Një tjetër triumf për Sebastian Fetelin. Gjermani i Red Bullit fiton në Itali dhe e thellon më tej diferencën nga Fernando Alonso.
Në ndalesën e 12-të të Botërorit të Formulës 1, tri herë kampioni i botës u nis nga vendi i parë dhe nuk u dha asnjë mundësi ndjekësve. Për pilotin gjerman kjo ishte fitorja e tretë në pistën e Monzës.
Pas 26-vjeçarit u rendit spanjolli i Ferrarit, Fernando Alonso, i cili e nisi garën e sotme nga vendi i pestë. Në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit piloti tjetër i Red Bullit, australiani Mark Veber.
Vendi i katërt për brazilianin Felipe Masa me Ferrari, ndërsa dhjetëshja që merr pikë plotësohet nga Niko Hulkenberg (Sauber), Niko Rosberg (Mercedes), Daniel Riçardo (Toro Roso), Roman Groszho (Lotus), Ljuis Hamilton (Mercedes) dhe Xhenson Baton (Meklaren).
Pas kësaj gare, Feteli marshon pa ndalur drejt titullit të katërt radhazi. Piloti i Red Bullit kryeson me 53 pikë avantazh ndaj Alonsos.
Botërori tani do të zhvendoset në Azi, për garën e Singaporit pas dy javësh (22 shtator).
/Start/E.B/