të fesë islame dhe karakteristikat themelore të Islamit.
Marcus Schaton, një mësues feje në dy shkollat lokale Hof dhe Kreuzbuhl të qytetit të St. Gallenit në Zvicër, i cili është edhe Prift, bashkë me nxënësit e tij, ka vizituar Bashkësinë Islame El-Hidaje në qytetin e St. Gallenit duke e vlerësuar këtë vizitë si përjetim i ri.
Mysafirët i priti Imami, hfz. Mehas Alija, dhe kryetari i Këshillit të xhamisë Qemal Rushiti, të cilët i njohën me hapësirat e xhamisë, ndërsa nxënësit u informuan për strukturën e objektit fetar të muslimanëve.
“Qëllimi i vizitës ishte që nxënësit e komunitetit të krishterë të informohen për së afërmi me gjendjen në xhami, si funksionon ajo dhe çfarë në të vërtetë e përbën atë. Gjithashtu, qëllim i tyre ishte edhe njoftimi rreth mësimeve dhe karakteristikave themelore të Islamit”, deklaroi imam Alija.
Interesimi ishte i madh dhe pyetjet, po ashtu, ishin të shumta.
“Duke e parë në formë praktike se si luten dhe si besojnë muslimanët, nxënësit nuk nguruan që edhe ata për një momentin të përjetojnë formën e lutjes kryesore gjatë ditës, siç është falja e namazit”, sqaroi imami.
“Çfarë paraqet Minareja për muslimanët; pse muslimanët nuk e konsumojnë mishin e derrit; pse femrat muslimane duhet të mbajnë mbulesë, respektivisht shami; a janë vërtetë muslimanët terroristë; a duhet të kihet frikë prej muslimanëve; a mundet një musliman apo muslimane të shkoj në pishinë; çfarë mendojnë muslimanët për hebrenjtë dhe të krishterët, etj.”, janë vetëm disa nga çështjet të cilat u diskutuan së bashku në klasën e Mektebit të xhamisë.
Pas vizitës mësuesi dhe Prifti Marcus Schaton i ka dërguar një letër imami të të xhamisë, si shenjë falënderimi.
“Ishte kënaqësi e madhe që ne ta vizitojmë Bashkësinë tuaj. Në erdhëm me shumë pyetje dhe u kthyem me shumë përgjigje dhe me përjetime të reja. Është bukuri që ne, në lagjen tonë, të kemi fqinj kaq të hapur.”, thuhet mes tjerash në letrën e mësuesit dhe priftit Schaton.
Vizitat e këtilla, me karakter bashkëpunimi dhe njohje me njëri tjetrin, janë të shpeshta në xhaminë El-Hidaje dhe ato nuk përbëhet vetëm se nga shkollat, por edhe nga institucione të tjera kantonale, thotë imami Mehas Alija. /islampress/