Categories
Lajme FRI

Të jetosh "shqiptarçe" në Evropë

Vrasja fillimisht e vajzës dhe më pas shkrepja e plumbave mbi vetveten, më tepër se sa një vrasje e dyfishtë meriton të trajtohet si një tragjedi familjare, në të cilën duhet të reflektojë shoqëria shqiptare në përgjithësi. Tragjedi të këtilla kur babai vret të bijën vetëm sepse kjo e fundit ka vendosur “ti rebelohet” zakonit tradicional dhe mentalitetit patriarkal mund të na përsëritet çdo ditë, sepse të gjithë pak a shumë jemi peng i përpjekjes për të diktuar fatin e fëmijëve (qoftë edhe atëherë kur është në pyetje zgjedhja e partnerit) ashtu sikurse e kemi të vështirë ta tejkalojmë veten kur fëmijët “na thyejnë në besë”.
Ende më vrastare bëhet kjo logjikë e të jetuarit kur kërkojmë të mbajmë po kaq “shqiptare” familjen në ditët e sotme, kur jeta ecën me një ritëm marramendës sa hapin e saj nuk e kap dot as me vrapin e “marathonomakut”. E nëse do ti shtonim kësaj edhe elementin e migrimi në shtetet perëndimore të Evropës apo Amerikës, çdo përpjekje e sforcuar për të trashëguar familjes ashtu sikurse e koncepton vetëm njëra palë, padyshim se do të na shpie në tragjedi të këtilla si kjo e familjes Bexheti në Tetovë dy ditë më parë. Debati se cili duhet të ishte burri i vajzës përfundoi me dy kufoma. Rahimja 27 vjeçare, të cilës iu gremis ëndrra për të jetuar e lumtur me të dashurin e saj, si dhe Qenanin (51 vjeç) i cili tek po mundohej të sillej si një baba i përkushtuar për të mirën e fëmijës dhe familjes, dështoi fatalisht dhe në mënyrën më të keqe të mundshme.
Mes tradicionales dhe te resë
Mungesa e komunikimit prind-fëmijë, përplasja me gjeneratave, patriarkalizmi dhe niveli i ulët i barazive gjinore, sipas sociologëve dhe psikologëve, janë arsyet në të cilat duhet kërkuar shkaku i vërtetë i tragjedive familjare. “Rasti i fundit në Tetovë flet për një dukuri të re ndër shqiptarët”, vlerëson sociologu Ali Pajaziti, duke aluduar në faktin se “edhe familja shqiptare është përfshirë nga trendët e dërrmimit të brendshëm”, sikurse shprehet ai. Tanimë “Kodit tradicional” është zbehur, kurse fryma independiste (vetëvendosëse) rinore nuk njeh barriera jetike, në këtë kontekst as ato të natyrës prindërore, sqaron Pajaziti, profesor universitar. Komunikimi brenda familjes në shoqërinë tonë, sipas tij, nuk është çliruar ende nga klishetë “pater familias”, pra nga logjika se babai është ai që vendos për gjithçka, madje edhe për partnerin e fëmijëve. “Prindi duhet të aprovojë vendimet e fëmijëve si pjesë e mikrokozmosit (familjes) dhe të jetë i vetëdijshëm për ndikimet e makrokozmosit (rrethit, shoqërisë). Pra, në rastet kur fëmija shqiptar kërkon të çajë vetë në jetë, të jetoje sipas zgjedhjes së tij, lind konflikti mes brezave. Nderi konceptohet ndryshe nga prindërit dhe ndryshe nga të rinjtë”, shpjegon Paraziti. Dështimi në reformimin e shoqërisë sipas kohës dhe vendit ku jetojmë, padyshim se i takon edhe shoqërisë civile. Shoqata të shumta për emancipimin e garave dhe barazisë gjinore veprojnë në Maqedoni dhe Tetovë. Organizohen takime, mbahen ligjërata dhe lloj-lloj aktivitetesh në funksion të sensibilizimit të të drejtave të grave, në gjithë hapësirat shqiptare. Mirëpo, është lënë anash puna me gjininë e kundërt, respektivisht me emancipimin e meshkujve. Xhane Kreshova, kryetare e Shoqatës “Forumi i gruas” në Tetovë, pranon se paralelisht fushatave për ndërgjegjësimin e grave për liritë dhe të drejtat e tyre gjinore, nuk është punuar me gjininë e kundërt, në kuptimin e përgatitjes intelektuale dhe shpirtërore të burrave për të pranuar si diçka shumë normale të drejtat e femrave. “Duhet të punohet edhe në këtë drejtim. Mirëpo, për shkak të fondeve të limituara, kemi qenë të detyruara që të gjitha aktivitete tona të orientojmë në emancipimin e grave”, shprehet Kreshova.
Të jetosh “shqiptarçe” në Zvicër apo Amerikë
Tragjedia e dyfishte në familjen Bexheti, sipas kryetares së Shoqatës “Forumi i grave”, ngërthen në vete disa elementë që kanë të bëjnë me aspektin social e psikologjik. “Padyshim, se raste të këtilla nxjerrin në pah përplasjen mes gjeneratave, mungesën e barazisë gjinore”. Mirëpo, thotë më tej ajo, nuk duhet anashkaluar edhe një element tjetër. “Babai e kishte fejuar vajzën në një familje tjetër, kështu që insistimi i kësaj të fundit për të bërë një zgjedhje ndryshe, për të atin nuk nënkupton tjetër përpos se ‘shkeljen’ e besës së dhënë”, vëren Kreshova. Besa e dhënë, ka kohë që ka humbur funksion në familjen shqiptare modelin e së cilës e kultivojmë në Maqedoni. Mirëpo, na ndodhë shpesh herë që kur jemi larg vendlindjes të ekspozohemi ndaj ndenjës për të ruajtur me një fanatizëm të çuditshëm disa kode të shqiptarëve, si; mund të jetë edhe fjala e dhënë. Të jetosh “shqiptarçe” dhe ti edukosh fëmijët me këtë frymë në mes të Zvicrës, Gjermanisë apo shteteve tjera të perëndimit, është gjithashtu një ngarkesë çoroditëse Një pjesë e mirë e shqiptarëve-emigrantë jetojnë fizikisht në perëndim, ndërsa mendërisht dhe shpirtërisht janë në vendlindje. Profesor Pajaziti e shpjegon kështu këtë gjendje socio-pskilologjike të këtyre familjeve. “Ata krijojnë getot e tyre qofshin konkrete, qofshin abstrakte, psikologjike, që i bënë të veçantë nga shoqëritë ku jetojnë. E gjithë kjo me qëllim të ruajtjes së identitetit, të vetes nga asimilimi dhe kulturimi”. Mendësia është diçka që ndryshon shumë rëndë te brezi i parë dhe i dytë i mërgimtarëve, për të cilët Pajaziti thotë se jetojnë me diadën “këtu është mirë, por ‘më mirë është atje, ‘ku më njeh dhe guri i thatë”.
Familja Bexheti, nga Reçica e vogël e Tetovës është gjithashtu njëra prej qindra mijëra familjeve shqiptare të ngjizura mes përpjekjes për të ndërtuar një jetë më të mirë të cilën e ofron Perëndimi dhe dëshirës për bartur në vete tiparet fisnike dhe traditat e vendit të origjinës. Por sa kjo mund të funksionojë në gjykimin e gjeneratave të ndryshme e për më tepër të rritura me mentalitete krejt të ndryshme, përgjigjen e kemi marrë vazhdimisht. (Vetë)viktimat e para dy ditëve janë tragjedia më e fundit në të cilat duhet të reflektojmë kolektivisht. Përpjekja kuptohet se duhet të nis nga vetja dhe nga familja, duke shfrytëzuar komunikimin si mjetin e parë. Për profesor Pajazitin, s’ka dyshim se të gjitha mosmarrëveshjet në familje janë pasojë e mungesës së mjaftueshme të komunikimit dhe tolerancës brenda familjes. “Është vështirë të vendoset një komunikim i lirshëm në familjen shqiptare, sepse vlerat e shqiptarit janë ende kolektiviste, ende determinohet nga kodi i trashëguar dhe nga ajo se si na gjykojnë të tjerët. Pra komunikim ka, por ky komunikim është ende imponues, nuk është tolerant deri në maksimum, siç është në shoqëritë perëndimore, të cilat janë të prekura nga kriza e zhdukjes së familjes konvencionale, e cila kërkon takime ballë për ballë, ceremoniale, si vaktet e ditës, vizitat, ekonomi të përbashkët, e kështu me radhë”. Në rastin konkret, plotëson ia, kemi të bëjmë me një tragjedi të çekuilibrit, të afektit prindëror që ka përfunduar në një panatyrshmëri: vrasjen e fëmijës nga prindi.
TRAGJEDIA E TETOVËS
Rahime Bexheti, 27-vjeçe nga Tetovë, u vra nga babai i saj, Qenani i cili më pas u vëtvra në shtëpinë e tij në Tetovë. Rahimja punonte si motër medicinale në Zvicër, aty edhe ku jetonte me familjen e ngushtë. Fillimisht, Rahimja punoi si një motër medicinale në një spital për të moshuarit, ndërkohë që shumë shpejtë përparoi në pozicione të larta të spitalit. “Ajo e pëlqente jetën. Mësonte, punonte, gjithkund arrinte, ishte krenaria e familjes tonë”, tha xhaxhai i Rahimes. “Nuk mund të ndalem duke qarë, lotët rrjedhin vetvetiu”, tha xhaxhai i Rahimes. Derisa qëndronte në makinë në oborrin e mbushur plot me njerëz, ai mblodhi forcën për të shprehu falënderimet për të gjithë ata që erdhën dje për të ndarë dhimbjen me familjen e tyre. “Të jeni ju gjallë dhe shëndoshë, diçka më të mençur nuk mund t’ju them”, u thoshin të afërmit familjarëve të mërzitur. Siç rrëfejnë familjarët gjatë vizitave të fundit në qytet, Rahimja ra në dashuri me një djalë nga Gostivari. Ata dashuroheshin, kishin plane për të ardhmen, por babai i saj nuk u pajtua me të. “Nuk e njohim mirë djalin. Nuk e kuptojmë se pse babai ishte aq i zemëruar me të. Ai ishte shumë i lidhur me Rahimen, por kishte edhe probleme shëndetësore”, deklaruan pjesëtarë të familjes Bexheti. Rahimja u kthye nga Zvicra të hënën. Ishte e gëzuar dhe e lumtur. Babi i saj erdhi pardje, e priti në aeroportin e Shkupit dhe e solli në shtëpi. Menjëherë filluan grindjet me vajzën. Babai kërkonte që të ndërpres lidhjet me djalin. Ajo nuk u bind, ai nxori pistoletën dhe e vrau. Kur e pa se çfarë kishte bërë, vrau edhe veten. Kishte njerëz në afërsi, por nuk mund të bënin asgjë, tregojnë fqinjët. (Utrinski Vesnik)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version