Imagjinoni profetin Muhamed (s.a), ose ndonjë profet tjetër, duke u transmetuar mesazhin hyjnor në Twitter! S’do të ishte e mundur, sepse një mesazh i mirë, i qartë, i kuptueshëm, e mbi të gjitha i sinqertë, së pari vjen nga fytyra e atij që e transmeton dhe më pas nga fjala që e ndërthur dhe e ndërlidh. Janë pikërisht këto arsye që komunikimi virtual, përveç se na mban në linjë, na ka bërë gjithashtu më të pa “fytyrë”, më pak të sinqertë, më pasiv, dhe gjithnjë në hamendësim.

Asnjëherë më parë jeta nuk ka qenë kaq intensive sa tani dhe e ndërlidhur me mjetet e shumta. Jetojmë në një botë butonash e klikesh dhe në këtë mënyrë, hë për hë, shprehim edhe ndjenjat tona. Adhuruesit e këtij suksesi të jashtëzakonshëm teknologjik, janë në garë për t’i thurur lavde, ndërsa skeptikët, për vetë mënyrën e sistemit, janë të paktë, ose thuajse mungojnë. Ne ia kemi falur veten me dy duart, mjeteve teknologjike. Nëse në komunizëm, sistemi diktatorial hyri gjer në detaj tek jeta e individëve, tani nuk është më e nevojshme. Individët dorëzohet vetë me të gjitha të dhënat e tyre, e përveç kësaj edhe me ndjenjat e përditshme, me vendet ku ndodhen, me njerëzit që shoqërohen. E thënë shkurt, jemi të veshur lakuriq!
Të jesh kundër progresit, nuk është as e ndershme dhe as e pranueshme, por ama, gjithnjë mjetet e arsyes duhet të jenë në pararojë për ta çuar në shtegun e duhur gjithë këtë zhvillim, që ka sjellë gjithashtu gjithë këtë “zbrazje”, “shpërlarje” të vazhdueshme. Shpirti dhe intimiteti është lënë mënjanë, për ta zëvendësuar gjithnjë me “botën e jashtme” me realitete virtuale, që do të thotë me realitete që nuk ekzistojnë por që krijohen vetvetiu dhe po aq, humbasin dhe zhduken. Duket sikur njeriu tanimë e ka fituar betejën me kohën, por jo me shpirtin e vet dhe gjithnjë e më shumë, ai gjendet nën presionin e butonave që jo vetëm i vjedhin kohën, por edhe i humbasin sensin e vërtetë etik të qenies!
Përballë gjithë kësaj zallamahie, këtij “koshi mbeturinash” të stërmadh virtual, secili nga ne, përpiqet që të gjejë vendin e vet, sigurisht shpërblimi më i mirë janë “like-t”, e kundërta dështimi më i rëndë. Pikërisht, këtu nisën dhe mat veten për të kuptuar se sa me vlerë është ajo çfarë shkruan, sa janë të gatshëm njerëzit të të ndjekin? A kërkojnë të gjithë ata të njëjtat gjëra që t’i dëshiron t’ua transmetosh? Apo në të gjitha rastet, shijet janë “limonadë” dhe humori banal mbizotëron?! Për këtë të fundit nuk kam edhe shumë dyshime. Pa përballje të drejtpërdrejtë, e lehtë për të qenë në prani, pa u gjykuar direkt, pa emocione, gjithkush mund të hyjë dhe të ndërlidhet në gjithë këto “botë të madhe” që vjen në shtëpitë tona.
Unë nuk jam skeptik, por e kam të vështirë të bindem, se tanimë duke shfrytëzuar vetëm këto rrjete sociale si Facebook apo Twitter, e kemi arritur informimin e saktë dhe të duhur. Këtu mungon etika, apo ligji që e orienton, e mbi të gjitha mungon edhe serioziteti. Aq më pak edhe bindja! Imagjinoni profetin Muhamed (s.a), ose ndonjë profet tjetër, duke u transmetuar mesazhin hyjnor në Twitter! S’do të ishte e mundur, sepse një mesazh i mirë, i qartë, i kuptueshëm, e mbi të gjitha i sinqertë, së pari vjen nga fytyra e atij që e transmeton dhe më pas nga fjala që e ndërthur dhe e ndërlidh. Janë pikërisht këto arsye që komunikimi virtual, përveç se na mban në linjë, na ka bërë gjithashtu më të pa “fytyrë”, më pak të sinqertë, më pasiv, dhe gjithnjë në hamendësim.
Në anën tjetër, intensiteti i përdorimit të tyre, e ktheu menjëherë vëmendjen edhe të politikanëve. Edhe këtu po na e vjedhin kohën, për të na bindur për idenë e tyre. Unë e refuzoj këtë, por për sa kohë që zyrat e shtypit po e humbasin rëndësinë e tyre si institucione të vërteta kompetente, jam i detyruar të informohen, ashtu cunguar, pa shumë seriozitet, dhe sigurisht, citate që kërkojnë shumë mund për t’u kthyer në lajme të vërteta. Ata që merren me politikë, që e kanë kuptuar më së miri pushtetin, u hodhën në sulm për të sunduar edhe rrjetet sociale, që nga veti titulli i tyre, i janë drejtuar shoqërisë, pra “sociales”, jo “politikes”.
Ata që kanë synim pushtetin, e arrijnë atë duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, dhe këtu vetëm morali nuk hyn në lojë. Dhe këto po ia arrijnë së fundi me rrjetet sociale. Madje, me numrin e anëtarëve krenohet dhe e përkthejnë në vota. Po si i bëhet me ata që janë “anëtarë” edhe tek lideri i mazhorancës edhe tek lideri i opozitës? Pra, një votë e ndarë në dysh! Informacioni është pushtet dhe qëllimi i pushtetit është mbijetesa e tij sa më gjatë të jetë e mundur.
P.S
S’duhet t’i mendoni ato momente, kur askush nuk ua ka pëlqyer statusin tuaj në Facebook! Mund të ndodhë që disa “like” janë thjesht për prani, pra pa asnjë vlerë. Kjo është bota virtuale, bota që nuk ekziston përveç si një vegim!