Të ndash gjërat nuk është veprim aspak i lehtë për fëmijët 3-5 vjeç, moshë kjo që karakterizohet kryesisht nga egocentrizmi. Në këtë moshë ata e kanë të vështirë të kuptojnë konceptin ‘e imja’ dhe ‘e jotja’ apo ‘të japësh’ dhe ‘të marrësh’.
Para se fëmija të akuzohet është e rëndësishme që prindi të jetë në dijeni të nevojave dhe dëshirave të tij. Fëmijët kanë nevojë ta ndjejnë se dëshirat e tyre vlerësohen dhe respektohen. Kur fëmija e ndan lodrën me një fëmijë tjetër, vlerësoje sjelljen e tij me fjalë stimuluese si ‘të lumtë’, ‘shumë mirë’, etj.
Shumë fëmijë duke mos e kuptuar konceptin e të dhënit e kanë të vështirë të ndajnë gjërat që ata i konsiderojnë të vetat, me të tjerët. Më poshtë janë paraqitur disa mënyra se si t’i mësojmë fëmijët të ndajnë gjërat e tyre më të tjerët.
Trajtoje ndarjen e gjërave si diçka argëtuese; mësojini fëmijës lojëra kolektive ku fëmijët punojnë dhe ndajnë lodrat së bashku.
Mos e ndëshkoni fëmijën kur nuk jep; Nëse e kritikoni për egoizëm, mos e bëni në momentin që ai refuzon të japë diçka, pasi kështu në vend që të kultivoni ndjenjën e bujarisë do të nxisni mëri. Në një moment krejt të rastësishëm mund t’i flisni për vlerën e bujarisë.
Flisni me të; Kur fëmijët zihen për një lodër, mundohuni ta qetësoni situatën. Nëse një shok i tij refuzon t’i japë lodrën, mundohuni t’i shpjegoni fëmijës suaj se si ndihet shoku i tij: “Genti e ka shumë përzemër këtë lodër dhe për momentin nuk ka dëshirë ta ndajë me dikë.” Po në të njëjtën mënyrë ndihmojeni fëmijën tuaj t’i shprehi ndjenjat me fjalë. Në momentin kur refuzon të japë diçka, pyeteni si ndihet për këtë, ndoshta ajo mund të jetë dhuratë nga dikush që e vlerëson ose mund të jetë një lodër e re për të.
Filloni që në vegjëli; Koha më e mirë për të mësuar një sjellje është që në vegjëli. Luani me foshnjën tuaj disa muajsh lojëra të cilat kanë ndërveprim. P.sh. loja me hedhje është një mënyrë e mirë, hidhini një top të vogël të butë dhe kur ai t’ua kthejë, buzëqeshini, falënderojeni dhe hidhjani përsëri topin atij. Buzëqeshja dhe falënderimi në këtë rast janë përforcim pozitiv, ai e kupton që po bën gjënë e duhur.
Mundohuni t’i sqaroni atij konceptin e ‘të dhënit’; Kur dikush i kërkon fëmijës tuaj një lodër ose diçka tjetër, atij i lind dyshimi “Kjo është e imja apo e atij”. Arsyeja pse fëmija juaj e ka të vështirë të japë diçka mund të jetë se mendon se nuk do e marrë më mbrapsht atë gjë. Sqarojini se të ndash diçka me dikë, nuk do të thotë që t’ia japësh atij përfundimisht. Gjithashtu theksojini se nëse fëmija ndan diçka me një fëmijë tjetër edhe ai fëmijë në një moment tjetër do të ndajë diçka të tijën me të.
Diskutoni sëbashku para kohës së lojës; Para se fëmija juaj të luajë me dikë, pyeteni se cilat lodra duhen për të luajtur një lojë specifike. Kështu i ngulitni në mendje idenë e ‘të ndarit’ të lodrës kur fëmija tjetër të vijë. Nëse mundeni kërkojini dhe shokëve me të cilët fëmija juaj do luaj të marrin lodra me vete. Kështu fëmija juaj do e kuptojë që nuk është i vetmi që i duhet të ndajë një lodër me dikë dhe do e ketë më të lehtë.
Respektoni gjërat e fëmijës suaj; Duke ia marrë gjërat fëmijëve pa leje ata ndihen të kërcënuar dhe si rrjedhojë do refuzojnë të japin gjëra. Kërkojini leje para se t’i merrni diçka, në këtë mënyrë i jepni dhe atij mundësinë për të zgjedhur nëse do ta japë apo jo. Të njëjtën gjë kërkojini dhe fëmijëve të tjerë të bëjnë, të marrin leje nëse duan diçka dhe të mundohen ta mirëmbajnë atë. Kështu ju tregoni vlerësim ndaj fëmijës suaj.
Bëhuni shembull bujarie; Mënyra më e mirë për t’i mësuar fëmijës zemërgjerësinë është nëpërmjet shembullit tuaj. Mund të ndani një akullore me të. Jepini lapsin tuaj të shkruajë me të dhe në të njëjtën kohë kërkojini diçka të tijën. Duke parë se si ju bëni kompromis duke dhënë dhe kërkuar diçka , fëmija juaj merr shembull nga kjo.
Bëni durim; Jo gjithmonë do të keni sukses me teknikat tuaja. Në këto raste duhet të tregoni durim. Me kalimin e kohës kur fëmija të ketë formësuar disa aftësi sociale dhe të ketë krijuar shoqëri, do e kuptojë që të ndash gjëra është argëtuese. Do kuptojë se të përdori lodrën e tij të preferuar për të luajtur me një shok është shumë më mirë se të luajë vetëm.
Të ndash, jo gjithmonë i referohet gjërave material. Mund të mësoni fëmijën tuaj të ndajë një histori apo një aktivitet me dikë tjetër. Përdoreni fjalën ‘jap’ shpesh në fjalorin tuaj. Sa më shumë të përdoret fjala ‘ndaj’ ose ‘jap’, aq më e natyrshme formësohet tek fëmija juaj si sjellje.
Përgatiti: Suada Hajredinaj
Categories