“Zemra e popullit është Rinia”
Jakup Hasipi
“Më lini në dorë arsimin dhe edukimin e rinisë dhe shihni po nuk ja ndryshova fytyrën Evropës”
Volteri
Forcë lëvizëse e një populli ose një shoqërie janë studentët. Njëherit kjo kategori shoqërore përbën shtresën më vitale të shoqërisë, andaj investimi në student është investim në një të ardhme më të ndritur. E ardhmja e një populli varet pikërisht nga ata, sa më aktiv që janë, aq më aktiv është ai popull. Ata janë kategoria më e nevojshme e shoqërisë.
Studentët e sodit janë, mësuesit, mjekët, inxhinerët, shkrimtarët,  politikanët, dhe prijësit e së nesërmes. Kapitali më madh i popullit qëndron pikërisht tek ata.
Ata deri në një shkallë të caktuar, i kanë zhvilluar aftësitë e tyre për të kuptuar dhe gjykuar. Studentët me natyrën e tyre kurreshtare drejtojnë njohuritë e veta kah qëllimet më frytëdhënëse, në mënyrë që të përcaktojnë shtigjet e veta.
Tanimë është e dëshmuar se ndryshimet në sferën politike, ekonomike, kulturore e sociale, nëpër vende të ndyshme të botës erdhën pikërisht nga studentët. Duhet të theksohet fakti se roli i tyre ishte krucial në procesin e dekolonizimit.
Para vullnetit të studentëve u gjunjëzuan shumë pushtete. Studentët ishin ata që rënuan diktaturën komuniste në Shqipëri. Materializimi i aspiratave të një populli është pikërisht në duar të studentëve.
Studentët e këtij nënqielli në të kaluarën iu  prinë transformimeve shoqërore, një rol të tillë studentët duhet ta kenë gjithëherë.
Dekada me rradhë studenti u bë simbol i rezistencës kundër çdo padrejtësie e shtypje. A nuk ishin të tillë studentët e dikurshëm të Universitetit të Prishtinës, por edhe ato të Tetovës!?
Ata konsiderohen bartës të proceseve për ndryshime pozitive në një vend. Të jesh student, nënkupton jo vetëm të përgatitesh për në provim por edhe të kesh përgjegjësi për rrjedhojat shoqërore, me të cilën përballet rrethi ku banon.
Me të drejtë studiuesi  bashkëkohor i islamit Tarik Ramadan thotë se studentët nuk duhet të jenë vetëm dëgjues të mirë, por herë pas herë të kenë edhe sensin e kritikës. Në shoqëritë demokratike roli i studentëve është jetik për një demokraci sa më funksionale.
Në një shtet, studentët nuk duhet të jenë thjesht qytetarë, si gjithë të tjerët, por të nxisin një qytetari aktive, doemos të shprehin opinionin për atë që quhet “res publica” apo çështje publike.
Një gjë e tillë mundësohet përmes involvimit të tyre nëpër organiazata apo iniciativa rinore, krijimi i OJQ-ve të ndryshme, pjesëmarja nëpër debate të karakterit publik, kritika konstruktive etj. Në këtë mënyrë ata bëhën nxitës për reforma dhe ndryshime në shoqëri.
Zhvillim dhe forcimi i shoqërisë civile, shoqatave vullnetare, është një hap i domosdoshëm në promovimin e qytetarisë dhe garantimin e demokracisë. Në të gjitha këto procese rol qendëror luajnë të rinjtë gjegjësisht studentët.
Organizatat e ndryshme studentore luajnë rolin e një ure lidhëse, ose thënë më mirë krijojnë procesin e komunikimit mes qeverisë dhe qytetarëve, me qëllim të marrjes së vendimeve sa më të mira dhe rritjes së mirëqenies tek popullata.
Kësisoj arrihet që të politizohet politika, pra duke iu mundësuar akterëve të ndryshëm pjesëmarje në  procesin e vendimarrjes ashtu siç edhe pohon studiuesi gjerman Thomas Mayer.
Që këtu është më se e nevojshme bashkëpunimi i institucioneve shtetërore me universitetet apo studentët, me qëllim që këto të fundit të jenë pjesë e vendimarjes.
Studentët ndjekin studimet universitare për të zgjeruar perspektivat e tyre, për të menduar ndryshe, si dhe për të kontribuar në avancimin e shoqërisë duke transformuar njohurit nga teoria në praktikë.