Nuk ka më keq kur heshtja bëhet rregull dhe padrejtësia parim! Duket se kjo moto prej kohësh i ka mbërthyer shqiptarët dhe assesi të dalin prej kornizave të saj. Ky anatemim vjen nga ne, vjen nga ata që do të duhet kujdesur për ne. Shqipëria, Kosova, pjesa shqiptare në Maqedoni dhe, sidomos muajin e fundit, Lugina e Preshevës, po kalojnë përmes një testi të rëndë, rezultatet e të cilit dukshëm do ta rëndojnë historinë! Hamendja politike, që ka marrë për bazë këtë status quo të veprimit, duket qartë se do të lë pasoja për brezat e ardhshëm që do të duhet ta evokojnë këtë periudhë të trishtë. Ndërkohë që institucionet dhe autoritetet shqiptare, me përjashtime të vogla, nuk shfaqin ndonjë ndërgjegje që do t’i kalibronte nevojat politike në përputhje me zhvillimet rajonale të Ballkan.
Të zhytur thellë në ëndrrat e dekadës së fundit kur kishim pas vete mbështetjen e gjithë botës demokratike, lidershipi tundë mendjen e qytetarëve me kreditë politike dhe diplomatike, të fituara përmes luftërave të pastra, të paguara me gjakun e mijëra të rinjve e të rejave, pleqve e fëmijëve. Kjo sjellje anakronike sot para nesh po krijon zhgjëndrrën më të keqe, të cilën askush nuk do të mund ta besonte. Ndërsa liderët politikë, në të shumtën e rasteve, akuzojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe, se kanë “rrokur” dioptrinë e gabuar ndaj edhe nuk mund t’i shohin të bëmat e kësaj klase politike që po menaxhon me fatin e 7-8 milionë shqiptarëve.
Shkulja e lapidarit në Luginë të Preshevës dhe de facto pranimi i autonomisë substanciale për serbët e veriut të Kosovës është treguesi më i mirë se ku jemi sot. Këto dy gjëra janë instrumenti më i mirë që do të na tregonte neve sot dhe të bindte brezat e ardhshëm se ku jemi apo ku do të jemi në dekadat që vijnë. Ndonëse tashmë duket qartë se askush nuk brengoset për interpretimet që do të bëhen në të ardhmen.
Në një situatë të këtillë ata që veten e quajnë normalë, e kanë patjetër të gjykojnë drejt dhe ta thonë të vërtetën, qoftë ajo e dhimbshme! Rrjedhimisht, ndodhitë në Preshevë dhe vendimi nga “dialogu” në Bruksel janë sihariq i mirë për të gjithë ata që nuk kanë besuar se devijimi nga ideali mund të shkojë deri në këtë shkallë. Premtimet e dhëna në 100-vjetorin e pavarësisë se ky është shekulli i shqiptarëve dhe se çdo cep i shqiptarisë do të jetë nën mbrojtje, pa kaluar dy muaj të plota u panë se janë fjalë boshe! Dëshmi më e mirë e gjithë kësaj është marshimi triumfal i forcave serbe nëpër qytetin e shqiptarisë, siç kanë dëshirë ta quajnë liderët politikë kur bëjnë patriotizëm patetik.
S’do mend se ka hapësirë edhe për optimizëm, por për momentin, diçka e tillë duket larg…, sepse asnjë politikan deri më tani nuk ka pranuar t’i bëjë recension veprimit të vet.
Në vorbullën e këtyre zhvillimeve padyshim janë edhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilët tashmë janë shndërruar në strukturë amorfe të politikës shtetërore. Arsyetimi i lidershipit shqiptar se “neve nuk na bëhet vonë se çfarë bëjnë maqedonasit mes vete”, paraqet folklorizëm që do të duhej të kishte zënë vend vetëm në fillim të viteve të ’90-ta. Por, ja që edhe sot, dëshira e flaktë për të qenë në pushtet ka sjellë këtë “heshtje statujash” ndër shqiptarët. Ndërkaq, të mos bëzash karshi këtyre tensioneve, nuk do të thotë zgjidhje të problemeve, por fshehje të tyre. Dhe, të fshehësh një të vërtetë nuk do të thotë se ajo nuk ekziston. Kjo flet se në të shumtën e rasteve as që e dimë se çfarë duam! Sa cinikë që jemi?!
Kështu, shqiptarët para botës krijojnë një përshtypje të rrejshme se janë të urtë! E, në fakt, më shumë se kurdoherë kemi nevojë t’u prijmë proceseve para se dikush t’i nisë. Në të kundërtën, Daçiqi nuk do të ndalet vetëm me kaq!
EDITOR
12 years ago
previous article
Metodologjia profetike dhe problemet sociale
next article
Informatori i FRI-së – 1
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago