Ngritja e kurdëve me ndihmën e SHBA-së në faktorë të rëndësishëm politik dhe ekonomik në Lindjen e Mesme me siguri që paraqet një sfidë të re për Turqinë.
E vetëdijshme për këtë situatë të re, qeveria e Turqisë sot ka filluar iniciativën siç e quan ajo, të demokratizimit, që në të vërtet kryesisht i dedikohet çështjes kurde në Turqi. Por para se të shpjegojë iniciativën kurde të qeverisë është e rëndësishme të jepen dhe disa fakte për sa i përket çështjes kurde në Turqi.
Kurdët e Turqisë për momentin apo për një kohë afatmesme nuk e kanë fatin që të jenë të priveligjuar si kurdët e Irakut, për shkak të interesave gjeostrategjike të SHBA-së në rajon. Të përballur me këtë realitet dhe për arsye të tjera, kurdët që luftojnë kanë zgjedhur disa rrugë për të arritur qëllimin e tyre primar për bashkim të kurdëve dhe ngritjen e shtetit Kurdistan.
Ndërkohë edhe qeveria e Turqisë ka filluar seriozisht të zgjidhë apo jep përshtypjen se përpiqet të zgjidhë çështjen kurde në Turqi. Nëse për konflikt nevojiten dy palë, atëherë edhe për zgjidhjen e atij konflikti nevojiten dy palë. Por për të zgjidhur këtë çështje, me cilën negocion qeveria? Qëndrimi i qeverisë deri më sot për palën që duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes kurde ende nuk është i qartë. Nëse qeveria negocion me përfaqësuesit të PKK-së, të cilët i konsideron terroristë atëherë ajo e thyen parimin ndërkombëtar që thotë se, me terroristët nuk negociohet. Arsyet e këtij konfuzioni mund të kuptohen nëse çështjen kurde në Turqi nuk përpiqemi ta kuptojmë duke e krahasuar konfliktin në mes të arabëve dhe kurdëve në Irak. Pasi në Irak palët në konflikt ishin të ndara qartë dhe për zgjidhjen e atij problemi negociuan arabët si përfaqësues të qeverisë dhe kurdët si përfaqësues të rebelëve.
Por kjo situatë nuk mund të pasqyrohet edhe në Turqi, pasi rrethanat politike në të cilat kanë jetuar dhe jetojnë kurdët ndryshojnë. Ata kanë jetuar brenda së njëjtës Perandori e më pastaj si vazhdimësi e perandorisë brenda së njëjtës Republikë, por me emër dhe sistem politik të ndryshëm. Pra kurdët e Turqisë në vazhdimësi jetojnë brenda të njëjtit shtetit që prej kohës së mesjetës, gjuhë zyrtare e të cilit është turqishtja apo osmanlishtja.
Nga ana tjetër, Iraku pas pavarësisë së vetë nga Perandoria Osmane nuk pati shumë kohë që të arrijë të formojë një identitet të përbashkët kombëtar irakian, më të cilën kurdët dhe arabët do të ndiheshin si një komb. Këtë mundësi e pati Perandoria Osmane e, në vazhdimësi Republika e Turqisë; prandaj ajo ka arritur të krijojë ndjenjën e një kombi tek një pjesë e madhe e kurdëve të Turqisë dhe sot shumë kurd të vetëdijshëm për origjinën e tyre ndihen pjesë të kombit turk dhe përdorin në jetën e përditshme gjuhën turke.
Identiteti kombëtar në një shtet që është i përbërë nga disa etni formohet nëpërmjet asimilimit apo integrimit. Përderisa Republika e Turqisë për formimin e identitetit të saj kombëtar zgjodhi mënyrën e asimilimit, ndaj dhe sfidat për formimin e këtij identiteti të ri ishin dhe janë më të mëdha, por mund të thuhet se kjo formë, si me rastin e Turqisë dha rezultate pjesërisht të suksesshme, përderisa rasti i Irakut dështoi krejtësisht.
Kjo ndodhi pasi kurdët që jetojnë në Turqi nuk patën ndërprerje në shtetësinë e tyre brenda Perandorisë Osmane dhe më vonë të Republikës së Turqisë; sot në bazë të disa statistikave objektive afërsisht 5 milionë kurd përdorin gjuhën kurde në Turqi. Nga këta 2 milionë flasin vetëm kurdisht dhe nuk e njohin gjuhën turke, e të cilët kryesisht i takojnë gjinisë femërore apo janë fëmijë dhe jetojnë në zona të izoluara malore. Shumica e kurdëve në Turqi sot komunikojnë vetëm turqisht, që do të thotë se kemi një asimilim gjuhësor të shumicës.
Ky asimilim gjuhësor është si rezultat i politikës shtetërore ndaj kurdëve, të cilët sidomos pas themelimit të Republikës nuk janë njohur nga shteti si grup etnik e as si komunitet gjuhësor. Kurdët kanë qenë dhe janë ende sot të detyruar që në shkolla të mësojnë vetëm turqisht, përderisa çdo komunikim me organet shtetërore, në ushtri apo në gjykata ka qenë dhe është e ndaluar përdorimi i gjuhës kurde. Në vitet ’80-të gjatë sundimit ushtarak përdorimi i fjalëve kurd dhe kurdisht ka qenë e ndaluar të përmendet në media, në tekstet shkollore, bile është pretenduar dhe është realizuar në disa botime që këto fjalë mos të përmenden as në enciklopedi apo fjalorë. Kurdët janë konsideruar si turk të lindjes.
Për ta shpjeguar më mirë asimilimin gjuhësor të kurdëve do të marrë një shembull hipotetik.
Nëse shqiptarët, që ishin për 500 vjet pjesë e Perandorisë Osmane nuk do të fitonin pavarësi, por do të vazhdonin të jetonin edhe 100 vite të tjera, si pjesë e Republikës së Turqisë, ku gjuha nëpër shkolla dhe e gjithë administrata do të fliste vetëm në turqisht, me siguri që sot shumica e shqiptarëve do të flisnin turqisht.
Por, Republika e Turqisë përveç politikës represive që ka pasur ndaj kurdëve, ajo sistemin e republikës e ka të bazuar në Kushtetutën e saj. Kjo Kushtetutë të gjithë qytetarët që kanë shtetësinë Turke i trajton të barabartë. Kjo do të thotë që çdo shtetas i ka të drejtat dhe detyrimet e njëjta, apo me fjalë të tjera, të gjithë shtetasit pavarësisht etnisë së tyre i kanë të njëjta shanset për shkollim, për t’u punësuar në institucionet shtetërore, të drejtë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur apo të drejtë të banojnë ku të dëshirojnë, brenda territorit të saj. Por për t’i realizuar këto të drejta që i garanton Kushtetuta, kurdët së pari është dashur të asimilohen dhe më pastaj të integrohen në sistem.
Kurdët në dekadat e para të themelimit të republikës nuk kanë pasur të drejtë që të organizohen politikisht ashtu si dhe ata turq, që nuk kanë ndarë të njëjtën ideologji me partinë e Mustafa Kemalit.
Pas luftës së Dytë Botërore fillon gradualisht, por ende i limituar sistemi shumëpartiak në jetën politike në Turqi dhe, kurdët si komunitet pa organizim politik integrohen në partitë turke si votues pasiv dhe aktiv. Kurdët në këto parti nuk luajnë vetëm rolin e votuesve, por ata kandidohen dhe zgjidhen në të gjitha funksionet e mundshme shtetërore.
Në jetën politike të Turqisë, pasi fillon në praktikë sistemi shumëpartiak, kurdët udhëheqin komunat apo ministritë, ata zgjidhen deputet si dhe kryetar shteti. Edhe pse me prejardhje kurde, shumica e politikanëve që udhëheqin institucione të larta shtetërore dhe që kanë fuqi vendimmarrëse, veten e konsiderojnë si qytetar lojalë të Turqisë dhe nuk e shprehin shqetësimin e tyre për politikën asimiluese, që shteti në vazhdimësi e praktikon kundrejt kurdëve. Këto janë tregues se një pjesë e madhe e kurdëve e kanë pranuar sistemin e Turqisë me apo pa dëshirë.
Është fundi i viteve 70-të kur disa intelektual kurd të shkolluar, kryesisht në universitetet turke të vendit organizohen politikisht dhe formojnë partinë e PKK-së. Kjo parti si qëllim kryesor kishte avancimin e lirive dhe të drejtave të kurdëve dhe njohjen e identitetit të tyre; paraqitet si parti me planprogram marksist. Orientimi komunist i partisë ka të bëjë me faktin se këta intelektualë në atë kohë si prioritet të veprimit të tyre politik kanë paraparë reformën agrare, që është e nevojshme të bëhet në rajonet e banuara me kurd, apo me fjalë të tjera ç’rrënjosjen e sistemit feudal që mbizotëron ende në disa rajone dhe ndarjen e tokës fshatarëve.
Por, pas veprimit të shkurtër politik të PKK-së kjo parti u ndalua, ndërsa disa anëtarë të saj filluan luftën guerile kundër sistemit ushtarak që sundonte në atë kohë. PKK-ja u shpall organizatë terroriste dhe me lobim të Turqisë, edhe SHBA-ja dhe BE-ja e konsiderojnë atë organizatë terroriste. PKK-ja dhe sot vazhdon luftën e saj guerile, luftë që e ka filluar para 26 viteve.
Përderisa vlen parimi se me terroristët nuk negociohet atëherë edhe negocimi me PKK-në është tabu. Ndërkohë kurdët janë organizuar politikisht në parti të tjera legale, duke respektuar proçedurat ata marrin pjesë në proçesin zgjedhor me përfaqësuesit e tyre kurd. Këto parti, që shpesh i ndërrojnë dhe emrat për shkak të pengesave administrative që iu krijon shteti, kanë përkrahjen indirekte të PKK-së. Organizimi politik i kurdëve brenda sistemit politik është i domosdoshëm, pasi zgjidhja e çështjes kurde nuk mund të zgjidhet me luftë.
Që PKK-ja të mund të arrijë të ketë kontroll në rajonet e Turqisë Juglindore, do t’i duhet të ketë me qindra mijëra ushtarë, përderisa PKK-ja gjatë viteve të sajë më euforike ka pasur 15 000 ushtar dhe sot mendohet se numëron diku tek 5 000 ushtar. Për shkak të numrit të vogël të ushtarëve dhe armatimit të lehtë tokësor që përdorin, është e pamundur për ta që të marrin territore kundrejt një ushtrie, që përveç aviacionit dhe artilerisë moderne ka në dispozicion 700 000 ushtarë të disiplinuar dhe mbi 50 000 milicë lokal kurd, të cilët janë nën kontroll të ushtrisë së rregullt. Për shkak të këtyre rrethanave, taktika e luftës guerile e PKK-së vepron me metodën e sulmit në brendi të territorit të Turqisë dhe largimit në pjesët malore të izoluara, apo dhe kalimi i kufirit për në Irakun Verior (Kurdistan). Numri i pakët i ushtarëve të PKK-së krahasuar me numrin disa milionëshe të kurdëve në Turqi, nënkupton se shumica e kurdëve nuk e përkrahin dhunën për avancimin e të drejtave natyrore për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës kurde.
Por dhe ky përfundim i imi, i bazuar në argumentin e numrit të vogël të ushtarëve të PKK-së nënkupton se shumica e kurdëve nuk e përkrahin PKK-në, nuk mund të jetë përfundim absolut, pasi jo secili është i gatshëm që të kapë armën dhe me armë të kërkoj të drejtat kolektive. Vetëm ky argumentim nuk do të ishte i mjaftueshëm, prandaj për të argumentuar përfundimin tim është e nevojshme të japë argument më të qëndrueshëm.
Edhe pse përkrahja për PKK-në e pakicës e jo e shumicës së kurdëve, për disa është e diskutueshme apo e kontestueshme, do të japë një rast që besojë të argumentojë këtë konkluzion. Shumica e kurdëve janë të integruar në sistemin politik dhe nuk e përkrahin politikën e PKK-së, pasi siç edhe e vlerësojnë atë, PKK-ja lufton për përçarjen e Turqisë dhe shkëputjen e një pjese të territorit të saj. Shumica e kurdëve e dëshmon këtë qëndrim në zgjedhjet parlamentare. Sistemi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare parasheh që, partia politike që merr nën 10% nga numri i përgjithshëm në zgjedhje, mbeten pa asnjë përfaqësues në Parlament, edhe pse numri që një parti politike gjatë zgjedhje-ve mund të merr qindra, mijëra vota.
Pas fillimit të sistemit shumëpartiak, në praktikë partitë politike prokurde me përkrahje indirekte të PKK-së kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare disa herë, por deri më sot nuk ka arritur që ta tejkalojnë pragun apo kuotën prej 10% të votave. Si rezultat i këtyre dështimeve, partitë prokurde kanë mbetur jashtë Parlamentit dhe nuk kanë arritur që të bëhen forcë e vërtet në jetën politike të Turqisë, me qëllim për t’u bërë pjesë e pushtetit dhe në proçedurë legale të punojnë për arritjen e qëllimit të tyre. Nëse shumica e kurdëve që votojnë do të kishin përkrahur me votën e tyre partitë politike prokurde, me lehtësi ajo parti do të kishte tejkaluar pragun prej 10%, por ato nuk i votojnë pasi shumica e kurdëve janë të integruar në parti të tjera.
Por nuk është i vetmi shkak se shumica e kurdëve nuk i voton partitë prokurde dhe ato nuk arrijnë të tejkalojnë pragun prej 10%. Ndaj mendimin që partia politike prokurde ka kapacitet që të tejkalojë këtë prag, por për shkak të arsyeve të ndryshme dhe parregullsive zgjedhore pamundësohet kjo. Arsyet kryesore janë:
1. Partia prokurde nuk ka hapësirë të mjaftueshme në media, që të shpalosë planprogramin e saj, që do të thotë se pa media të lira nuk ka dhe zgjedhje të lira.
2. Për shkak të luftimeve që ndodhin në zonat kurde, këto 30-të vite shumë kurd janë dislokuar nga fshatrat e tyre dhe, si refugjatë të brendshëm e shpesh për shkaqe administrative nuk munden ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Kjo kategori e qytetarëve që janë direkt të prekur nga konflikti janë potencial i mundshëm votuesish për partinë prokurde.
3. Në fshatrat kurde, në zonat që janë në konflikt ekzistojnë milicë lokal të financuar nga shteti, të cilët dinë t’iu bëjnë dhe presion votuesve lokalë kurd.
4. Vetëdija për identitetin kurd për shkaqe që mbështeten në shumë rrethana ende është e ulët.
Të përballuar me këtë realitet partia prokurde, përkrahëse indirekte e PKK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare edhe pse nuk e kaloi pragun prej 10% shfrytëzoi zbrazëtirat ligjore dhe taktikën politike për të formuar grup parlamentar. Në fakt përfaqësuesit e saj nuk u kandiduan në listë të përbashkët gjatë zgjedhjeve, por ata veç e veç u kandiduan si deputetë të pavarur, të cilët pasi u zgjodhën, u bashkuan në Parlament dhe kaluan minimumin e 20 deputetëve për të formuar grup parlamentarë. Si rezultat i kësaj taktike politike, sot një pjesë e kurdëve në Parlament është e përfaqësuar dhe, ata nëpërmjet proçedurës legale mund të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes kurde dhe avancimin e pozicionit të kurdëve në shoqëri. Ata tash mund të japin legalisht ndihmën për mbarimin e konfliktit dhjetëra vjeçar.
Por në këto vite të qeverisjes së AKP-së, të drejtat e kurdëve kanë avancuar. Në vitin 2009 radio-televizioni shtetëror hapi program të veçantë në gjuhën kurde. Gjatë urimit për fillimin e transmetimit të këtij programi, Kryeministri ua urojë atë në gjuhën kurde. Ky akt i Kryeministrit ishte i paparë në historinë e Republikës, pasi politika zyrtare shtetërore e mohonte ekzistencën e kësaj gjuhe, të cilën e flasin me miliona qytetarë të Turqisë. Ai po ashtu ka lejuar hapjen e katedrave nëpër universitete, që merren me studimin e gjuhës dhe kulturës kurde. Po ashtu ka paralajmëruar kthimin e emrave të vjetër të disa qyteteve, të cilët pa të drejtë janë riemëruar për shkak se kanë tingëlluar kurdisht.
Këto janë masa shumë të vogla për t’u ndërmarrë, me të cilat mund të shpresohet të zgjidhin konfliktin, por me siguri ky është një fillim i ri për politikën dhe qasjen e çështjes kurde.
(Ky shkrim është pjesë e librit “Sfidat e Turqisë” nga Frymzim Dauti, botuar në vitin 2010).
EDITOR
12 years ago
previous article
Politikanët gjermanë mbështetën fushatën e “Islamic Relief”
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago