Pas milionave të harxhuara për ndërtimin e përmendoreve, shadërvaneve dhe skulpturave të ndryshme në qendër të Shkupit, komuna Qendër tani do të angazhojë edhe truproje të përmendoreve.
Sipas zëdhënësit të komunës qendër Jovica Ackovski, ka pasur tentime për dëmtimin e përmendoreve, prandaj për ata po kujdesen roje të veçanta dhe do të vazhdojnë të kujdesen edhe më tutje.
“Aktualisht ekziston sigurim 24 orësh për shadërvanet dhe përmendoret e vendosura, ndërsa sigurimi do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Sigurimi e ka për detyrë që të kontrollojë vazhdimisht dhe ti mbrojë objektet përkatëse si dhe të pengojë çfarëdo lloj vandalizmi që mund të ndodhë ndaj përmendoreve”, tha Ackovski.
Ai nuk ka treguar se sa para nevojiten edhe për këtë shërbim si dhe sa persona janë të angazhuar për sigurimin e përmendoreve.
Çështja e sigurisë është shtuar me të madhe ndaj përmendoreve si dhe ndaj funskionarëve të dnryshëm. Vetë kryeministri Gruevski ka kërkuar që edhe pas përfundimit të mandatit të ketë në dispozicion 6 truproje të cilët do të përkujdesen për të natë e ditë.
Sa i përket përmendoreve të shqiptarëve deir më tani nuk ka asnjë truproje për “Skënderbeun” ose për “Hasan Prishtinën”.