Teknologjia u ka ofruar mënyra të reja lexuesve që të kënaqen me libra. Por, trendi i ri në Uashington është një retro mjaft mahnitës: “biblioteka të vogla” të mbushura me libra, të vendosura para dyerve dhe portave të shtëpive, kanë filluar të paraqiten e të shtohen çdo ditë.
Nuk ka katalog dhe nuk është i nevojshëm anëtarësimi. Këto biblioteka joformale punojnë sipas parimit: “merreni një libër, lëreni një libër”.
“Vitin e kaluar na kanë arritur 11 libra të rinj”, ka deklaruar Kevin Sulivan, i cili mini bibliotekën e tij e ka hapur në vitin 2011 në Bethesda, një paralagje e Uashingtonit.
“Ato ishin dhuratë për bashkëshorten time e cila lexon shume”, ka shpjeguar ai.
Kevin çdo javë kishte vendosur rreth 30 libra në një kuti druri në formë të shtëpisë, të cilën e kishte vendosur në hyrje të oborrit.
Gjysma e tyre janë libra për fëmijë. Meqë Sullivan me bashkëshorten jetojnë afër shkollës, kanë menduar që do të ishte e shkëlqyeshme nëse prindërit dhe nxënësit “do të vinin në bibliotekë për të marrë ndonjë libër”.
“Mini biblioteka” e parë është paraqitur në vitin 2009 në qytezën Wisconsin, kur Todd Bol kishte menduar mënyrën se si të nderonte bujarinë e nënës së vet mësuese, që sapo kishte vdekur.
Ai kishte ndërtuar një kuti të vogël në formë të shkollës dhe e kishte mbushur me librat e prindërve të vet, në të cilën kishte shkruar “Libra falas”.
Shumë shpejt edhe fqinjët e tij kishin bërë të njëjtën gjë, duke vendosur “mini biblioteka” para shtëpive të veta. Biblioteka të tilla tani hasen edhe në vende të tjera, si në Ukrainë dhe Pakistan.
Muajin e kaluar, Bol ka dërguar për në Ganë rreth 20 biblioteka të vogla.
Prej “mini bibliotekës” së tij tani mund të numërohen rreth 15.000 biblioteka në 55 vende të botës, ndërsa për çdo muaj paraqiten rreth 1000 biblioteka të reja.
Shumë mini biblioteka duken si shtëpiza për zogj, por ka edhe të tilla që ngjajnë me orën, robotin, një tjetër me teatër…
Për Philip Vahab instalimi i mini bibliotekës para shtëpisë nuk kishte shumë të bënte me librat, sa ishte për dëshirën e tij për tu lidhur me fqinjët.
Fqinjët e kishin ndihmuar për ta paguar dhe për ta vendosur bibliotekën në janar, njëra prej të parave në Uashington. Vahab pranë bibliotekës ka vendosur edhe një stol që kalimtarët të mund të ulen për të lexuar ose edhe vetëm për të bërë muhabet.
Një 38-vjeçar ka deklaruar se pothuajse çdo ditë i vjen një libër i ri. Shumica prej tyre janë libra politikë, sepse në kryeqytetin e ShBA-ve njerëzve u intereson politika, thotë ai.
Në afërsi të kopshtit zoologjik, studentja Erin Astarr (19) ka marrë libra për fëmijët që i ka në kujdes.
“Kjo është një mundësi e mirë për komunitetin që të mblidhet, të ndajë përvojat dhe të edukohet”, ka thënë ajo.
Bibliotekarja kryesore në Uashington, Ginnie Cooper thotë se është e kënaqur sepse kutitë me libra po mbijnë në gjithë qytetin.
“Të ndash libra, qoftë në bibliotekë të vogël ose në atë publike, është edhe një tregues se Uashingtoni është qytet i lexuesve”, ka thënë ajo.
Elinor Kotchen në njërën prej mini librarive të qytetit shprehet e gëzuar që kishte gjetur një libër për djalin e madh. “Tani më duhet të sjell një libër tjetër që ta kthej shërbimin”, ka thënë ajo.
(KultPlus.com)