Kryeministri turk Rexhep Erdogan, është shprehur se vështirësitë dhe problemet që vajzat dhe gratë me shami përballeshin çdo ditë, tashmë kanë përfunduar. Ato nuk do të vuajnë më siç kanë vuajtur gjer dje.
Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Erdogan tha se femrat me shami të cilat i përshëndesin shoqet e tyre me “Selamu alejkum” nuk kanë ardhur nga ndonjë vend tjetër, por janë qytetare turke me të drejta të plota. Ato nuk ka përse të largohen në vende të tjera si Arabia Saudite për të jetuar në shkretëtirë, siç patën bërë thirrje disa.
Ai tha se femrat me shami dhe ato pa shami në kokë, do të jetojnë bashkarish në një atdhe të përbashkët, me të drejta të barabarta, ato do të punojnë në institucione të përbashkëta dhe nuk do të diskriminohen. Ai u bëri thirrje të gjitha femrave me shami që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme.
Që nga dita e martë, në Turqi ka hyrë ligji i cili i lejon gratë me shami që të punojnë në institucionet zyrtare. Në paketën e reformave të qeverisë turke, bënte pjesë dhe ligji për lejimin e shamisë në institucionet publike dhe shtetërore, përveç gjykatës, policisë dhe ushtrisë.
Një grup femrash kanë protestuar për faktin se institucioni i gjykatës bën përjashtim lidhur ligjin që u lejon femrave të mbajnë shaminë në institucionet publike. Sipas tyre, ky përjashtim është shkelje e të drejtave të njeriut dhe barazisë. Ato janë punonjëse në ministrinë e drejtësisë dhe kanë protestuar përballë godinës së ministrisë pikërisht për këtë përjashtim.
Në paketën e reformave të qeverisë, është hequr edhe përshëndetja e dijes, të cilën nxënësit e bënin çdo ditë para se të hynin në klasat e mësimit. Në këtë përshëndetje, ata këndonin himnin dhe i thurin lavde themeluesit të Turqisë moderne, Qemal Ataturk. /ardhmeriaonline/