Shkëndija e Tetovës edhe nga një udhëtim u kthye duarbosh. Të dielën, kuqezinjtë janë dorëzuar përballë Metalurgut në stadiumin e lagjes “Autokomandë” në Shkup, ku janë mundur me rezultat 2-0. Ishte kjo disfata e pestë në sezonin e sivjetmë. Në ndeshjet si mysafirë nuk duhet llogaritur derbin e fituar me Renovën, sepse ajo ndeshje është luajtur në stadiumin e qytetit në Tetovë.
Tani parashtrohet një pyetje e thjeshtë se kujt mund t’i hedhet faji kur skuadra shënon rezultate negative?
Natyrisht se për këtë gjë të gjithë e drejtojnë gishtin tek lojtarët dhe trajneri, në këtë rast Gjore Jovanovski, të cilit s’i dihet që edhe sa kohë i duhet që të rrëmbej një fitore jashtë Tetovës. Tash për tash, ai është një nga trajnerët më të dështuar që ka pasur ndonjëherë Shkëndija, një trajner që nuk po di t’ua gjej vendet lojtarëve në formacion. Ai ndoshta është trajner me përvojë, por te Shkëndija nuk po e tregon vetën. Nën drejtimin  tij Shkëndija, pas 14-të javëve të zhvilluara, gjendet në pozitën e rrezikshme të renditjes tabelore –të nëntën me 4 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje me 17 pikë të tubuara, një vend që nuk të garanton gjumë të rehatshëm në vazhdim të garave.
Tifozët e Shkëndijës si dhe dashamirë të saj të tjerë të shumtë kanë filluar ta humbin durimin, duke mos e pasur të qartë se çka po ndodh me klubin e tyre jashtë Tetovës. Futbolldashësit me të drejtë pyesin: A është ai trajner dhe ata lojtarë që gjunjëzuan Vardarin, Renovën e të tjerë në Tetovë, ndërsa si mysafir nuk janë as hija e tyre.
Gjithsesi, humbja e së dielës ka mërzitur të gjithë sportdashësit e Shkëndijës, që besa janë në numër të madh, ndërsa edhe më shumë tifozët e saj besnik, “ballistët”, të cilët e ndoqën edhe në ndeshjen e fundit kundër Metalurgut ashtu sikur në ndeshjet tjera si mysafire, por që u kthyen të zhgënjyer nga rezultati përfundimtar, nga angazhimi i lojtarëve në fushën e lojës, por edhe nga taktika e trajnerit Jovanovski.
Nga rezultatet e deritanishme me siguri janë të pakënaqur edhe drejtuesit e klubit. Dhe, nëse vazhdon ky avaz i këtyre rezultateve, atëherë kryesia e Shkëndijës do të jetë e detyruar që në afatin e janarit të intervenoj në gjetjen e alternativave të tjera, duke nisur nga trajneri Jovanovski. (Lajm)