Serbia duke e gjymtuar shtetin e Kosovës përmes pazarit në Bruksel, mprehu sëpatën në këmbët e saja. Ky fakt nuk i shëron dot plagët e Kosovës të shkaktuara nga mosdija dhe mos përkushtimi i klasës politike të Kosovës të sanksionuara përfundimisht me marrëveshjen e Brukselit.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes kryeministrave të Kosovës e Serbisë hapi rrugën që në Ballkan të nisin proceset të cilat kanë mundur të zhvillohen në një rrugë krejt tjetër. Serbia duke e gjymtuar shtetin e Kosovës përmes pazarit në Bruksel, mprehu sëpatën në këmbët e saja.
Tri janë çështjet që e presin Serbinë pas implementimit të marrëveshjes me Prishtinën: Sanxhaku, Vojvodina dhe Lugina e Preshevës.
Natyrisht, ky fakt nuk i shëron dot plagët e Kosovës të shkaktuara nga mosdija dhe mos përkushtimi i klasës politike të Kosovës të sanksionuara përfundimisht me marrëveshjen e Brukselit.
Ajo çfarë klasa politike e Kosovës duhet ta ketë parasysh është se çfarë pritet të ndodhë me fqinjin e saj më të madh dhe më të rëndësishëm dhe të bëhet gati konform këtyre rrethanave.
Gabimet që janë bërë 20 vite më parë më nuk riparohen, por të paktën nuk duhet të përsëriten. Për ta shpjeguar këtë po e jap në vijim shkrimin tim të botuar 18 vite më parë në “Koha e Jonë”, Tiranë, 11.06.1995 dhe “Flaka”, Shkup, 22.06.1995.
Sanxhaku – dështim i diplomacisë shqiptare
Për shtetasit e zakonshëm shqiptarë, Sanxhaku, edhe pse në kufi me shtetin shqiptar është pothuajse emër i panjohur. Aktualisht, Sanxhaku si territor, ndan Serbinë dhe Malin e Zi ndërkohë që kufiri republikan mes Serbisë dhe Malit të Zi kalon nëpër Sanxhak duke bërë kështu që 2/3 e Sanxhakut të jenë nën Serbi kurse 1/3 nën Mal të Zi.
Megjithëkëtë, Sanxhaku ka identitetin e vet politik. Këshilli Kombëtar i Sanxhakut i kryesuar nga Dr.Sulejman Uglanini i ka përcaktuar qartë kufijtë e Sanxhakut dhe harta e tij është shpërndarë nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare që nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së e deri te qeveritë e të gjitha vendeve me peshë në skenën ndërkombëtare. Për ne shqiptarët është me interes të përmendet se kjo hartë përfshin vendlindjet e disa prej personaliteteve më të shquara shqiptare: Plavën (Akademiku dhe poeti Esad Mekuli), Tutinin (shkrimtari Hivzi Sulejmani), Gucinë (Akademik Rexhep Qosja) etj.
Fatkeqësisht, shumica dërmuese e sanxhakasve janë shqiptarë gjysmë të asimiluar. Flasin gjuhën sllave dhe mbiemrat e tyre, që zakonisht janë emra fisesh shqiptare të Veriut, kanë shtesën “iq”. Identitetin e vet politik Sanxhaku ia detyron jo vetëm zakoneve të vjetra shqiptare (të cilat i ruan me fanatizëm), por edhe faktit se nga sërbët e malazezët i ndan feja (janë myslimanë). Kësisoj sanxhakasit gjatë 50 vjetëve të fundit nuk u orientuan as nga Beogradi, as nga Podgorica, por o nga Prishtina o nga Sarajeva.
Me Prishtinën i lidhte gjaku e tradita, ndërsa me Sarajevën feja dhe gjuha (të cilën para 100 vjetëve e konvertuan nga shqipja në sllavishte për shkak të dhunës së ushtruar mbi ta).
Diplomacia boshnjake edhe pse nën katarzin e luftës u tregua më e shkathët se ajo shqiptare. Që në fillimet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë sanxhakasit u deklaruan për shkëputje nga Serbia dhe Mali i Zi dhe për bashkim o me Kosovën, o me Bosnjën. Vitet që pasuan, Sanxhakun më tepër e larguan nga Kosova dhe shqiptarët, e më shumë e afruan me Bosnjën dhe boshnjakët.
Dr.Sulejman Uglanini ka deklaruar në Gjenevë se gjatë takimit me Presidentin Sali Berisha nuk fitoi asgjë më tepër se sa pritjen e ngrohtë e të përzemërt me fjalët “Ju, në Shqipëri e ndër shqiptarë nuk jeni mysafirë, jeni në shtëpinë tuaj”.
Diplomacia boshnjake, edhe pse e ndodhur në katarzin e luftës, u tregua më e shkathët se sa ajo shqiptare.
Tani gjithnjë e më tepër Sanxhaku po del në skenën politike si faktor që më shumë i përket çështjes boshnjake se sa asaj shqiptare. Gjithë ambasadat boshnjake nëpër botë kanë marrë përsipër afirmimin e çështjes së Sanxhakut. Po ashtu faktori Sanxhak po luan një rol të rëndësishëm edhe në vetë Bosnjën.
Luftëtarët më të shkathët dhe komandantët më të shquar në ushtrinë boshnjake janë pikërisht sanxhakasit. Tani kur Perëndimi (e veçanërisht Italia e Gjermania), përmes përkrahjes së forcave indipendentiste në Mal të Zi, po
përpiqet ta shkëpusë Malin e Zi nga Serbia, problemi i Sanxhakut po fiton ende më shumë nëpeshë.
Natyrisht, Sanxhaku nuk paraqet ndonjë faktor të rëndësishëm ekonomik siç paraqet për shembull Kosova, por ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm në aspektin gjeostrategjik. Aktualisht, territoret e Bosnjës në kufi me Sanxhakun kontrollohen nga ana e serbëve të Bosnjës në përjashtim të qytetit të Gorazhdës, i cili është nën mbrojtjen e OKB-së.
Një ndër qëllimet prioritare boshnjake, sipas udhëheqësve të tyre ushtarakë, është shpërthimi në këtë drejtim dhe dalja në Sanxhak. Futja e zjarrit brenda kufijve republikanë të Serbisë do të nxiste reaksione zinxhirore në vet Serbinë dhe Malin e Zi gjë që rrënjësisht do t’u lehtësonte punë boshnjakëve.
Kuptohet, as Kosova nuk ka se si të mbetet jashtë kësaj. Diplomacia shqiptare nuk e ka fuqinë tani t’i parandalojë këto procese. Urti e saj, do të ishte sikur në këto rrethana të jetë sa më e përgatitur për reagime përkatëse.