Duke u bazuar në qëndrimet, sjelljet, fjalimet dhe veprimet e ndryshme të atyre personave që përfaqësojnë qytetarin e Maqedonisë nëpër institucionet e larta qëndrore, por edhe lokale, duke qenë dëshmitar të një skene politike të palakmueshme në Maqedoni, mund të nxjerrim në pah disa veti të politikanëve dhe dobia ose rreziku nga veprimet e tyre në shoqëri.
Le të parashtrojmë disa pyetje:
Çdo politikan duhet të posedojë Integritet Personal, përderisa është përfaqësues i një grupi më të vogël ose më të madh të qytetarëve. Me ndodhitë rreth miratimit të buxhetit për vitin 2013, që ndodhën në institucionin më të lartë të R.M-së, Parlament, me ndodhitë e tjera përpara kësaj dhe pas saj, si: protestat e mjekëve, subvencionet për bujqit, protestat e arsimtarëve, protestat e gazetarëve…dhe shumë ndodhi të krijuara nëpër media nga ana e politikanëve. Duke pasur parasyshë këto ngjarje, a mund të themi se reputacioni i politikanëve rritet ose zvogëlohet? A mbrojnë vlerat e standardeve të larta morale apo jo, politikanët? Sa ata e ndjekin dhe e mbrojnë kushtetueshmërinë, ligjin, rregullat dhe kodet etike, kodeve penale dhe të çdo sfere? A promovojnë Demokraci interne të partisë së secilit apo jo? A mbrojnë integritetin e përgjithëshëm të partisë së secilit ose jo? A kemi interesa private-personale të politikanëve ose jo? A kemi role despotësh, diktatorësh të politikanëve në partitë e tyre ose jo?
Për sa u përket përgjigjeve të këtyre pyetjeve, secili e din dhe për çdo ditë e sheh dhe dëgjon përmes mediave, që janë bërë mjeti më i ngushtë i partive politike në pushtet për të informuar opinionin që vetëm atyre partive u konvenon dhe duke mos qenë objektiv në dhënien e informatave reale dhe të sakta në çështjet si:shumica e politikanëve nuk posedojnë një integritet në punën që ata e bëjnë. Edhe nëse kanë reputacion ata nuk e meritojnë atë, pasiqë e kanë atë ata nuk e meritojnë për shkak të sjelljeve jo të pëlqyeshme që shfaqin gjatë veprimtarisë së tyre si politikanë. Jemi dëshmitarë se shumica e tyre janë të prirë nga interesat e tyre private dhe personale dhe nuk shohin pasojat që janë duke u përballur qytetarët. Nuk merren me vrojtimin dhe ruajtjen e mbrojtjen e kushtetuetshmërisë, ligjeve, rregullave dhe kodeve me të cilat punojnë, por merren çdoherë me akuzimet e njëri-tjetrit. Nuk e ruajnë integritetin e partisë dhe demokracinë e saj të brendshme , duke bërë veprime që nuk i takojnë një grupi të tillë përfaqësues në shoqëri. Një person me partinë udhëheq me vite, ndërsa nuk i lejohet tjetrit që të tregojë kapacitetin dhe aftësinë e një lideri politik. Dhe, politikanët në të shumtën e rasteve nuk përfaqësojnë, nuk sillen, nuk veprojnë në bazë të standardeve më të larta etike dhe moral të shoqërisë.
Sjellja ndaj publikut është një veti mjaft e rëndësishme dhe me vlerë që duhet çdo politikan ta posedojë. Mirëpo, a i kanë këta vlera politikanët tek ne! Për këtë do të udhëhiqemi në bazë të pyetjeve të parashtruara: Tek ne, a shërbejnë politikanët sipas aftësive dhe njohurive të tyre më të mëdha ndaj realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve? A kujdesen politikanët për ndërtim nacional me gjithë energjinë dhe mundësinë e tyre, për një jetë më të mirë dhe më paqësore në vend? A i manipulojnë ose kequdhëheqin qytetarët e vendit në proceset e aktiviteteve të ndryshme shtetërore dhe publike? A mendon secili në këto çështje!
Sjellja e politikanëve të një partie politke ndaj partisë tjetër politike, është vlerë e madhe dhe e pa shmangshme në veprimtarinë e politikanëve. A e prishin, lëndojnë reputacionin e partive tjera, kolegëve dhe të punësuarve të partive tjera politike me qëllim partitë rivale? A ka raste që me shkeljen e kushtetutës, ligjit ose ndonjë rregulloreje, një anëtarë i një partie politike të kalojë në partinë tjetër politike dhe nga e fundit të pranohet si anëtarë? A i monitorojnë aktivitetet dhe programet e partive tjera politike me qëllim që të sillet ajo çka është si dobësi ndaj qytetarëve ose kjo bëhet vetëm për të fituar reputacion dhe pozitë më të lartë? A shkojnë në koalicion me partitë politike me qëllime, mendime, interesa të njejtë apo hyjnë në koalicion për shkak të interesave të tyre të ngushtë personale dhe partiake, duke lënë anësh përfaqësimin e qytetarëve?
Sjellja e ndërsjelltë e politikanëve,çështje kjo e cila është mëse e dukshme në opinion. Si sillen politikanët mes veti? A ofendohen gjatë debateve parlamentare? A akuzohen kur duhet të argumentojnë ndonjë të dhënë? A nënçmohen, nënvlerësohen politikanët mes veti? Si është sjellja e tyre ndaj partive tjera politke? A e diskriminon mazhoranca, pakicën gjatë debteve parlamentare, mediale? A përfillen kërkesat e pakicës parlamentare nga mazhoranca? A janë subjektivë ose objektiv politikanët kur flasin për njëri-tjetrin ose për partinë opozitare?
Duke u bazuar në përditshmërinë dhe praktikën e partive politike, gjegjësisht politikanëve, nëpër institucionet më të larta shtetërore si, Parlament, Qeveri, qëndrimi, sjellja, fjalimet e tyre janë jo të kënaqëshme. Shumica e politikanëve nuk posedojnë integritet personal dhe vlerat e tij. Nuk posedojnë një interes për publikun dhe nevojat e hallet e tij , por interesi personal është në vend të parë. Reputacioni i tyre është më i rëndësishëm se karakteri i tyre i mirë. Ata asnjëherë nuk bisedojnë me argumente që mund të shkojnë në dobi të qytetarëve dhe në të shumtën e rasteve nuk janë transparent në punën e tyre. Edhe kur argumentojnë ata nuk e lënë anësh ofendimin dhe akuzimin e opozitarëve të tyre. Sjellja e tyre mund të shkojë deri aty sa të jenë edhe të dhunshëm fizikisht ndaj njëri tjetrit. Disa nga ata nuk respektojnë as më të moshuar, as grua, as atë më me përvojë. Shumica bën edhe më të pahijshmet që të arrijë reputacionin në shoqëri. ..
A mund të thuhet pra se në vendin tonë kemi përfaqësim nga persona të denjë që të na përfaqësojnë neve, prindërit tanë, fëmijët tanë? A mund të themi se respekthen të drejtat dhe liritë e njerëzve? A mund të themi se ka demokraci? A mund të themi se ka sundim të së drejtës? A mund të themi se ka etikë profesionale dhe personale te politikanët? A është ky shtet transparent, tolerant, i përgjegjëshëm ndaj qytetarëve të tij? Asnjëra nga këta pyetje nuk ka përgjigje pozitive, sepse ende pjekuria intelektuale, edukativo-arsimore, humane nuk e ka nivelin e duhur që të kemi një mirëqenie shoqërore në vendin tonë.
Duke patur qëndrime të tilla, duke u sjellur në mënyra të tilla, duke mbajtur fjalime të tilla, a mendojnë vallë politikanët se dikush i ka zgjedhur dhe se përfaqësojnë dikë? A mendojnë se sjelljet e tyre dhe fjalimet e tyre i shohin dhe dëgjojnë edhe të mitur? Si mund që ta tolerojmë që njerëz pa integritet, pa sjellje të mirë, pa karakter të mirë, pa maturi, me fjalorë të flliqur dhe të pa lejuar të na përfaqësojë neve, prindërit tanë dhe fëmijët tanë?! Ndoshta ne si të rritur mundemi ti përballojmë sitautat e tilla, mirëpo të miturit nuk jam e bindur se mund të përballojnë këta situata. Ata mund edhe të marrin rrugë të keqe dhe të veprojnë negativisht në shoqëri…E kush është fajtorë për këtë gjë? Faji është vetëm i atyre që na përfaqësojnë në institucionet më të larta shtetërore.
Mbetet që lexuesit vetë të vlerësojnë më shumë dhe të sanksionojnë vepriemt e pahijshme dhe të pa lejuar të politikanëve ose të përkrahin dhe motivojnë politikanët që kanë meritë, integritet personal, karakter të mirë, profesionalizëm në punën e tyre, janë të moralshëm, të edukuar e arsimuar. Është e jona të zgjedhim se kush do jenë përfaqësuesit tanë, të prindërve dhe fëmijëve tanë.
Categories