Një telenovelë nuk është interesante në tërësinë e vet, por “gozhdimi” për të zbuluar enigmën e radhës midis serive, i mban lidhur shikuesit. Në çdo pjesë ka një “kthim” të fuqishëm, që u jep ngjarjeve një drejtim tjetër. Bash në momentin që një personazh është në buzë të greminës, hapet një derë shpëtimi, për të vijuar kësisoj seritë e reja, me ngjarje dhe intriga të tjera. Në një nga seritë e serialit plot intriga “Sulejmani i Madhërishëm”, kur dy gratë e dashuruara fort pas sulltanit përleshen gati në vdekje midis tyre, në skenë del një fëmijë i sëmurë, çka e ndërpret të gjithë ngjarjen, duke shpërndarë sherrin e nisur. Përnjëherësh pllakos heshtja dhe pyetja naive e fëmijës se çfarë ka ndodhur, merr si përgjigje mohuese: Asgjë! Secila më pas nis sërish rrugën e vet, për të vijuar betejën, kësisoj seritë. Fëmija i sëmurë që del në skenë krejt papritur dhe pa e ditur se ku ishte më parë, tregon se “dhembshuria” sundon mbi të ligën. Dhe aty, gjakrat ndalen. Kjo është jeta përtej reales, ku në skenë vihen ata që imitojnë, por jeta jonë e përditshme, ashtu sikurse Perandoria Osmane në tërësinë e vet, nuk ishte një harem intrigash grash e vrasjesh të nëndheshme! Ka diçka përtej kësaj, dhe këto janë veprat e mira, ato që na e mbushin rrugën me shpresë. Para se të gjithash, këtë shpresë që ne shqiptarët kaq gjatë e kemi pritur, kaq gjatë i jemi përulur, se një ditë, më në fund do të mund të gjejmë betimin e premtuar për jetë më të mirë; duket se nuk e kemi gjetur ende. Ja që u gënjyem ca, dhe në lojën tonë të përditshme mungon një “fëmijë i sëmurë” për të na mësuar se ndonjëherë betejat më të mëdha, janë më pak të rëndësishme se sa ato të voglat, ato që ndërtojnë jetët tona të përditshme. Këto, shndërrohen më pas në ngjarje, ngjarje që krijojnë veprim, angazhim dhe besim. Dhe të gjitha këto, arrihen me vullnetin e mirë për të ndërtuar një të ardhme të mirë. Pesë vite e kusur, pak kam shkruar për të mira të lavdishme dhe të heshtura pa britma heronjsh. Shumë kam shkruar për “ngjarje të zeza”, aq sa ndonjëherë të mbarohen të gjitha titujt e mundshëm për t’i vënë emër gjithë kësaj meseleje që gatuhet çdo ditë para syve tanë.
Në një lojë të fortë në prapaskenë, e mbuluar me errësirë, dhe një lojë tjetër në ekrane televizionesh, është ajo çka ndërthur njëkohësisht skenarin dhe pjesën e radhës, me të njëjtin emër. Mbase jemi komb intrigash, më shumë se sa komb pune. Dhe jo më kot, interesi ynë është i shtuar për politikë, më shumë se sa për një rrugë të re që ndërtohet, dhe jo më kot, edhe në autobusin e pluhurosur në çdo cep e anë, e ku era e rëndë kundërmon, askush nuk e shpreh shqetësimin, por gjen kohë e flet për ata që kanë hipur në “Olimp” për të shkruar skenarin tonë të zi, që ndërthur brenda vetes edhe fatin historik.
Vrasje policësh, vrasje adoleshentësh, vrasje grash, e të moshuar të dalldisur nga xhelozia, akuza e shpifje, të gjitha këto janë kronika të zeza që jetojnë midis nesh. Edhe tani po luhet i njëjti skenarë me mendim të dyfishtë, po aq dyfytyrësh, po aq i mjerë, dhe ne sërish do të besojmë, për taksën e sheshtë që sjell punësime, apo progresiven e “zemërgjerësisë” së të pasurve. As njëra dhe as tjetra! Këto janë pjesët për ekranet e televizioneve, por pjesa tjetër luhet në errësirë, në tunelin e përjetshëm të luftës për pushtet, për sundim. Ne kacavirremi më kot, duke kërkuar sërish me të njëjtën moto të vjetër: një jetë më të mirë! Këtë e kërkuam 20 vite më parë, këtë edhe tani dhe këto me sa duket edhe shumë mote. Dhe jo më kot, këto katër vite të paktën, kemi përmendur më së shumti dështimin, çka do të thotë humbjen, pafuqishmërinë për të vepruar. Kemi dështuar drejt integrimit, kemi dështuar në parandalimin e vrasjeve, kemi dështuar më së shumti të jemi të sinqertë me veten dhe me krejt shoqërinë. Dhe të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: nuk jemi të moralshëm dhe pa moral, nuk mund të ketë punë të mira!
EDITOR
12 years ago
previous article
Qeveria do që të kompensojë truallin e Xhamisë Burmali
next article
Mjekrra e dobishme për shëndetit e meshkujve
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago