“Kryqi në Sahat-kullën e Podgoricës ofendon çdo qytetar qëllimmirë, e në veçanti arkitektët të cilët dinë se cilës trashëgimi i përket Sahat-kulla”, thotë kryeimami i Podgoricës dhe Nikshiqit, Xhemo Rexhematoviq
Bashkësia Islame e Malit të Zi do t’u kërkoj autoriteteve përkatëse ta largojnë kryqin, si simbol fetar, nga maja e Sahat-kullës, e cila është ndërtuar në pjesën e vjetër të Podgoricës në fillim të shekullit 18.
Sahat-kulla, strukturë arkitektonike e qyteteve evropiane të cilat ishin nën ndikimin osman, kur e ndëretoi Haxhi Mehmed Pasha Osmanagiç nuk kishte simbole fetare siç ka sot
Kjo ndërtesë në qytetin e vjetër të Podgoricës, e ndërtuar në shkeullin 18, njihet si simbol i qytetit.
“Duke pasur parasysh se të gjitha objektet fetare, dhe të tjera janë bërë në dobi të popullatës, kështu edhe Sahat-kulla në atë kohë ka luajtur rolin e saj, si matës i kohës. Sahat-kullat u kanë shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim feje apo dallimeve tjera mes njerëzve. Ato nuk kanë karakter fetar, prandaj është e tepërt nëse në ato vende vendoset ndonjë simbol fetarë”, thotë Rexhematoviq, si dhe të gjithë anëtarët e Bashkësisë Islame të Malit të Zi.
Ai tha se askund në botë nuk mund të shihet një Sahat-kullë me ndonjë element fetar, gjysmë hënë apo kryq, dhe se i vetmi përjashtim është Sahat-kulla e Podgoricës, të cilës i është imponuar kryqi i hekurt.
“Tolerimi i një kulturocidi të tillë nga autoritetet e qytetit është tronditës. Ne ngrisim zërin kundër një veprimi të tillë ndaj monumenteve tona kulturore dhe historike,” tha Rexhematoviq, duke shtuar se njerëzit tashmë vijnë në bashkësinë islame dhe kërkojnë që ai kryq të hiqet sa më parë, dhe se në këtë kontekst bashkësia islame ka një përgjegjësi të madhe dhe detyrë autoriteteve për të kërkuar heqjen e atij simboli fetarë.
Siç tha ai, kryqin në Sahat-kullë, në mes të dy luftërave botërore, e ka vendosur një prift ortodoks, i çuajtur Radoviq. “Këto janë të dhënat historike mbi të cilat ne nuk mund të mbështetemi, por pa marrë parasysh se kush e ka vendosur, ne themi se kryqi nuk e ka vendin në Sahat-kullë, e sidomos kur konsiderohet se ajo është ndërtuar nga muslimanët”, tha ai.
Sipas Rexhematoviqit, kryqi nuk i kontribuon harmonisë fetare, por gjeneron grindje dhe mosbesim të qytetarëve. Ai ofendon çdo qytetar qëllimmirë, e në veçanti arkitektët të cilët dinë se cilës trashëgimi i përket Sahat-kulla.
Duke pasur parasysh mbështetjen e qytetarëve, Bashkësia Islame, në një afat sa më të shkurtë do të përmbush detyrën e vet, duke i kërkuar qeverisë lokale largimin e simboleve fetare nga maja e Sahat-kullës, e cila gjendet në sheshin e vjetër të Podgoricës.
Atë kohë, kur është vënë kryqi, Sahat-kulla ka qenë në pronësi të shtetit, ndërsa sot është në pronësi të qytetit të Podgoricës.