Termet më të habitshme i dëgjon në momente kur e di se ke të bësh me tënden, po në fakt ndjehesh i huaj. Ndjehesh i huaj, trajtohesh i huaj, jeton si i huaj në vendin tënd. Lind, rritesh, zhvillohesh e vdes si i huaj. Kush ishin këta njerëz që jetuan në këtë vend? Si e fituan bukën e gojës? Si vepruan dhe me çka jetuan? Të jesh mysliman në Kosovë është njëjtë e vështirë si të jesh mysliman në Gaza. Armiku është i njëjtë. Servilët janë të njëjtë. Kemi lexuar e jemi habitur se sponsor kryesor të agresionit izraelit në Gaza ishin disa shtete arabe me disa udhëheqës ‘ mysliman’. Lexojmë e habitemi me dyfytyrësinë e SHBA-ve ndaj palestinezëve dhe solidarizimin e tyre ushtarak me ushtrinë izraelite. Lexojmë e për çdo ditë habitemi me disa hoxhallarë të dalë jashtë institucionit zyrtar islam të Kosovës, që kanë kapur krahun e laikëve dhe sulmojnë e etiketojnë vazhdimisht hoxhallarët tjerë, si dhe punojnë ditë e natë për shkatërrimin e institucionit të vetëm islam në Kosovë, atë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kush është prodhues i ekstremizmit fetar në Kosovë, hoxhallarët që gjenden nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës, apo hoxhallarët që janë larguar prej kësaj ombrelle, kanë krijuar një të ashtuquajtur sindikatë, bashkëpunojnë me armiqtë më të mëdhenj të Islamit dhe myslimanëve, e merren ditë e natë me sulme të vazhdueshme ndaj myslimanëve? Kush po prodhon Lavdrim Muhaxhera në Kosovë, hoxhallarët që janë nën ingerenca të Bashkësisë Islame të Kosovës, apo hoxhallarët të cilët me qasjen e tyre armiqësore ndaj myslimanëve dhe Islamit në Kosovë, mashtrojnë të rinjtë e papjekur për të kryer akte të papërshtatshme për logjikën njerëzore? Kush po i kërcënon fizikisht hoxhallarët në Kosovë, hoxhallarët që gjenden në kuadrin e Bashkësisë islame të Kosovës, apo ato hoxhallarë që kanë dal jashtë këtij institucioni dhe që nuk i zgjedhin aspak mjetet për të arritur deri tek synimet e tyre? Mjekra, shamia, janë disa përralla që këto hoxhallarë dinë t`i lidhin me ekstremizmin. Por pikërisht ato hoxhallarë që në fytyrë duken si Millosheviqi, pa mjekër, po e cenojnë lirinë e shprehjes të myslimanëve të tërë Kosovës. Ata përmes marrjes së një hapësire të madhe mediatike, po mundohen që të minimizojnë hapësirën për pjesën tjetër të shoqërisë, pjesë e cila në asnjë moment nuk mendon si to. Të jesh mysliman në Kosovë, do të largohesh nga shkolla për shkak të shamisë, do të diskriminohesh në punësim, do të etiketohesh si ekstremist, do të përballesh me një makineri akuzash e paragjykimesh deri në përballjen me ligjet e Kosovës edhe për gjëra që asnjëherë nuk i ke thënë e nuk i ke vepruar. A nuk është vend i çuditshëm ky shteti ynë i dashur i Kosovës, i cili të merr në pyetje me policinë e saj vetëm pse e këndon një këngë që nuk i shkon për shtati politikës aktuale? A nuk u largua nga shteti i Kosovës, imami i xhamisë së Morinës, vetëm pse ishte aktiv në thirrjen e tij islame dhe i suksesshëm në shumë sfera të shoqërisë për vendin ku veproi? Të jesh mysliman në Kosovë është mision shumë i vështirë. Mirëpo edhe sevap shumë i madh. Allahu i sprovon njerëzit që i do më shumë. Unë me rrënjë jam kosovar, do të doja që edhe gjeografikisht të jetoja në Kosovë m`u për këtë arsye.