Forumi Rinor Islam ndjek me vëmendje situatën politike ne R. e Maqedonisë, duke filluar nga afera e përgjimeve, rasti i Gushincës dhe më e fundit, situata në lagjen e Trimave në Kumanovë, ku u regjistruan një numër jo i vogël i humbjes së jetëve të njerëzve, me çʹrast FRI, shpreh ngushllime për familjarët që i humbën të afërmit e tyre.
Të shqetësuar nga kjo që po ndodh në vendin tonë në kohën e fundit, me keqardhje konstatojmë se këto ngjarje jo vetëm e ndalin hapin e zhvillimit te vendit, por edhe e kthejnë vendin mbrapa në aspiratat e sajë për integrime Euro Atlantike. Situata që mbretëron në vendin tonë, e fundos sigurinë, ekonominë edhe ashtu të dobët të qytetarëve, i shuan aspiratat e të rinjëve për një jetë më të mirë dhe më premtuese.
Bëjmë apel te të gjithë faktorët duke përfshirë: partitë politike, faktorin ndërkombëtar si dhe të gjithë faktorët e tjerë që mund të kontribojnë në zgjedhjen e situatës së rënduar në vendin tonë, të ndërmarrin sa më shpejt që është e mundur masat e duhura për tejkalimin e kësaj situate, duke i zbardhur të gjitha rastet që ndodhën në këtë periudhë.
Gjithashtu qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të matur në veprimet e tyre, të mbrojnë veten dhe familjarët nga situata të dyshimta dhe pasigurta dhe të evitojnë çdo veprim që mund ta rëndojë edhe më shumë situatën. Forumi Rinor Islam, si çdo herë edhe sot në këtë situatë që mbretëron në vendin tonë, është afër qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre. Jemi këtu që brengat dhe vuajtjet ti ndajmë bashkë.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam
Categories