Shqipëria thuajse është një ndër vendet e rralla në Evropë ku vijat e bardha nuk respektohen nga drejtuesit e automjeteve.
Komplet ndryshe ndodh në Kosovën fqinje, ku kalimtarët mund të kalojnë në çdo rast, pa patur frikë se mund të përfundojnë në rrotat e makinave ose të përplasen në trotuar.
Përballë kësaj situate alarmante të aksidenteve, Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë sensibilizuese për të ndërgjegjësuar shoferët. “Respekto edhe të gjallët!” është nisma e fundit e kësaj Ministrie, e cila synon ndërgjegjësimin e shoferëve për respektimin e këmbësorëve kur ata kalojnë në vijat e bardha.
“Fushata u ideua dhe u realizua vullnetarisht nga agjencia publicitare McCann Tirana në përgjigje të kërkesës së Ministrisë për bashkëpunim. Ajo synon t’i përgjigjet problematikës së respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor përmes edukimit të publikut, duke synuar uljen e numrit të aksidenteve, të cilat shpesh kanë pasojë vdekjen, si dhe respektimin e ndërsjellë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Gjatë vitit të shkuar, humbën jetën plot 95 këmbësorë për shkak të shpejtësisë së lartë të automjeteve. “Në vitin 2013, si pasojë e aksidenteve rrugore humbën jetën 95 këmbësorë, ndaj një kortezh përkujtues prej 95 vetash, tentuan të kalojnë vijat e bardha”, thuhet më tej. /Start/
Categories