Categories
Lajme FRI

Paralajmërohen punësime ndërsa varfëria thellohet

Një e katërta, ose 545.200 persona në vend jetojnë në kufirin e varfësisë – nuk mund t’i plotësojnë as nevojat elementare jetësore. Matja e fundit statistikore nuk solli optimizëm – gjendja në vitin 2011 në krahasim me vitin 2010 ka ndryshuar vetëm për 0,2 për qind, ose për aq është zvogëluar përqindja e varfërisë.
Një familje katëranëtarëshe, me dy të rritur dhe dy fëmijë jeton me 2.171 euro në vit, ose 180 euro në muaj. Në gjendje të këtillë janë pothuajse 24% e familjeve. Nga ana tjetër, gjatë viteve të kaluara qeveria me projektet për vetëpunësim dhe për tërheqje të investitorëve të huaj thoshte se hap vende të reja pune për zvogëlimin e papunësisë, e cila është edhe shkaku kryesor i varfërisë. Ku dështoi sistemi, ku janë dobësitë?
Për 57% të popullatës – mishi është luks!
Që ta arrijë fundin e muajit, të blejë ushqim, t’i paguajë llogaritë për një familje katëranëtarëshe, sipas matjeve të shportës minimale konsumaotre sindikaliste, nevojiten 32.144 denarë. Por sa qytetarë disponojnë me këtë shumë të ardhurash në muaj dhe sa mund t’i plotësojnë nevojat e tyre? Sipas statistikës, pothuajse 38% e popullatës nuk mund t’i paguajë të gjitha llogaritë mujore, qiranë ose këstin në bankë.
Pushimi njëjavor gjatë vitit është luks për 72,2%, e pothuajse 57% e popullatës nuk mund të shtrojë në tavolinë mish ose peshk çdo të dytën ditë.
Sociologët thonë, faktet janë të vrazhda dhe e shprehin realitetin.
“Duhet të bëhet dallim ndërmjet perceptimit për varfëri, gjegjësisht si e përjetojnë dhe si e ndjejnë njerëzit atë dhe matjes metodologjike të varfërisë. Nëse pyetni dikë se si jeton, a mund t’i lejojë vetëvetes për shembull, të plotësojë ndonjë nevojë nga fusha e kulturës, ai do t’ju thotë se nuk mund as llogaritë t’i paguajë. Këtu është ai dallim.
Ne e masim varfërinë në një kuptim të vrazhdë, nëpërmjet nevojave të njerëzve për t’i paguarë llogaritë, ushqimin dhe veshjet. Faktet janë të vrazhda dhe ato e pasqyrojnë realitetin, por në qoftë se hapet çështja e plotësimit të nevojave të tjera, joekzistenciale, atëherë do të fitohet një pasqyrë krejtësisht tjetër për gjendjen”, thotë profesori universitar, Ilija Acevski.
Sipas anketës së statistikanëve, edhe më tej kategoria më e lëndueshme e familjeve janë ato me shumë fëmijë, ku është matur edhe përqindja më e lartë e varfërisë. Ja se çka tregon anketa “Indikatori Laeken i varfërisë”.
Përqindja e varfërisë:

Familjet me 3 ose më tepër fëmijë

57,0%

Prind i vetëm me fëmijë për të cilët kujdeset

38,3%

Familje me fëmijë për të cilët kujdeset

31,0%

Dy të rritur dhe një fëmijë

28,9%

 

Dy të rritur, më të rinj se 65 vjet

24,6%

 

Dy të rritur dhe dy fëmijë                                    

23,8%

Një familje katëranëtarëshe, me dy të rritur dhe dy fëmijë jeton me 2.171 euro në vit, ose 180 euro në muaj. Në një gjendje të këtillë janë pothuajse 24% e familjeve. Përqindja e varfërisë është më e madhe, dhe duhet të bëhet dallim ndërmjet varfërisë dhe mjerimit, konsideron profesori universitar Zoran Kitkanj.
“Sipas meje, përqindja e varfërisë është 35%, prej tyre ndërmjet 20 dhe 25 për qind jetojnë në mjerim, ose për shembull në 16 metra katrorë jeton një familje shumëanëtarëshe, e cila nuk mund t’i plotësojë nevojat ekzistenciale. Nga ana tjetër, poashtu konsideroj se duhet të bëhet matje reale e shportës konsumatore, ose sa produkte dhe cilat lloje të produkteve nevojiten për jetë normale. Nëse bëhet kjo, atëherë do të vijmë në përfundim se me të ardhurat që janë në dispozicion nuk mund të plotësohen ato nevoja dhe përqindja e varfërisë do të rritej”, thotë profesori Kitanj.
Në vitin 2011, përqindja e varfërisë ka qenë 27,1%. Nëpërmjet transfereve sociale dhe pensioneve gjendja është zbutur, ose pa përfshirjen e transfereve sociale dhe pensioneve – përqindja e varfërisë në vend do të ishte 47,1%.
Punësime dhe investime të reja – e varfëria është betonuar! 
Është e vërtetë se qeveria ndërmori masa për hapjen e vendeve të reja të punës, por shtrohet pyetja se a bëhet fjalë për marketing politik ose për strategji reale që jep efekte, komentojnë ekspertët. Poashtu, edhe pse u rritën rrogat në administratë, pensionet dhe kompensimet sociale, matja e fundit statistikore e varfërisë tregon se nuk ka përmirësim të gjendjes, thotë profesori Acevski.
“Është e vërtetë se kishte rritje të shumës për kompensime sociale, u rritën pensionet, por nuk duhet ta harrojmë inflacionin. Rritja e çmimeve e han standardin e qytetarëve, dhe prandaj kemi përqindje të lartë të varfërisë te kategoritë e qytetarëve që janë të lëndueshëm në aspekt social. Nga ana tjetër, ne nuk kemi ndonjë rritje ekonomike, ajo që bëhet tani është hudhje prej një vendi në vendin tjetër, ose merrni prej njërit i jepni tjetrit. Nëse punët vazhdojnë kështu, sipas meje do të ballafaqohemi jo me rritje por me zvogëlim të rrogave. Ajo që është me rëndësi është se vendi nuk ka ndonjë strategji serioze për zvogëlimin e varfërisë. Masat që janë ndërmarrë deri tani dhe efektet e tyre, janë vetëm perceptim dhe marketing politik”, thotë profesori Acevski.
Derisa ka punësime në administratë në kurriz të sektorit privat – nuk mund të shpresojmë se gjendja do të ndryshojë, konsideron edhe profesori Kitkanj.
“Problemin e shoh në atë se bëhen punësime në administratë e jo në ekonominë reale. Këto punësime nuk e mbushin buxhetin por e zbrazin atë. Nga ana tjetër, nuk kemi punësime në numër të konsiderueshëm në sektorin privat, i cili duhet ta mbushë buxhetin. Është e vërtetë se qeveria thotë se hapen vende të reja pune në fabrikat e investitorëve të huaj, por atëherë pse zvogëlohen të hyrat në fondin shtetëror në bazë të kontributeve?”, pyet Kitkanj.
Zgjidhja problemit të varfërisë duhe të kërkohet në zvogëlimin e papunësisë – vlerësojnë ekspertët. Sipas matjeve të statistikanëve përqindje më e lartë e varfërisë është regjistruar mu te të papunësuarit.
Ja se cilat përqindje të varfërisë i mati statistika sipas statusit ekonomik:

Të papunësuar

48,7%

Persona të tjerë joaktivë

35,2%

Të punësuar

10,0%

Pensionistë

12,8%

“Siç qëndrojnë punët tani, nuk kemi ndonjë rritje të theksuar ekonomike, na ndodh hudhja prej një vendi në vendin tjetër, ose merrni prej njërit i jepni tjetrit. Për shkak të politikës së paqëndrueshme aktuale, pres të ketë tendencë të zvogëlimit të rrogave”, thotë profesori Acevski.
Në fund të vitit 2013, revista britaneze “Economist” e rangoi Maqedoninë në grupin e vendeve me rrezik të lartë nga trazirat sociale mu për shkak të pakënaqësisë nga gjendja ekonomike. Statistika evropiane mati se qytetarët e vendit mbeten ndër më të varfërit në Evropë, me vetëm 35% nga standardi i evropianit mesatar.
Portalb

Exit mobile version