Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 183, të sures el-Bekare, thotë: 

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, që të  bëheni të devotshëm!” 

Me ajetin e cituar, Allahu i Plotfuqishëm, ummetit të Muhamedit (savs), ia urdhëron agjërimin, i  cili u ishte urdhëruar edhe popujve të kaluar, ndërsa qëllimi kryesor i agjërimit është  devotshmëria. Për këtë shkak, Ramazani le të jetë muaj i devotshmërisë sonë të sinqertë dhe i  vendimit që gjithçka që bëjmë, çdo vepër e çdo fjalë që e themi le të jetë vetëm në emër të  Allahut të Plotfuqishëm, dhe për ta arritur kënaqësinë e Tij! 

Shumica prej nesh e kemi pritur me mallëngjim muajin e Ramazanit pasiqë me të vërtetë kemi  nevojë për të. Kemi nevojë që të shërohemi prej disa gjërave që nuk i kemi dhënë vetes tonë  mjaftueshëm kohë që të shërohemi. Kemi nevojë për të pasiqë na duhet që të pranojmë disa  gjëra. Të pranojmë se sa e përkohshme është jeta. Kemi nevojë që të rigjejmë veten aty ku  dëshirojmë të jemi gjatë tërë vitit, nga e cila humbemi ndonjëherë: në rrugën drejt Allahut. 

Të gjithë e dimë se 2 vitet e fundit për neve kanë qenë të vështira dhe e dijmë se në tryezat tona  disa persona nuk janë më pranë nesh prej Ramazanit të kaluar. Ka disa njerëz të sprovuar me  sëmundje të cilët shpresojnë që ky Ramazan të ju ndihmoj në shtimin e durimit të tyre kurse disa  të tjerë të cilët shpresojnë që të ndjejnë sadopak lehtësi. Mundohen që të bëjnë vepra të mira që  të afrohen tek Allahu sepse e dinë se me të vërtetë Ai është ES-SELAM – ( Paqedhënësi – Ai jep  paqe dhe qetësi, vetëm tek Ai është shpëtimi ). 

Prandaj lutemi, lutemi që çfarëdo gjendje që jemi tani në këtë muaj të bekuar, të na  ndryshoj. Të na ndryshoj në njerëzit e mirë që ne imagjinojmë dhe dëshirojmë veten që të jemi.  Lutemi që të na ngroh zemrat, aq shumë saqë të kuptojmë se mëshira e Allahut xh.sh çdoherë  është e pranishme edhe pas muajit të Ramazanit. Lutemi që t’i ndihmoj zemrat tona të jenë të  devotshme në iman.

Imad Sherifi