Presidenti i rrëzuar Morsi ndodhet nën arrest shtëpiak, siç janë edhe shumica e ekipit presidencial, mësohet nga një mesazh në Twitter i zëdhënësit të “Vëllazërisë Muslimane”, Gehad El-Haddad.
“Morsi është arrestuar nga garda presidenciale në selinë e tyre dhe po mbahet larg çdo kontakti me botën”, shprehet El-Haddad për CNN. “Ata kanë ndërprerë çdo akses të mundshëm të tij me të tjerët, të gjitha telefonatat e tij. Asnjë nuk mund ta takojë atë”, konfirmon zëdhënësi i “Vëllazërisë Muslimane”.
Ushtria e Egjiptit raportohet se po përpiqet të mbledhë masivisht anëtarët e “Vëllazërisë Muslimane”, lëvizjes islamike që ndihmoi Morsi-n të vinte në pushtet 1 vit më parë. El-Haddad konfirmon vetëm arrestimet e kreut të partisë “Liri dhe Drejtësi” dhe zëvendësit të tij, por pranon se numri i “të përndjekurve” është shumë i madh.
Urdhër arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e “Vëllazërisë Muslimane”, teksa një operacion për arrestimin e tyre është duke u zhvilluar në orët e para pas rënies së Morsi-t nga pushteti, bën të ditur Al-Ahram, gjatë orëve të para të së enjtes, duke cituar burime të forcave të sigurisë, por të paidentifikuar.
Forcat e sigurisë egjiptiane kanë arrestuar gjithashtu liderin e partisë politike të “Vëllazërisë Muslimane”, Saad el-Katatni, si dhe zëvendësin e tij, Radhad Al-Bayoumi, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt, MENA, gjatë orëve të vona të së mërkurës, sërish bazuar në burime ushtarake.
“Al Jazeera” ka ofruar detaje të mëtejshme në lidhje me sulmin e raportuar ndaj stacionit të tyre në Egjipt. Sipas tyre, shërbimi i tyre direkt mbi ngjarjet në Egjipt është ndërprerë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
“Forcat e sigurisë hynë furishëm në ndërtesë dhe arrestuan prezantuesin, të ftuarit dhe producentët”, thuhej në një deklaratë të “Al Jazeera”-s përmes uebsajtit të tyre. Më herët, CNN raportoi nga Kajro se të paktën 3 stacione televizive pro-Vëllazërisë Muslimane në Egjipt duket se e kanë ndërprerë aktivitetin dhe janë mbyllur.
Ndërkaq, në orët e para të mesnatës në Kajro, turmat pro-Morsi dhe anti-Morsi vazhdojnë të enden rrugëve.
Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 343 të tjerë janë plagosur në përleshjet anembanë Egjiptit, gjatë së mërkurës, ditën kur ushtria egjiptiane bëri të ditur se ka rrëzuar Mohamed Morsi-n nga posti i presidentit. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve Al-Ahram, e cila citon Ministrinë e Shëndetësisë.
Obama për Ushtrinë egjiptiane: Riktheni sundimin civil demokratik
Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama, në deklaratën e tij të parë publike mbi “grushtin e shtetit” ndaj Morsi-t, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara nga vendimi i forcave të armatosura egjiptiane, për të rrëzuar presidentin Morsi dhe për të pezulluar Kushtetutën e Egjiptit”, si dhe faktin që “ai u ka kërkuar departamenteve dhe agjencive përkatëse, për të rishikuar mundësinë e implikimeve, sipas ligjeve amerikane, për ndihmë ndaj qeverisë së Egjiptit”.
Obama i bëri thirrje ushtrisë egjiptiane “të lëvizë me shpejtësi dhe përgjegjësi, për rikthimin e autoritetit të plotë ndaj një qeverie civile të zgjedhur në rrugë demokratike, sa më shpejt të jetë e mundur, përmes një procesi gjithpërfshirës dhe transparent, dhe të shmangë arrestimin arbitrar të presidentit Morsi dhe mbështetësve të tij”.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka reaguar përmes një deklarate, ku bën thirrje për qetësi, shmangie të dhunës, dialog dhe përmbajtje në Egjipt, siç raporton Reuters. Sekretari i OKB-së shton mes të tjerash se ndërhyrja ushtarake në çështjet politike është gjithmonë shkak për shqetësime, si dhe nxit palët që të rikthejnë qeverinë civile sa më shpejt të jetë e mundur.
———————————————————————————
Sipas lajmeve që vijnë nga Egjipti, sonte është arrestuar edhe presidenti Mohamed Morsi.
Pas marrjes së kontrollit të shtetit nëpërmjet “puçit ushtarak”, ushtria egjiptase ka blllokuar edhe pallatin presidencial ku gjendej edhe presidenti Morsi së bashku me stafin e tij.
Deri më tani nuk është bërë e ditur a është larguar nga presidenca apo po mbahet i bllokuar në objektet e tij të presidencës.
Një video që u postua në yotube, paraqet pamje ku rojet e uniformuara pengojnë depërtimin e gazetarëve dhe personave tjerë deri te presidenti.
Veç kësaj, sonte janë arrestuar një numër i madh i anëtarëve të Partisë për Liri dhe Drejtësi, parti kjo që disponon me shumicën e anëtarëve në parlamenin egjiptas. Siç u njoftua edhe më parë, ushtria ka bllokuar mediat kryesore në vend dhe për momentin në Egjipt mbretëron terri informativ./albtime