Në konferencën e organizuar ditët e fundit në Arabinë Saudite, rreth solidarizimit me profetin Muhamed a.s, ka marrë pjesë edhe politikani holandez Arnold Van Doorn, një nga ish krerët e partisë “Për hir të Lirisë”, si dhe pjesëmarrës në prodhimin e filmit blasfemik ndaj profetit Muhamed a.s “Fitna”. Kohët e fundit ai ka pranuar islamin.
Arnold Van Doorn, në fjalën e tij foli për rëndësinë e dialogut, të cilin e konsideroi si zgjidhje të shumë problemeve. Ai bëri thirrje për një prezantim të denjë të islamit dhe njëkohësisht dënoi orvatjet e disa qarqeve politike të cilat përdorin mediat për ta rrënjosur imazhin negativ ndaj islamit dhe myslimanëve në shoqëritë evropiane.
Ai foli edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë vitit të shkuar për shkak të konvertimit në mysliman. “Vitin e kaluar jam përballur me shumë vështirësi për shkak të braktisjes së njerëzve për shkak të konvertimit tim në islam. Unë uroj që edhe ata ta njohin dhe pranojnë islamin, sepse është feja e vërtetë. Nuk mund të gjendet diçka më e fuqishme se islami.” tha ai.
Ai tha se nuk është producenti kryesor i filmit blasfemik “Fitna”, por ka qenë thjesht një pjesëmarrës në publikimin e tij, duke theksuar se falë bashkëpunimit me Arabinë Saudite, po punohet për prodhimin e një filmi prezantues për profetin Muhamed a.s.
Nga ana e tij, Abdurrahman Sudejs, imami i Qabes dhe drejtor i administratës së  xhamisë së shenjtë, i dhuroi politikanit holandez xhyben e tij si dhuratë. /ardhmeriaonline/