Shkëlzen Gashi ka shënuar një gol dhe është ndëshkuar një herë me karton të verdhë me skuadrën e Grashopersit, që fitoi ndaj Luzernës së Hykës me rezultatin 3-1 në transfertë. Gashi shënoi gol në minutën 9-të dhe u zëvendësua në minutën 81-të. Për Grashopersin paraqitje të plotë shënoi Amir Abrashi. Për Luzernin, gjatë 90 minutave luajti edhe mesfushori Jahmir Hyka. Ndërsa Besart Berisha nuk ka ndërmend të ndalet. Në momentin kur skuadra e tij, Brisbane Roar ndodhet në vështirë, është gjithmonë sulmuesi shqiptar, shpëtimtari i kampionëve australianë.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe dje, Brisbane ndodhej në disavantazh. Për t’i dhënë fitoren kryesuesve të kampionatit australian mendon bomberi Besart Berisha, që shënon në minutën e fundit të ndeshjes. Ky ishte goli i 8-të në 11 ndeshje për Berishën në këtë sezon. Ndërkohë, Berisha tjetër, Etriti, ishte titullar në fitoren e Lacios ndaj Kievos. Portieri shqiptar sërish nuk pëson gol, duke treguar një formë të mirë. Ndërsa Lorik Cana nuk është preferuar sërish nga trajneri Edi Reja, edhe pse ka qenë i gatshëm në stol. Ergys Kaçe është aktivizuar si titullar me PAOK-un, duke fituar kështu besimin e trajnerit. (BalkanWeb)