Categories
Opinione

T'i themi jetës ndal pak tani në Ramazan

Nga: Hasan BAFTIJARI

Gjendemi në çastet përplot begati të muajit të Ramazanit dhe pranë detit të pafund të mëshirës Hyjnore. Në këto ditë, frymëmarrja ynë konsiderohet adhurim kurse ibadetet dhe lutjet tona pranohen më lehtë se në çdo kohë tjetër.

Ramazani është muaji i pastrimit të shpirtit dhe qëndrimit larg mëkateve. Në këtë muaj zhduken shumë mëkate dhe Zoti mbulon shumë të këqija dhe të meta të robërve të Tij të mirë. Nuk ka ndjenjë më të mirë se ajo që njeriu të ndjejë mëshirën dhe faljen Hyjnore. Profetit Muhammed alejhi selam transmeton se Allahu ka thënë ne një hadith Kudsi: “Çdo punë që bën njeriu e bën për veten e tij, përveç agjërimit. Atë e bën për Mua dhe Unë Vetë do t`ia shpërblej”.

Duke u nisur nga kjo, do të kisha dëshirë që agjëruesi të mos e nënvlerësojë kurrë punën që po bën, përkundrazi të jetë kërkues, të jetë ambicioz dhe të presë një shpërblim të madh ngaqë, në ndryshim nga bamirësit e kësaj bote, të cilët mërziten kur u kërkon gjithnjë, Zoti, sa më shumë t`i kërkosh, aq më shumë kënaqet.

Jeta në këtë botë është e shoqëruar me probleme dhe vështirësi të shumta. Në përballje me problemet, njerëzit kanë reagime të ndryshme. Disa prej tyre arrijnë ti tejkalojnë problemet, kurse disa të tjerë dorëzohen dhe gjunjëzohen përballë problemeve. Ne zakonisht nuk mirëpresim vështirësitë dhe kemi frikë të përballemi me to. Mirëpo, e vërteta është se problemet dhe vështirësitë nuk janë aq të padurueshme sa ne i mendojmë. Shumica e këtyre problemeve mund të bëhen shkak për lulëzimin e shumë aftësive tona për të cilët ne nuk kemi qenë në dijeni. Psikologët janë të mendimit se njeriu deshi apo nuk deshi, gjatë jetës përballet me disa probleme mirëpo, ajo që e shkatërron atë është presioni psikik pas lindjes së problemeve. Nuk ka dyshim se mënyra e vështrimit të problemeve dhe vështirësive dhe mënyra e komentimit të tyre, luan një rol shumë të rëndësishëm në fuqinë e përballjes me ato probleme dhe vështirësi.

Pika e parë e rëndësishme ne përballje me vështirësitë është që njeriu të mendojë për rezultatet pozitive që mund ti sjellin atij problemet. Personi që problemet i shikon si fatkeqësi, ai do të përballet me shqetësim dhe pikëllim të rëndë që atij ia ul fuqinë për tu përballur me ato probleme. Mirëpo, çfarë efektesh pozitive mund të kenë problemet në jetën e njeriut? Nuk ka dyshim që vështirësitë njeriut i forcojnë personalitetin dhe shpirtin dhe e bëjnë më të durueshëm.

Nganjëherë Zoti Fuqiplotë, njeriun e sprovon me vështirësi dhe probleme të ndryshme në mënyrë që nën hijen e këtyre vështirësive ai arin të shpalos vlerat e tij të pazbuluara. Ekzistenca e problemeve dhe vështirësive ne jetë, bëhet shkak që njeriu të shtojë përpjekjet për arritjen në përsosmëri, që është edhe qëllimi kryesor i krijimit të tij. Njeriu edukohet dhe piqet vetëm në probleme dhe vështirësi.

Sprovat Hyjnore janë për të përmbushur kapacitetet e ekzistencës së njeriut. Zoti e sprovon njeriun me vështirësi në mënyrë që ai të arrijë në atë gradë të cilën e meriton. Zoti e përball njeriun me fatkeqësi me qëllim që ti shtojë fuqinë shpirtërore”.

Por të gjitha këta sprova e siklete të ndryshme të gjitha këta sfida e barriera që duhet kaluar në jetë padyshim se i duhet një fuqi shpirtërore, nga kjo del se ai ka nevojë që edhe shpirtin ta ushqej ashtu siç e ushqen trupin.

Ashtu siç trupi ka nevojë të ushqehet e mirëmbahet edhe shpirti ka nevojë. Nëse këto nevoja lihen në harresë, njeriu pëson dëm të pakompensueshëm. Njëri prej qëllimeve të agjërimit në muajin e bekuar të Ramazanit është që njeriu të çlirohet nga tufani i jetës. Muaji i Ramazanit neve na mëson se si të qëndrojnë përballë veprave të cilat na udhëzojnë drejt rrugës së gabuar. Ky muaj i shtrenjtë me të gjithë potencialin që ka, njeriut i mundëson që në çdo vend të ndjejë prezencën e Zotit. Në këtë muaj të bekuar, shpirti i njeriut pastrohet në burimin e kthjellët të mëshirës Hyjnore. Në këtë rast, njeriut i lind një kënaqësi të cilën nuk dëshiron ta ndërrojë me asnjë kënaqësi tjetër në këtë jetë.

Ramazani është ushqyesi më i mirë i shpirtit, trajnuesi më i mirë i tij dhe mësuesi më i mirë për t’u qetësuar dhe tejkaluar problemet.

Më duket se Ramazani vjen për ti thënë jetës “NDAL”.

Ndal o jetë, se i lodhe njerëzit me hallet e tua që s’paskan të sosur.

Ndal o jetë, se i mashtrove njerëzit me bukuritë e tua që nuk zgjasin shumë.

Ndal o jetë, se u vodhe njerëzve plot 11 muaj.

Ndal o jetë, se njerëzit janë vërtet të uritur edhe pse mund të jenë të ushqyer mirë. Njerëzit janë të etur edhe pse nuk po lenë gjë pa pirë. Njerëzit janë të lodhur edhe pse po pushojnë shumë.

Ndal o jetë, se njerëzit janë të Zotit e njeriu është krijesa më fisnike që ka krijuar Zoti.

Por habia më e madhe është se, përsëri ka njerëz që nuk e dëgjojnë këtë zë. Tallen me varkën që do t`i shpëtojë dhe vazhdojnë të ecin aty ku ishin, derisa të vijë një moment që nuk e dëgjojnë më këtë zë dhe papritur të ballafaqohen me zërin e vdekjes, i cili nuk pret asnjë çast.

“O ju që keni besuar, përgjigjuni Allahut dhe profetit të Tij, kur ju ftojnë për në shpëtimin tuaj” (Enfal: 24).

Nga këndvështrimi i njerëzve besimtarë, bota nuk është një përmbledhje elementesh të kota dhe pa vlerë, por është një sistem i cili ndjek një qëllim të caktuar. Ai i cili nuk beson në prezencën e Zotit në gjithësi, padyshim që ndjen një boshllëk dhe kjo ndjenjë negative ndikon edhe në sjelljen dhe edicionet e tij. Në anën tjetër, njeriu besimtar, ka një vështrim pozitiv ndaj botës dhe ky vështrim atij i fal një lloj gëzimi dhe qetësie. 

Exit mobile version