Një faktor i rëndësishëm për të ndryshuar veten tonë, është edhe pendimi. Njeriu duhet të pendohet në mënyrë të sinqertë dhe të drejtë. Është shumë interesant fakti se njeriu gjen kohë për çdo gjë në këtë botë, gjen kohë për ti bërë të gjitha ato vepra që krijuesi i vet nuk është i pajtuar, gjen kohë për padrejtësi, për gënjeshtra, për fyerje, për përçarje mes njerëzve, për vjedhje, për thashetheme dhe për shumë punë tjera të cilat e nxinë zemrën e tij. Por edhe më i çuditshëm është fakti se ai përkundër gjithë këtyre veprimeve të liga, asnjëherë nuk mundohet që të gjej kohë që njëherë e përgjithmon të bisedoj me vetveten e tij, ku si rezultat i kësaj bisede të jetë largimi nga veprat e liga që i nxit shejtani i mallkuar dhe kthimi në veprat me të cilat do të jetë i pajtuar dhe i kënaqur Krijuesi i tij, All-llahu i lartësuar.
All-llahu i thërret besimtarët të pendohen: “Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim” (Nur:31). Thënë ndryshe, në mënyrë që të shpëtoni prej dënimit të Tij, dhe të fitoni mëshirën e Tiij. All-llahu tregon se çelësi i çdo të mire është teubeja (pendimi) dhe se suksesi i besimtarit është në të. Ashtu siç edhe thotë në Kur’anin fisnik: “O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i larrgojë prej jush të këqijat, (tua falë mëkatet tuaja) t’ju shpie në Xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj..” (Tahrim:8)
Shumë prej njerëzve mendojnë se nuk kanë nevojë për tu penduar te All-llahu fuqiplotë, duke menduar se gjatë gjithë jetës së tyre kanë punuar vetëm mirë dhe se ata të cilët duhet të kërkojnë falje te Zoti i tyre jan gabimtarët.
Por, padyshim se ky mendim nuk është aspak i vërtetë, sepse pagabueshmëria është cilësi vetëm e pejgamberëve të All-llahut e jo edhe e njerëzve të rëndomtë. Edhe vetë Muhammedi alejhis-selam, më i zgjedhuri dhe më i dashuri i All-llahut, ka kërkuar falje nga All-llahu i lartësuar më shumë se shtatëdhjet herë në ditë edhe përkundër asaj se ka qenë pejgamber i Tij dhe ka qenë i mbrojtur prej mëkateve dhe gabimeve nga vet All-llahu fuqiplotë, e në qoftëse i Dërguari i All-llahut ka kërkuar falje kaq shumë herë, atëherë a thua vallë si mbetet halli i njeriut të rëndomtë dhe që mëkaton në çdo ditë ndaj Krijuesit të vet?!
Çdo kush nga njerëzit ka nevoj për pendim dhe kërkim faljeje nga Allahu i lartësuar sepse secili njeri në këtë botë mashtrohet e bjen në kurthat e shejtanit të mallkuar. Sa e sa shumë njerëz shfrytëzojnë dhuntitë e Zotit (syrin, këmbët, duart, gojën e tj.) në harame (të ndaluara)?!.
All-llahu i lartësuar derën e pendimit e ka lënë të hapur për robërit e Tij që ata t’i kthehen me pendim saherë që gabojnë. Askush nga njerëzit nuk duhet që ta humbë shpresën edhe nëse gjunahet bëhen të shumta. All-llahu ka shpallur në Kur’an: “Thuaj: ‘O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është më mëshirues!” (Zumer:53).
Poashtu në një hadith kud’sij, thotë: ”O biri i Ademit, përderisa më lutesh dhe shpreson tek Unë, do të fal gjithçka që ke bërë pa problem. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua arrijnë deri në kulmin e qiellit, dhe ti më kërkon falje Unë do të ti fal. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua do të jenë sa vetë toka, do të sjell sa vetë toka mëshirë, nëse nuk më ke vënë shok”.
Vetë All-llahu është ai që me mëshirën e Tij të pakufishme, ta ka hapur derën e pendimit dhe të faljes dhe dëshiron që ti të jeshë prej të shpëtuarëve dhe të thërret që të kthehesh tek Ai me pendim të sinqertë.
Vëlla dhe motër e nderuar, braktis atë që e urren Zoti yt e shpejto drejt “….thirrjes së Zotit tuaj para se të vijë një ditë, që All-llahu nuk e kthen më (pasi ta ketë caktuar). Atë ditë ju nuk do të gjeni strehim dhe as nuk do të mund t’i mohoni (mëkatet).” (Esh shura; 47).
Mevlan Abazi
Categories