Në ambientet e Hotel Drim në Strugë, nga 21 deri më 23 gusht 2026, u realizua trajnimi rinor “Për një zhvillim të qëndrueshëm shoqëror”, organizuar nga Forumi Rinor Islam (FRI) në bashkëpunim me Asamblenë Botërore të Rinisë Islame (WAMY).
Në trajnim morën pjesë rreth 30 të rinj nga FRI, O.H. “Kalliri i Mirësisë” dhe O.K.H. “Merhamet”.
Gjatë programit, prof. Hani Duman zhvilloi ligjërata dhe punëtori interaktive mbi temat “Elementet e personalitetit të suksesshëm për lidership shoqëror” dhe “Mjedisi i punës dhe roli i tij në aktivizimin e potencialeve njerëzore”. Pjesëmarrësit patën mundësi që përmes grupeve punuese, diskutimeve dhe bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me ligjëruesin t’i trajtojnë këto tema edhe në aspektin praktik.
Në kuadër të trajnimit, Hoxhë Rufat Sherifi ligjëroi temën “Si t’i fitojmë zemrat e të rinjve – modeli i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”, duke trajtuar shembullin profetik në afrimin, edukimin dhe komunikimin me të rinjtë.
Programi u pasurua gjithashtu me lexim të Kur’anit, këshilla, aktivitete të përbashkëta dhe hapësira për bashkëbisedim mes pjesëmarrësve.
Trajnimi u përmbyll të dielën me fjalime përshëndetëse nga kryetari i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa, dhe trajnuesi prof. Hani Duman. Në fjalën e tij, kryetari Mustafa falënderoi pjesëmarrësit për prezencën dhe angazhimin e tyre gjatë trajnimit, ndërsa shprehu mirënjohje të veçantë për prof. Hani Duman për ligjëratat e zhvilluara dhe për gatishmërinë e tij për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tij me pjesëmarrësit. Në fund u realizua edhe ndarja e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit.
Strugë, 21–23 gusht 2026
