Të nderuar lexues. Këtë vështrim po e filloj me një mendim të një gjermani që kishte jetuar në shekullin që lamë pas, i cili, pos të tjerash, kishte shtruar filozofinë si vijon: “HISTORIA  PËRSËRIT  VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”!
Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri  dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë.
Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!
I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???
I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!
Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!
Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër).
Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti,  t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.
Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…,  ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe  kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë  fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase  nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!
Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog  i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk  karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua…
Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.