Në ambientet e Forumit Rinor Islam – Dega Shkup u realizua me sukses trajnimi edukativ me përfituesit e programit të bursave të FRI Shkup, me temën “Bazat e Lidershipit”, i ligjëruar nga kryetari i FRI Shkup, z. Afrim Demiri.
Trajnimi kishte për qëllim zhvillimin e aftësive udhëheqëse, ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e lidershipit në jetën personale dhe shoqërore, si dhe fuqizimin e të rinjve për të marrë role aktive në shërbim të komunitetit. Përmes metodave bashkëkohore të trajnimit, shembujve praktikë, diskutimeve dhe punës në grupe, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të zhvillojnë aftësi konkrete në fushën e lidershipit.
Atmosfera interaktive dhe angazhimi i bursistëve kontribuan në zhvillimin e diskutimeve konstruktive dhe në shkëmbimin e përvojave, duke e bërë këtë trajnim edhe më të dobishëm dhe frytdhënës.
Ky aktivitet shënoi përmbylljen e ciklit të takimeve me bursistët e Forumit Rinor Islam – Dega Shkup për këtë vit, gjatë të cilit u realizuan një sërë ligjëratash, trajnimesh dhe aktivitetesh me karakter edukativ, profesional dhe formues, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin personal dhe akademik të bursistëve.
Përmes këtij programi, bursistët patën mundësinë të pasurojnë njohuritë e tyre, të zhvillojnë aftësi të reja dhe të forcojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, duke e bërë këtë cikël takimesh një përvojë të vlefshme në rrugëtimin e tyre personal dhe profesional.
Shkup, 27 qershor 2026











