Forumi Rinor Islam, përmes këtij reagimi zyrtar, shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën mbi ngjarjet e fundit të dhunës fizike mes nxënësve të shkollës fillore “Dituria” në Saraj, si edhe incidentet e ngjashme të raportuara në disa shkolla të tjera në vend.
Pamjet dhe dëshmitë e qarkulluara në opinion dhe rrjetet sociale kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe shqetësimi të thellë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi nivelin e sigurisë që u ofrohet fëmijëve brenda institucioneve arsimore.

Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme:

  1. Hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent të çdo incidenti të raportuar, përfshirë rastin e fundit të përleshjes së nxënësve në Saraj.
  2. Rritje të masave të sigurisë në ambientet shkollore, me theks të veçantë në parandalimin e dhunës dhe praninë e koordinuar të strukturave përgjegjëse.
  3. Fuqizimin e kapaciteteve profesionale të psikologëve dhe punëtorëve socio-pedagogjikë, duke shtuar numrin e tyre dhe duke e thelluar rolin e tyre në ndërhyrjet e hershme dhe të vazhdueshme.
  4. Zbatim të rreptë të protokolleve zyrtare për reagimin ndaj dhunës në shkolla, si dhe përfshirje aktive dhe të përgjegjshme të prindërve në procesin arsimor.
  5. Organizimin e fushatave senzibilizuese, në nivel lokal, me synim ngritjen e vetëdijes mbi pasojat e dhunës, forcimin e komunikimit dhe promovimin e edukimit etik dhe qytetar tek fëmijët, prindërit dhe komuniteti në tërësi.

Forumi Rinor Islam, duke e konsideruar edukimin si themelin e zhvillimit individual dhe shoqëror, shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar përmes programeve edukative, iniciativave për parandalimin e dhunës dhe kultivimit të vlerave morale tek fëmijët dhe të rinjtë.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë.

Shkup, 13 dhjetor 2025