Të lexosh historinë e nocionit që llafos institucionin e dorëheqjes politike (shqip-tare), nuk mjafton që të jesh politikan, historian, intelektual a diçka tjetër. Ky lexim kërkon diç më tepër, sidomos kur ke parasysh se ky koncept në spektrin politik shqiptar gjatë kohë ka qenë një organizëm i vdekur. Se këtë do ta lexosh me syze me dioptri, se do ta lexosh me a pa tarafe, do ta lexosh mes rreshtash dhe me (jo) korrektesë dhe, së fundi, do ta lexosh me inate e me paragjykime, kjo fare pak ka rëndësi. Sot të dëgjosh një deklaratë, një kumtesë a një fjalim, qoftë ai të jetë edhe politik, nuk mjafton ta dëgjosh me vëmendje, nuk të mjaftojnë vetëm veshët. Me rëndësi është që ta kuptosh mesazhin që del nga ai shkrim a edhe nga mjeshtëria e gojëtarisë. Dhe, kur kjo nuk do të ndodhë, atëherë vetvetiu humbet raporti mes autorit dhe lexuesit, ndërmjet oratorit dhe dëgjuesit. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se vështrimi mbetet thjesht arkaik, ndërkaq retorika do të konceptohet boshe…, ose, së fundi, është një diçka që i përngjan “thesit me kashtë”!
Në këtë vështrim timin të radhës nuk do të shkruaj për vakitë e 23 qershorit të motit 2013, nuk do të shkarravis as për fitoren e socialistëve, as për disfatën e demokratëve, as për zhgënjimin e kryeparit të Partisë Demokratike, nuk do të shkruaj as për lotët e gëzimit dhe ato të dëshpërimit, as për nocionet politike, siç janë: autoriteti, autoritarizmi (despotik), lidershipi…,“fundregjimi”. Nuk do të shkruaj as për nocionet abuzuese: stili i arrogancës politike, injoranca, diletantizmi, mendjemadhësia, diktatura, jotoleranca, egoizmi, provincializmi, egërsia…, nuk do të shkarravis as për mungesën e parimeve të lidershipëve (politikë), as për intuitën e mprehtë të votuesve që kësaj radhe ishte shumë para intuitës së elitës politike, në veçanti të atyre që deri dje kishin pushtet të pakufizuar, nuk do të shkruaj as për sharjet, për ofendimet, korrupsionin, për Gërdecin, 21 janarin e bulevardit, për fjalorin denigrues të kryeparlamentares, zonjës së nderuar Jozefina Topalli, nuk do të shkruaj as për votuesit dhe votat e tyre “…, që dikush sot me të (pa)drejtë i quan vota kopilësh, vota rospish, vota sakatësh, vota të verbërish, vota jetimësh, vota të burgosurish, vota që u shitën për lesh, vota të zhveshurish, vota të gocave të pamartuara, vota të meshkujve që nuk bëjnë seks e të tjera vota”!?…, nuk do të shkruaj për rotacionin politik që ndodhi në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të shkruaj sepse të gjitha nocionet e lartpërmendura, lëre që “shkuan për lesh”, por pse kryekëput janë të anashkaluara, po edhe të harxhuara. Sikur edhe të shkruash këtë, ambienti publik, lëre që nuk do ta lexojë, po as që do ta pranojë si të tillë.
Historianët mund të thonë se institucioni i dorëheqjes politike daton që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemal Bej Vlorës, kur ministri i tij, Mit’hat bej Frashëri, duke qenë i pakënaqur me rezultatet e asaj qeverie, braktisi postin që kishte. Kjo dorëheqje ishte konform natyrës së tij, sa politike, po aq edhe etike. E gjithë kjo ishte edhe një shembull a një leksion i tij për politikanët e ardhshëm se si duhet vepruar. Ai ishte politikani i cili me këtë dorëheqje përcolli mesazhin se asnjeri nuk është dhe që as mund të jetë i abonuar për të qenë i përjetshëm në postin e lidershipit të partisë politike, po edhe në postin e kryeministrit. E gjithë kjo nderoi etikën e tij politike. Me të ikur nga ajo qeveri, ai pos që vazhdoi të bëjë punë të mençura, por edhe hezitoi ta lexojë përrallën që llafoste qëndrimet e tij politike. Një dorëheqje paksa (goxha e vonuar) më ndryshe u duk në kohën kur përfunduan zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Këtë e bëri kryeministri aktual z. Sali Berisha. Gojëkëqijtë, po edhe ca kundërshtarë politik të tij, do të thonë se në ditën “fjalim-dorëheqjes” kinse u hetua agonia e tij politike, sa e mërzitshme, po aq edhe e sikletshme, u hetua dezertimi i tij politik, u hetua lodhja e tij, sa fizike po aq mentale…, kundërshtarët do të vazhdojnë të thonë se “fjalim-dorëheqja” ishte e mbushur plot e përplot me emocione dhe fare pak u dëgjua zëri i arsyes! Në fjalimin e tij u hetua edhe një “gafë politike a shprehje e thënë fare pa vend”!…, ai në asnjë paragraf të tij nuk fajësoji bashkëpunëtorët e tij sa ipërket disfatës së thellë që përjetoi partia e tij. A mos vallë ishte një modesti e tij e tepruar apo një modesti e rreme, a mos vallë deklarata e tij e dorëheqjes nga posti i lidershipit nuk ishte një qëndrim a shfaqje politike sektare apo edhe diç tjetër!?
Mbështetësit politikë të z. Sali Berisha do thonë me plot gojën se nëse je i paanshëm, atëherë duhet të thuash se kryeministri i nderuar dhe i çmuar, vazhdoi promovimin e idesë së institucionit të dorëheqjes politike, duhet të thuash se ai ishte politikani i radhës që iu ngjit listës së politikanëve shqiptarë që respektuan institucionin në fjalë. Sot, ta ironizosh, ta dehumanizosh, ta deemanciposh, ta nëpërkëmbësh, ta përqeshësh, ta keqinterpretosh dhe ta keqkuptosh dorëheqjen e doktorit (po edhe të ndonjë politikani tjetër shqiptar) nga posti i lidershipit të Partisë Demokratike, do të thotë ta abuzosh filozofinë dhe etikën e institucionit: braktisje a dorëheqje politike e vullnetshme (pa porosi a me urdhër). Tekefundit, ky gjykim i matur dhe ky leksion i avancuar politik i z. Berisha, ose kjo “ikje” nuk është vetëm një shprehje e lirë e tij, por është edhe një guxim politik që në spektrin politik shqiptar dhe përreth tij zgjoi kureshtje të veçantë, aq më tepër kur ke parasysh se dorëheqjet e vullnetshme të lidershipëve shqiptarë gjatë kohë kanë qenë tabu temë. Kjo dorëheqje do të rrumbullakohej sikur të ishte kolektive, gjegjësisht largim kolektiv i të gjithë atyre politikanëve që ndërtuan po edhe shembën imazhin e partisë politike në fjalë!? Se e gjithë kjo “dorëheqje” ishte histori apo çast “histerie”, këtë do t’ia lëmë ta thonë të gjithë ata që ishin dëshmitarë të asaj vakie!
Të heqësh dorë nga institucioni që e udhëheq, assesi nuk do të thotë të ndërrosh mendje, bajrak a edhe identitet. Të heqësh dorë nga institucioni nuk do të thotë se do të shkelësh mbi parimet e moralit demokratik, përkundrazi është një gjest a një akt i guximshëm dhe assesi “falimentim” politik. Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën.
EDITOR
11 years ago
previous article
E pranojnë grekët: Po, çamët kanë vuajtur genocidin
next article
Kur'ani-ndriçues i zemrave
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago