Gjendemi në muajin e Ramazanit, një muaj i veçantë prej muajve të tjerë. në të cilin besimtarët mysliman e kalojnë në agjërim gjatë këtyre ditëve të nxehta verore kudo nëpër botë, njashtu edhe këtu tek ne në Kosovë.
Sikurse shkenca e së drejtës që përbëhet prej burimit material dhe burimit formal, edhe organizmi i njeriut përbëhet prej formës shpirtërore dhe materiale, të cilat së bashku këto dy komponente krijojnë një tërësi unike të qenies njerëzore. Shpirtërorja dhe materialja, nuk mund të mbijetojnë njëra pa tjetrën, e në rast se njëra prej tyre më pak zhvillohet, më pak është funksionale, më pak është aktive në krahasim me tjetrën, atëherë vjen deri te çrregullimi i kësaj tërësie, rezultat i së cilës është ngecja apo mbetja prapa, qoftë e shpirtërores apo e materiales, e kjo sjell pabarazi, e cila ka pasoja sepse shkakton dobësi të shumta, të cilët ndikojnë në konstruktin trupor të njeriut si tërësi dhe e shndërrojnë atë në subjekt nga i cili nuk priten rezultate inkurajuese dhe të dobishme në funksion të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë njerëzore. Të dyja këto forma, si shpirtërorja ashtu edhe materialja, duhet të funksionojnë në mënyrë të përsosur, duke plotësuar njëra tjetrën, për të arritur njeriu si tërësi të mund të jap kontributin e tij maksimal dhe të çojë përpara shoqërinë njerëzore.
Në vend se të funksionojë organizmi i njeriut me të dyja format përbërëse të saj, shpirtërores dhe materiales, si një tërësi unike, në të cilin të dyja së bashku funksionojnë dhe bashkëveprojnë dhe mbajnë një baraspeshë harmonie, për fat të keq, në botën myslimane në përgjithësi e në botën arabe në veçanti, shpirtërores i është kushtuar vëmendja me madhe kundrejt materiales, e cila si e tillë është anashkaluar, dekurajuar kundrejt shpirtërores, dhe rezultat i kësaj është pozita aktuale e tanishme shumë e vë- shtirë e myslimanëve sot në përgjithësi në planetin tokësor në të cilin jetojmë dhe veprojmë. Besimtarët mysliman anës shpirtërore i kushtojnë rëndësi tejet të madhe duke u angazhuar dhe në vepër e aplikojnë besimin e tyre të shprehur nëpërmjet faljes së obligueshme të namazeve ditore, javore, mujore, vjetore, por edhe namazeve tjera shtesë fakultative, agjërimit të obliguar të muajit të Ramazanit, por edhe agjërimin shtesë të ditëve tjera të preferuara fakultative, shkuarjes së preferuar në Qabe, dhe fakultative të Umres, e shumë angazhimeve tjera vullnetare të pëlqyera, të cilët me të vërtet është një kënaqësi e veçantë për besimtarin mysliman i cili i zbaton këto në praktikë, dhe të cilat sjellin rehati dhe qetësi shpirtërore trupit të njeriut. Por, këtë vullnet dhe këtë zell që besimtari mysliman i kushton anës shpirtërore, do të duhej të kushtojë edhe anës materiale duke ja dhënë të njëjtën përkujdesje sikurse anës shpirtërore. Besimtari mysliman duhet të jap kontributin e tij maksimal në vendin e punës ku punon, maksimumin e tij në lexim, mësim dhe studim, jo vetëm atë që e ka të obliguar, por duhet edhe të jap kontributin shtesë për të zgjeruar horizontet e dijës. Nuk është e mjaftueshme të mësojë apo të studiojë vetëm sa për të marrë notë kaluese, por ai duhet të zgjerojë mësimet dhe studimet drejt dijes që është e nevojshme sa më shumë drejt përparimit dhe zhvillimin e intelektit të vet si dhe drejt avancimit të shpikjeve dhe kërkimeve hulumtuese shkencore, teknike, teknologjike, informative, zhvillimore, ushtarake,etj., dhe këtë dije të kërkojë kudo që mund të arrijë, në institute, universitete, laboratore, biblioteka, kudo qofshin nëpër botë. Edhe gjatë punës së përditshme në profesionin e vet që e ushtron dhe punon duhet të jap kontributin e tij maksimal që punën të cilin e kryen të jetë perfekte për vetën e tij dhe për shoqërinë me të cilin është duke bashkëjetuar. Njashtu edhe në sjelljet e tij ndaj të tjerëve duhet të tregojë respekt të thellë për pikëpamjet dhe mendimet tjera, qofshin ato edhe të kundërta me mendimet dhe perceptimet e tij të besimit, mënyrës së jetesës si dhe këndvështrimit të tij jetësor. Ka obligim t’i kushtojë rëndësi dhe të kontribuojë në mbrojtjen dhe pastrimin e ambientit të cilin e ndanë si individ me bashkësinë e gjerë shoqërore.
Por këtu bota myslimane në përgjithësi dhe bota arabe në veçanti ka ngecur, ka mbetur prapa, nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur dhe të nevojshme anës materiale, si pasojë e së cilës është ngecja prapa me të madhe në krahasim me civilizimin perëndimor, i cili ka arritur majën e zhvillimit të tij, i cili i kushton maksimumin e tij anës materiale të tij, ndërsa pjesës shpirtërore të saj i kushton shumë më pak rëndësi, e që është njashtu një disbalancë në llogari të materiales, por kjo është një temë tjetër në vete për të cilin këtu nuk do të merrem tani, por do të shkruaj në një rast tjetër për këtë fenomen prezent aktual në civilizimin perëndimor. Realiteti i tanishëm në botën islame në përgjithësi e në botën arabe në veçanti edhe në disa aspekte parimore fetare është tragjik dhe e papranueshme për logjikën njerëzore. Veprimet e tilla janë kundrejt interpretimit racional dhe logjik të parimeve islame si rezultat i leximit, mësimit dhe studimit të cekët dhe të mangët të njohurive fetare, e mos të flasim për njohjen e përgjithshme universale materiale, “si dhe të ndjekjes së atyre ideologëve dhe propagandueseve mendjelehtë, të këndvështrimeve dhe perceptimeve të tyre të skajshme ekstreme dhe aspak racionale, e që angazhohen për dekulturimin sistematik të civilizimit islam, largimin e traditave popullore, shkatërrimin e trashëgimisë së pasur kulturore fetare gjatë shekujve, qëllimi final i së cilës është tërheqja e civilizimit islam nga konteksti historik”.
Këto karakterizohen me një skepticizëm të paparë kundër interpretimit racional të burimeve të islamit,” kundër lirisë dhe pluralizmit të interpretimit të Islamit, duke vepruar për një interpretim të ngurt të Islamit, për atë është e papranueshme dhe e dëmshme filozofia islame, arti islam, misticizmit islam e kështu me rradhë”.
Civilizimi perëndimor në kohën e tanishme është në stadin më të lartë të arritjes së tij të zhvillimit dhe këndvështrimit të tij material, ashtu që ka mbërrit në atë fazë që : ” NSA-ja çdo individ që është në planetin tokësor është në gjendje që kur të dojë të dëgjojë, të përgjojë, të gjitha bisedat telefonike, qoftë fikse apo celulare, sms-at, e-meilet, rrjetat sociale, bisedat në Skype, qoftë live apo të shkruara, e të tjera”, ndërsa në aspektin ushtarak ka mbërri në atë fazë sa që të konstruktojë: ” Freescale-ja ka prezantuar mikroprocesorin më të vogël botëror KLO2, me dimensione 1,9mmx2 mm i cili përmban, RAM-in, ROM-in dhe orën. I vogël, por ky mikrokontrollues ka çelësin për taktikën gjithëpërfshirëse të luftimit bashkëkohor:
a) dronat më të vogla se fluturat me teledirigjues të largët ose të pavarur për misionet mbikëqyrëse apo të ekstradimit të helmit biologjik. Lehtësia e tyre iu mundëson fluturimin më të gjatë apo edhe mbushjen e tyre solare.
b) mikrosatelitët të menaxhuar, mininëndetëset të cilët mund të menaxhohen sikurse dronët ose të veprojnë vetvetiu, Mund të përcjellin dhe të gjuajnë sistemet më të mëdha të armatosura, e që janë tepër të imta që të mund zbulohen nga satelitët spiun”. Ky lloj armatimi i mikro sofistikuar është armatimi që do të përdoret në luftërat që do të zhvillohen gjatë shekullit XXI. Posedimi dhe pajisja e armatimit të sofistikuar dhe me raketa të dirigjuara e të shkrepura nga aeroplanët luftarak izraelit gjatë këtyre ditëve po bënë kërdi në caqe të panumërta në Gazë, nga agresioni izraelit i tillë i shumëfishtë pësojnë me qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur, kryesisht shumica e të cilëve janë civilë, dhe atë gra, fëmijë e pleq, përkundër raketave të shkrepura nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik të cilët akoma janë në fazën fillestare të zhvillimit të tyre, dhe se efekti i tyre veprues është pothuajse minimal, kryesisht duke rënë në ambiente të hapura, apo aty këtu duke sjell shkatërrime të vogla, në të mira materiale, apo në njerëz. Ky është vetëm një shembull i asaj që mbretëron aktualisht në botën arabe, kjo mospërputhje apo pabarazi është rezultat i kësaj gjendjeje momentale.
Po tragjedia më e madhe me të cilin ballafaqohet bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti, është se jetojmë në kohën në të cilin është parashikuar periudha gjatë së cilës do të kalojë shoqëria (ummeti) myslimane, në saje të thënies profetike të të dërguarit tonë të dashur, profetit Muhamed:
“Para Kiametit (kataklizmës) do të paraqiten shumë vrasje, por jo vrasje të pa besimtarëve (jo myslimanëve), por vrasje mes pasuesve të mi, kështu që personi do ta takojë vëllanë e vet dhe do ta vras. Nga shumica e njerëzve në atë kohë do të ngrihet mendja, do të pasohen ata që janë mendjelehtë dhe shumica do të mendojnë se janë në të drejtë, ndërsa ata nuk do të jenë në të drejtën!”.
Shembull i ngjashëm i këtij parashikimi profetik është ngjarja që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, me rastin e depërtimit të ISIL-it në Irak, ku:
” pas zënies rob dhe të dorëzimit të tyre , 1400 ushtarë dhe civilë janë ekzekutuar( vrarë), pa kurrfarë gjykimi paraprak, si dhe 300 të burgosurit që ishin duke vuajtur dënime për vepra të kryera, janë vrarë, edhe pse të gjithë ata i kanë pas emrat Muhamed, Ali, Hasan, Hysen, etj, që do të thotë të gjithë kanë qenë mysliman”, e që ky akt i kryer kriminal është kundër çdo logjike njerëzore, çdo kodi moral, çdo parim fetar islam, kundër Konventave të Gjenevës dhe Protokoleve shtesë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, si dhe kundër rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare. Humanitare Zakonore, që lirisht mund të cilësohen si krime të kryera gjatë luftës kundër civilëve, të zënëve rob dhe të burgosurve.
Në fund të kësaj qasjeje më mbetet të përfundoj me një dua, lutje, Krijuesit Fuqiplotë që këto luftërat që po ndodhin gjatë këtyre viteve në botën islame në përgjithësi e në botën arabe në veçanti të përfundojë sa më parë, se me mbet në dorë të liderëve, udhëheqësve, “halifit të vetëshpallur”, ideologëve’’ mendjelehtë e që pasohen nga shumica të cilët mendojnë që kanë të drejtë” dhe janë në rrugë të vërtetë, kam drojë se mund të zgjasin me dekada me pasoja të paparapara dhe me gjakderdhje si rrëke në mes vet myslimanëve në botë.