Në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës sot u promovua numri i parë i revistës ndërkombëtare shkencore “Justicia”.
Prof. dr. Vullnet Ameti, rektori i USHT-së në fjalimin e tij në propmovim theksoi se dalja në dritë e revistës ndërkombëtare shkencore juridike “Justicia”, vjen si rezultat i përkushtimit dhe punës shkencore të Fakultetit Juridik, të Universitetit të Tetovës.
-Punimet shkencore, si Reformat në gjyqësi, sfida e mëtejshme institucionale e Republikës së Maqedonisë, pastaj, përgjegjësia juridike civile për dëmin e shkaktuar nga institucionet mjekësore dhe punonjësit mjekësor dhe liria e besimit fetar në Maqedoni të botuara në këtë revistë që e promovojmë sot, paraqesin një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe përbëjnë një vlerë të çmuar për shkencat juridike.
-Liria e besimit fetar në Maqedoni: a është ndërtimi i objekteve fetare nga ana e shtetit në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, dhe shumë e shumë punime të tjera, por jo më pak të rëndësishme,  japin një pasqyrë të qartë dhe e informojnë opinionin publik e shkencor për çështjet më të ndjeshme të drejtësisë në vendin tonë, dhe më gjerë, deklaroi Ameti.
Sipas tij, botimi i revistës ndërkombëtare “Justicia” është një ngjarje e shënuar shkencore, ajo do të pasurojë shkencat përkatëse  me kontribute të reja.  -Me këtë rast, me kënaqësi e theksojmë, se anëtarët e Redaksisë dhe autorët e punimeve, tashmë janë dëshmuar për veprimtari të suksesshme hulumtuese dhe këtë nivel, e kanë arritur duke marrë pjesë në seminare, simpoziume, e konferenca shkencore nga rajoni dhe ato ndërkombëtare, theksoi më tej rektori i USHT-së.