Në Maqedoni ende nuk janë shuar preferencat për formimin e partive politike shqiptare, numri i të cilëve ka arritur në rreth 16 parti.
Në garën politike deri tani vazhdimisht kanë dalur subjekte të reja politike, të cilët konkurrojnë me programet e tyre politike për të tërhequr elektoratin.
Derisa në fillim të pluralizmit politik ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), 14 vite më vonë skena politike shqiptare pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik.
Formimi i partive politike është shëndrruar në një trend më të preferuar nga shumica e qytetarëve dhe grupacioneve të ndryshme, që synojnë ardhjen e tyre në pushtet. Përkundër kësaj situate, pozicion më të favorshëm në skenën politike shqiptare kanë Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare(PDSH) dhe pas tyre radhitet Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) dhe shumë parti tjera të vogla apo që funksionojnë gati vetëm me liderin dhe bashkëpunëtorë të ngushtë.
Sondazhet e ndryshme të organizatave joqeveritare tregojnë një përqindje të lartë të qytetarëve që janë të papërcaktuar politikisht.
Përkundër kësaj gjendje, ende nuk janë shuar preferencat për formimin e partive të reja politike.
Kronologjia me mbi 15 parti
Gjatë periudhës së fillimeve të pluralizimit politik dhe deri tani në skenën politike shqiptare kanë funksionuar dhe funksionojnë rreth 16 parti politike.  Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e udhëhequr nga lideri i saj, Nevzat Halili, konsiderohet si bartëse e procesit të pluralizimit, ndërsa më vonë pasojnë edhe dy
partitë tjera, Partia Demokratike Popullore (PDP) me kryetar Iljaz Halimi dhe më pas Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve (PPDSH) me kryetar Arbër Xhaferi, e cila më vonë do të shëndrrojë emrin në PDSH-Partia Demokratike Shqiptare. Në këtë garë politike gjatë periudhës së viteve 94-98 kanë funksionuar edhe dy parti tjera shqiptare, të cilat janë më pak të njohura për elektoratin shqiptar, Partia Liberal-Demokrate Shqiptare e udhëhequr nga Hisen Ramadani, Partia Republikane e Unitetit Popullor me në krye Nevaz Halilin dhe Partia e Aksionit Demokratik- Rruga Islame, në të cilën ishin tubuar kryesisht personalitetet të sferës fetare.
Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 1998 skenës politike iu bashkangjitën edhe parti të tjera politike: Alternativa Demokratike me udhëheqës Asllan Selmani, Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptare me kryetar Besnik Telai dhe Partia Demokratike Kombëtare(PDK) me kryetar Kastriot Haxhirexha, e cila promovoi programin e saj politik për federalizmin e Maqedonisë.
Përveç këtyre subjekteve politike, në skenën politike në mënyrë ilegale kanë funksionuar me rrjetet e tyre edhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Partia e Ballit Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit.
Më pas edhe Alternativa Kombëtare (AK), e Harun Aliut. Një pjesë e këtyre aktivistëve të partive politike kanë zhvilluar politikën e tyre në legalitet dhe ilegalitet dhe se janë ndjekur nga ana e strukturave shtetërore.
Loja aktuale
Në lojën aktuale në skenën politike janë dy rivalet më të forta, BDI dhe PDSH që njëra tjetrën e sheh si konkurrente të fuqishme. Ndërkohë, tendenca për t`u ngritur ka bërë edhe partia RDK.
Demokracia e Re (DR) dhe disa subjekte tjera morën goditje të rëndë në zgjedhjet e fundit dhe se nuk dihet funksionimi dhe fushëveprimi i tyre në të ardhmen e afërm në skenën politike në Maqedoni.
Në skenë aktivë janë edhe partitë që më shumë identifikohen me liderin e tyre, sepse me një strukturë të gjërë, siç janë: Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) me Bardhyl Mahmutin, Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) me Hysni Shaqi-rin dhe PPD-ja me Sefedin Harunin. Por këto parti megjithë kanë ngelur minore, për shkak të mungesës së kushteve dhe ristrukturimit të tyre të vështirë. (INA)