Tri deputete të parlamentit turk, kanë paralajmëruar se në të ardhmen në seanca do të vazhdojnë të marrin pjesë me shami

Ky paralajmërim i deputeteve nga radhët e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK) ka shkaktuar reagime të forta të sekularistëve dhe thirrje të reja për mbrojtjen e “sekularizmit”.
“Kam kryer haxhin dhe jam kthye në Turqi e mbuluar me shami”, tha deputetja Gülay Samanci.
“Tash e tutje, jetën time do ta vazhdoj në këtë mënyrë. Turqia ka ndërmarrë hapa të mëdha në pranimin e personave me dallimet e tyre dhe respektimin e mënyrës së tyre të jetës dhe të menduarit.”
Samanci, anëtare e parlamentit nga Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP), nuk është e vetmja.
Njëjtë si ajo, edhe Nurcan Dalbudak dhe Sevde Beyazit Kacar kanë paralajmëruar se në seancat parlamentare do të marrin pjesë me shami në kokë.
Kundër shamisë në parlamentin e Turqisë të hënën ka ngritur zërin partia kryesore opozitare CHP. Megjithatë partitë tjera të opozitës nuk e kundërshtojnë.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne do ta mbrojmë Parlamentin dhe traditën e Parlamentit. CHP do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme, duke përdorur kompetencat e parlamentit”, tha Faruk Logoglu, nënkryetar i partisë më të madhe opozitare turke CHP (Partia Popullore Republikane).
“Nëse ato hyjnë me shami në parlament, ne do të hapim diskutimin për shkelje të rregulloreve të brendshme”, tha Engin Altay nga CHP.
Në Turqi, shamia ka qenë e ndaluar në objektet publike, universitete, shkolla, institucione qeveritare. Por, në vitin 2008 këto kufizime janë zvogëluar. Ndërsa më vonë, është shfuqizuar ndalimi i gjatë i mbajtjes së shamisë në shkolla.
Erdogan paralajmëroi edhe heqjen e ndalimit të mbajtjes së shamisë në institucionet shtetërore, me përjashtim të gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të policisë dhe ushtrisë.