Categories
Opinione

RAMAZANI, KTHIM NË VETE – Xhabir Emini

RAMAZANI, KTHIM NË VETE 

Falënderimet janë për Zotin e Madhërishëm, i Cili në çdo moment ndaj nesh materializon  mëshirën e Tij ndaj nesh edhe përskaj moskujdesjes që e kemi ne ndaj Tij në momente të  caktuara. Përshëndetjet tona më të sinqerta janë për Muhamedin a.s. i cili nuk la gjë të mirë pa  na e treguar dhe pa na urdhëruar për ta bërë dhe nuk la gjë që na dëmton pa na mësuar si të  largohemi prej asaj që të mbrojmë veten tonë nga ajo e keqe, për familjen e tij të ndershme dhe  shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata që kanë ndjekur e ndjekin dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri  në ditën e fundit të kësaj jete. 

Gjendemi në fillim të muajit më të vlefshëm, muajit që në vete ngërthen një numër të madh të  mirësive të cilat janë shtruar nga ana e Krijuesit të Mëshirshëm, me qëllim që nëpërmjet të  kërkimit të këtyre mirësive të na mëshironë, falë dhe largon nga banorët e zjarrit. Muhamedi  (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) thotë: “Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi i tij falje  dhe fundi largim nga zjarri”. 

Njeriu është qenie e cila përbëhet nga tre komponenta të cilat e tërheqin nga vetja e vet.  Aspekti material i cili e tërheq nga materja, aspekti shpirtëror që anon nga aspekti spiritual si  dhe ai intelektual që dëshiron të plotësohet me informata. 

Në ditët e sotshme aspekti material dominon mbi atë shpirtëror dhe intelektual e sidomos me  zhvillimin e industrisë moderne nëpërmjet të teknikës dhe teknologjisë. Nëse do të shikonim  hulumtimet që janë bërë nga ekspertë të ndryshëm në mesin e të rinjëve, se sa i përdorin  mjetet teknike dhe teknologjike për argëtim, në krahasim me librin dhe mjetet edukativo arsimore, sigurisht që do të befasohemi nga rezultatet (sigurisht që dominon me një diferencë  të madhe aspekti material ndaj dy aspekteve tjera). 

Ramazani është një shancë që individi qoft i ri, i moshës mesatare apo i moshuar, të bëjë një  kthesë në veten e vet, me qëllim të llogaritjes së vetes dhe fillimit të vendosjes së një  baraspeshe midis këtyre komponentave. Duke filluar me agjërimin i cili dobëson aspektin  material por fuqizon atë shpirtëror, namazin, lëmoshën, lutjet, këshillat në të mirë, frekuentimi i  faltoreve (duke respektuar rregullat shendetësore), deri tek aspekti intelektual që fuqizohet  nëpërmjet të leximit të librave të ndryshme, ndjekjes së ligjeratave, leximit të Kur’anit në gjuhën  që e kupton me qëllim të nxjerrjes së mësimeve nga ai, etj. 

Omeri r.a. thotë: “Llogarite veten para se të vjen dita e llogarisë”, llogarite pra veten detekto  anët negative dhe largoj ato, fuqizo anët pozitive, vendos një plan me anë të të cilit do të  menaxhosh veten në kohë të muajit të rasteve të veçanta dhe mundësive ekskluzive për të  përmirësuar veten. Vendos qëllime dhe objektiva reale dhe të mundëshme dhe përveshi krahët  që t’i arrishë të njejtat me qëllim që të përfitosh qëllimin e këtij muaji “devotshmërinë”.  

Vendosi qëllim vetes që do të dalësh fitimtar në fund të këtij muaji dhe puno me zell ashtu siç  punon një punëtor i zellshëm, i cili pas punës së tij të palodhshme në fund të muajit pret  shpërblimin e merituar nga punëdhënësi i tij. Madje për ta marrë seriozisht besimtari vlerën që  ka ky muaj thoshte: “I humbur është ai që e arrin muajin e Ramazanit dhe nuk i falen gjynahet”. 

Forumi Rinor Islam duke patur parasysh këtë që e cekëm më lartë dhe shumë argumente të  tjera që sigurisht nuk janë përmendur këtu, këtë vit vendosi që aktivitetet e larmishme të i  realizon nën moton: “Ramazani, kthim në vete”, ku do të përkujdeset që të jetë më afër jush  dhe në mënyrë sa më racionale ta kalojmë kohën e Ramazanit nëpërmjet këtyre aktiviteteve:  video këshillave, opinioneve, leximit të Kur’anit online, ligjëratave e tribunave me musafirë të  ndryshëm online, thënieve e përkujtimeve ditore në rrjetet sociale, etj. 

Në emër të Forumit Rinor Islam, u’a urojmë Ramazanin dhe lutemi sinqerisht që Zoti i Gjithësisë  të u’a pranon agjërimin dhe përpjekjet tuaja gjatë këtij muaji dhe jashtë tij. Amin. 

Xhabir Emini, kryetar i FRI-së

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version