Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional shpreh shqetësimin e vet lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit në Republikën e Maqedonisë dhe dënon ashpër dhunën me elemente fashiste e cila po manifestohet mbi qytetarët shqiptarë.
Pavarësisht dyshimeve se kush mund të qëndrojë prapa këtyre ngjarjeve makabre, obligim parësor i qeverisë dhe organeve të rendit duhet të jetë që sa më shpejtë të zbulohen dhe arrestohen dhunuesit e pashpirtë, të cilët nuk po zgjedhin nëse viktimat e tyre do të jenë fëmijë, gra ose pleq. Çdo hamendje apo ngurrim në veprimin e institucioneve shtetërore, mund të hapë derën e veprimeve dhe organizimeve individuale e kolektive vetëmbrojtëse, karshi këtyre veprimeve gjakpirëse banditeske, e që mund të rezultojë me pasoja të paparashikueshme për qetësinë e përgjithshme të vendit dhe eskalimin e situatës në nivele të pariparueshme.
Në rrethanat e krijuara, është e lehtë nga përfaqësuesit politik shqiptarë që të thërrasin në ruajtjen e qetësisë dhe gjakftohtësisë nga ana e popullatës, por më e mira do të ishte sikur ata të jenë në nivelin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë marrë mbi supet e tyre, në mënyrë që të mbrojnë nderin dhe gjakun e njerëzve të cilët i kanë votuar dhe zgjedhur në pozitat drejtuese institucionale e shtetërore, thuhet në reagimin e lëshuar për media nga QMBI.
Categories