Categories
Opinione

Të marrësh flakë!

Askush nuk e di se pse “intelektualët” marrin flakë si kashta, kur bie fjala për të thënë disa të vërteta ndryshe ngase u pëlqejnë atyre. Por kjo të bën të mendosh se “papjekuria” ose njësoj si në garnizone, mentaliteti i të menduarit dhe të reaguarit nuk është shkëputur shumë nga e shkuara komuniste, titiste apo enveriste qoftë ajo. Ikën gjëmat, por jo mënyrat e të menduarit dhe të vepruarit , të cilat enden ndër ne sot e kësaj dite, për të prishur qetësinë e munguar që vetëm të mençurit mund ta sjellin.
Për sa kohë që loja emotive e pa bazuar në fakte, vazhdon të jetë formë të menduari dhe vepruari në këto qarqe të elitave të mendimit të kombit, nuk na jep shumë shpresë se historia jonë e tashme, të paktën këtë që e kemi në dorë, të ndryshojë për mirë. E nuk ka se si, sepse jemi mësuar tashmë, se shitësit më të mëdhenj, janë ata që qajnë vazhdimisht për kombin, ashtu sikurse “intelektualët” më të zellshëm, rrallë janë kujtuar që të ndërtojnë strategji dhe të japin ide se si vendi mund të ndërtohet. Kurrë nuk kanë dalë nga pragu i tyre, jo vetëm i të menduarit, por edhe të interesit, që në çdo rast nuk e ka përligjur asnjëherë interesin e kombit.
Por, meqë flasim gjithnjë në erë dhe gjithnjë vetëm për kauzën që na sjellin përfitime vetjake, atëherë edhe kombi të bëhet një “top” që ta shkelmosh sa herë të duash. E në fund, krejt si naivët, ashtu sikurse bëri kandidatja tanimë socialiste për deputete në Elbasan, u shfajësua me mendimin, sigurisht pa argument, se nuk e ka ditur për çfarë ka firmosur. Këtë e thonë “intelektualët” që ata më shumë se kushdo tjetër, supozohet që sensorët e të parit në gjërave në mënyrë kritike, t’ia kenë të zhvilluar më shumë se krejt shoqëria e marrë së bashku. Por kjo nuk ndodh, më së paku, pasi janë vetë “intelektualët” që kanë zgjedhur të bëjnë kompromis me gjithkënd dhe gjithçka, ku interesin e kanë shndërruar në “zot”, dhe së dyti, loja e hyrja-daljeve në shumë oborre, është shndërruar në një formë “prostituimi”, ani pse këtu mungon morali.
Askush nuk po pyet për këtë, sepse kështu janë ndërtuar jo vetëm bijtë e komunistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe demokratët e rinj kapitalist, që nuk zotërojnë bizneseve, por kaparojnë të gjitha çka mund të kenë në dorë atje ku janë, për t’ia dhënë “oborrit” gjithçka mund të ofrojnë me mbështetje të gjithanshme, sigurisht duke u mbyllur derën të tjerëve që nuk janë pjesë e tyre. Ja pra, kjo është panorama e intelektualëve tanë, demokratë, të lirë, e të paanshëm, dhe që të gjitha veprimet e tyre të pamoralshme marrin gjithnjë justifikime po nga ta.
Është e vështirë t’i vësh gardhin botës, por po kjo botë, ka shpikur mekanizmat e saj së pari moralë për të ecur përpara. Këtu, për fat të keq kjo mungon dhe pengesë për këtë, më së pari bëhen vetë “intelektualët” që rreshtohen sa herë frynë era me njërën palë kundrejt tjetrës, thjesht e vetëm për të përfituar. Dhe aty ku në lojë hyn interesi, sigurisht “mungon shkenca”, shkenca e fakteve dhe e së vërtetës për t’i dhënë hakun e merituar çdo ngjarje historike dhe aktuale. Por, kjo nuk ndodh këtu tek ne, sepse ata që i shërbyer dje ideologjisë komuniste, sot nuk mund të dalin kundër, pasi i bie ta pranojnë se kishin rënë në atë “gropë” të errët ideologjie, ose të mohojnë krejt karrierën e tyre akademike, edhe pse në shumë raste ajo është e dyshimtë, e manipuluar dhe e njollosur me të shkuarën diktatoriale.
Si gjithnjë, komunizmit i bënte hije edhe e shkuara, edhe dielli i perënduar dhe këtë tentoi dhe e shndërroi si hije për t’i shërbyer synimit të vet. Nga kjo, edhe sot e kësaj dite, ne nuk jemi mësuar të mendojmë intelektualisht, pa mllefe e mallkime. Sigurisht tranzicioni i ka këto problematika, por fatkeqësisht lëvizjet “tranzicionale” nuk kanë ndodhur ende as në qarqet intelektuale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version