Tërmeti elektoral prodhoi një ‘vozhd’ të ri dhe një serbi pa opozitë
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare serbe që u mbajtën më 15 mars 2014 ka shkaktuar një tërmet me magnitudë të lartë në skenën politike të Serbisë. Goditja e parë e këtij tërmeti elektoral është rrënimi, përkatësisht lënia e skenës politike të Serbisë praktikisht pa opozitë. Disa nga partitë që kanë pasur një profil opozitar si Partia Liberal-Demokratike (LDP), Partia Demokratike Serbe (DSS) dhe Rajonet e Bashkuara Serbe (URS) kanë mbetur jashtë parlamentit, meqë nuk e kanë arritur censusin prej 5 për qind të votave. Ndërsa dy koalicionet opozitare, Partia Demokratike (DS) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), kanë hyrë në parlament, por të marra së bashku mezi kanë marrë rreth 12 për qind të votave. Edhe nëse Partia Socialiste e Serbisë (SPS) qëndron në opozitë, me 15 për qind të votave të saj, blloku opozitar serb do të përbëhej vetëm prej 27-përqindësh të deputetëve. Nëse PSS futet në koalicion me partinë fituese, Partinë Përparimtare Serbe (SNS), e cila i ka fituar 48.34 për qind të votave, atëherë blloku opozitar do të dukej vetëm një karikaturë, aq më tepër që ato janë parti me rivalitet më të fortë ndërmjet tyre sesa me partinë që i ka fituar në mënyrë absolute zgjedhjet. Prandaj, nuk është e zorshme të parashihet se si mund të duket një parlament me dy të tretat e deputetëve të një blloku dhe me një qeveri të formuar e të mbrojtur prej tij. Pra, parashikimi më i logjikshëm është se Serbia ka rrëshqitur drejt një pushteti autoritar, në të cilin Aleksandër Vuçiqi, lideri i partisë fituese, do të jetë një lloj vozhdi i ri i Serbisë. Po të kihet parasysh e kaluara e tij fashiste dhe karizma që ka, është e qartë se sfida e demokracisë në Serbi gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar do të jetë serioze. Meqë sundimtari i ri i Serbisë edhe deri tash i ka pasur nën kontroll shumicën e medieve influente, është e sigurt se edhe nga kjo anë ai do të jetë i patrazuar. Me një opozitë të dobët e të përçarë, me medie nën kontroll, me një shoqëri civile të dobët, qeverisja e tij do të jetë pashmangshëm autoritare.
Pyetja që ne na intereson më së shumti në këtë mes është: si do të reflektohet ky rezultat dhe qeverisja autoritare e ardhshme e Vuçiqit në raport me Kosovën?
Meqë orientimi i proklamuar politik e qeverisës i tij është integrimi evropian i Serbisë, mund të pritet që edhe qeveria e tij do ta vazhdojë dialogun në procesin e Brukselit. Por, tash ai dialog mund të bëhet më i vështirë. Vuçiqi do të bëjë përpjekje ta makimalizojë fitoren e tij edhe në këtë proces, duke u dëshmuar serbëve në Serbi dhe në Kosovë se kush është “gazda” (i zoti i shtëpisë, padroni). Ai ka para vetes një mandat të pastër katërvjeçar, prandaj as në dialog nuk do të ngutet. Shumicën e sukseseve të qeverisjes së tij do t’i rezervojë për vitin e fundit të mandatit, pra për vitin 2018! Deri në atë kohë ai mund të luajë lojën e obstruksioneve dhe bllokimeve sa herë t’i leverdisë. Por, shkalla e obstruksioneve dhe bllokimeve të tij do të varet edhe nga qeveria që do të jetë në Prishtinë, pas qershorit të këtij viti. Nëse në Prishtinë krijohet një qeveri e fortë, me mandat të qartë qeverisës, me një lider të vendosur, kjo mund ta zvogëlojë hapësirën manovruese të Vuçiqit e të qeverisë së tij. Por, nëse në Prishtinë do të ketë një qeverisje të dobët, pa mandat të qartë e me ndonjë lider të pavendosur, atëherë ka rrezik që ofensiva serbe të dominojë tërësisht në raportet ndërmjet Serbisë e Kosovës. Në atë rast do të rrezikohej edhe shkalla e arritur e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, edhe ajo që është arritur deri sot me procesin e Brukselit. Me presionet e shtuara do të mund të kërcënohej seriozisht edhe stabiliteti e në variantin më të keq edhe qëndrueshmëria e vet Kosovës. Në muajt që vijnë, deri në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ka kohë për analiza më të detajuara. Edhe zgjedhësit në Kosovë e kanë kohën e mjaftueshme të reflektojnë lidhur me interesat e veta dhe të vendit në përgjithësi, edhe në kontekstin e zhvillimeve në shtetin fqinj, i cili jo vetëm nuk e pranon ekzistencën e Kosovës si shtet, por edhe e ka në planet e veta strategjike zhbërjen e tij.
(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për “Epokën e re”)