Shkolla e Ramazanit në pastrimin e zemrave
Shumë shpesh, besimtarët apo besimtaret e gjejnë veten në mesin ku jetojnë, veprojnë e punojnë jo aq të vlerësuar. Mundi, përpjekja, kontributi dhe të mirat e tyre nuk vlerësohen nga të tjerët dhe jo rrallë kjo atyre u jep një ndjenjë jo të këndshme.
Nëse kthehemi në historinë e profetëve dhe mësimet kuranore, ne shohim se ekzistojnë dy pole të ndryshme të veprave, njëra, veprat që bëhen sinqerisht vetëm për hir të Allahut dhe tjetra, na ruaj Zot, veprat që bëhen për t’u vlerësuar nga njerëzit.
Larg kuptimit jo të drejtë, kjo nuk don të thotë se ne nuk kemi nevojë për vlerësim, sepse krijesën njerëzore e gëzon fjala e mirë dhe vlerësimi, dhe natyrisht duhet ta bëjmë pjesë të edukatës që të vlerësojmë njerëzit, por, veprimtaria jonë jetësore dhe veprat që bëjmë të mos jenë me qëllim që të gjejmë vlerësim nga njerëzit, por ato vepra t’i bëjmë për hir të Allahut.
Pse agjërimi është shkolla më e mirë për të pastruar nijetet tona? Duke e ditur se agjërimi është përshkruar si adhurim i cili nuk mund të ketë në vete syfaqësi dhe nuk do të qëndronte askush i uritur për hirë të ndonjë njeriu ose vlerësimi nga dikush, atëherë i bie që ky adhurim, pra agjërimi, për hir të Allahut, është ushtrimi tridhjetë ditor i zemrës për të bërë veprat për hir të Tij e jo për hir të njerëzve.
Imagjinojeni një agjërim të përpiktë me namaze të rregullta, namaz të natës, lutje, përmendje të Allahut, lexim Kur’ani e adhurime tjera se sa do e qetësonte zemrën tonë.
Në fund, cilat janë dobitë që ne të bëjmë veprat vetëm për hir të Allahut?
E para, është kusht për shpërblimin e Allahut, sepse nëse e bëjmë të gjejmë vlerësim nga njerëzit, shpërblimi nga Allahu do të humbet!
E dyta, çdo herë do të ekzistojnë njerëz që nuk vlerësojnë veprat, mundin, përpjekjet dhe mirësinë, qofshin veprat aq të pastra e të ngritura, njësoj siç ka ekzistuar ky fenomen edhe në kohën e të dërguarve të Allahut, prandaj nuk duhet shqetësuar aq shumë!
E treta, bërja e veprave të mira për hir të Allahut, mundëson edhe arritjen e shpërblimit te Allahu, e me këtë poashtu edhe vlerësimin nga njerëzit e duhur, vlerësimi i të cilëve do të jetë mbështetje në proceset jetësore.
Pra, njëra ndër shtyllat e agjërimit dhe me këtë të Ramazanit, është që të vendosim një lidhje aq të fuqishme me Allahun sa që, të gjitha veprat që i bëjmë, t’i bëjmë me nijet të pastër dhe për hir të Tij.
Me këtë vijmë në përfundim që Ramazani është trajnimi më i mirë i pastrimit të zemrave tona!
Valon ELEZI