“…Gabimet historike janë faktori esencial për të formuar një komb….Të bëhet historia e gabuar është pjesë e të qenurit komb…”
Ernest Renan
Politikologu gjerman Felix Hanschmann kur flet për teorinë e kombformimitpohon se ajo është formë më e zakonshme e procesit të formimit të një identiteti të përbashkët, me qëllim që të legjitimojë pushtetin publik brenda një territori të dhënë. Një formë e tillë e organizimit politik origjinën e ka në Evropën Përendimore që në shek. XVIII ose XIX.
Një proces i suksesshëm i Kombndërtimit prodhon një projeksion kulturor të kombit, që përmban një tërësi supozimesh, vlerash dhe besimesh, që mund të funksionojnë si themelim legjitimizues të një strukture shtetërore.
Nëse marrim shek. XIX dhe XX, shohim se tipet kryesore të kombformimit me impakt më të qëndrueshëm në botën moderne ishin kolonizimi dhe nacionalizmi. Anne-Marie Thiessem thekson se procesi intensiv i Kombndërtimit në Evropë konsiderohet shek. XIX, njëherit ky proces ndryshoi thellësisht hartën politike dhe kulturore të Evropës, për vetë faktin se kombi në kuptimin modern të fjalës është definuar si komunitet politik dhe kulturor.
Kombndërtimi përfshinë krijimin e veglave kombëtare, si flamurin, himnën, ditët kombëtare, stadiumin kombëtar si dhe mitin kombëtar, pohon Jochen Hippler. Në të shumtën e rasteve ai përfshin edhe shfrytëzimin e propagandës si dhe mjetet e ndryshme infrastrukturore me qëllim të kultivimit të harmonisë sociale dhe zhvillimit ekonomik/Ali Pajaziti/.
Edukata qytetare dhe patriotike konsiderohet si element mjaft i rëndësishem në procesin e Kombndërtimit. Tanimë për këtë shkak gjatë shek. XIX gjithandej nëpër Evropë popujve të ndryshëm i’u shpërndanë arikuj dhe revista, me përmbajtje të historisë kombëtare, herojnve kombëtar, trashëgimisë kombëtare, arritjeve kulturore etj.
Madje jo vetëm kaq, por edhe ndërtimi i muzeve të historisë, pikturat e ndryshme etnografia nacionale, monumentet për përkujtimin e betejave, statujat e heronjve ose ndonjë personaliteti tjetër, u krijuan me qëllime të qarta patriotike. Përmes këtyre formave synohej të bëhet mobilizim patriotik i një kombi të caktuar.
Nëpër metropolet evropiane edhe emrat e rrugëve u emëruan sipas ndonjë personaliteti historik, ndërsa nëpër qytete e ndryshme u krijuan sheshe dhe hapësira të reja. Arkitektura nëpër qytet doemos të kishte lidhje me të kaluarën historike, kurse sheshet e qyteteve u zbukuruan me statuja të ndryshme, që përfaqësonin heronjtë kombëtarë dhe ngjarjet e mëdha kombëtare.
Elitat politike-kulturore shqipatare realizuan procesin e komb-ndërtimit dhe shtet-formimit ndërmjet viteve 20-30 të shek. XX, duke u orientuar për nga modelet e shoqërive bashkëkohore të Evropës perendimore /Sulstarova/.
Vlen të përmendet se një proces i tillë i Kombndërtimit në Turqi u intensifikua nga elitat kemaliste dhe atë pas luftës së parë botërore, pikërisht ndërmjet vitete 1923 e deri në vitin 1940 /Sibel O. Demirer/. Për këtë shkak po thuajse në qytete të shumta turke u ndërtuan buste për babain e kombit turk, Mustafa Kemal Ataturkut.
Intensiteti i tillë i edukimit patriotik mund të shpjegojë se ideja për të qenë komb si komunitet politik dhe kulturor, u zgjerua me shpejëtsi nëpër Evropë gjatë shek. XIX dhe se shteti komb tanimë u bë forma kryesore e organizimit politik.
Pra, elementi esencial i Kombndërtimit, është krijimi i historisë nacionale thekson Raulph Utz, sepse ashtu siç thotë edhe shkrimtari rus Nikolay Karamzin “…historia është libri i shenjtë i popujve, pasqyre e së kaluarës….shpjegues i së tashmes….dhe shembull i së ardhmes”.
Shek. XIX konsiderohet periudhë e formimit të kombeve edhe në Ballkan, tanimë popujt ballkanikë nga të qenët popull ishin konsistuar në komb /Stipe Shuvar/ dhe kështu formuan shetet kombe. Në periudhën e formimit të kombeve maqedonasit nuk u konsistuan në komb ngjashëm sikurse ballkanasit e tjerë dhe rrjedhimisht diplomacia evropiane e shek. XIX dhe fillim shekullit XX nuk i njohu si të tillë. Ju kujtojmë se çështja maqedonase as që u mor parrasysh në konferencat e evropiane qoftë në Berlin apo në Paris.
Pikërisht për këtë fakt historiani kanadez Andrew Rossos, pohon se në shek. XIX nuk kishte prova të qarta të formimit të një vetëdije të veçantë të identitetin maqedonas, andaj maqedonasit duhej të pritnin deri në vitin 1944, për të formuar një njësi politike mirëpo tani si pjesë e federatës së Jugosllavisë socialiste.
Meqë garnitura politike maqedonase nuk e pati një mundësi të tillë të Kombndërtimit në shek. XIX ose XX, një gjë të tillë ajo u mundua ta bëjë pas pavarësimit të saj nga Jugosllavia titiste.
Viteve të fundit një veprim i tillë është intensifikuar edhe më shumë, “Enciklopedia Maqedonase”, ndërtimi i muzeve, statujat e ndryshme në sheshin “Maqedonia”, ndërtimi i godinave me arhitekturë të stilit neo-klasik dhe neo-barok, e shumë të tjera janë shembuj praktik se si mund të realizohet një proces i Kombndërtimit.
Përmes këtyre projekteve synohet të argumenohet se historia e popullit maqedonas ka një përparim linear nga periudha e antikitetit e deri tek konflikti i armatosur i vitit 2001.
Duke pasur parasysh stilin arkitektonik të të gjitha atyre godinave, atë se kujt i dedikohen statujat, vendi ku ata janë vendosur, na bëhet e qartë situata se këtu është ideja për një identitet kombëtar. Në proceset e kombformimit shpikësit e idesë së saj, pra bartësit e këtij procesi janë të prirur që ti përjashtojnë minoritete nga ky proces thekson profesori nga Universiteti i Oslos Pal Kolsto.
Pra kjo nënkupton që pa marrë parasysh se aty pritet të vendosen edhe disa skultuptura të tjera të personaliteteve të historisë sonë kombëtare, mund të themi se ajo përsëri nuk ia “prish” imazhin një projekti etnocentrik/përjashtues.
Projekte të tillë pa dyshim se rritin pakënaqësinë qoftë tek qytaterët shqiptarë, po edhe tek ata maqedonas, madje jo vetëm kaq, por një gjë e tillë qe shkas që të ritet nacionalizmi tek popullata. Njëherazi kjo mund të konsiderohet një faktor përmes së cilës Maqedonia t’i prish marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe ashtu të brishta – siç është rasti me Greqinë – por edhe me Bullgarinë, e që parimisht rezulton me ngecjen e Maqedonisë drejt rrugës së saj euro-atlatike pra NATO-s dhe BE-së.
Mund të konstatohet se procesi i komb-formimit në Republikën e Maqedonisë u bazua në premisat e eksklusivitetit, etnocentrizmit dhe nacionalizmit etnik.
Me anë të këtyre projekteve shteti ynë jo vetëm që nuk i jep imazh të mirë vendit, por dëshmon se për dallim nga kombet e tjera ballkanike dhe evropiane kur është në pyetje procesi i Kombndërtimit është vonuar më sa paku për një shekull.