Gjyqtari ka pranuar se ndeshja s’luhej nëse do godisnin atë
E tregon Shulku: Ja çfarë tha gjyqtari para Komisionit të Apelit
Ilir Shulku ka treguar një prapaskenë interesante që tregon se gjyqtari i ndeshjes Martin Atkinson ka rënë në ‘gropën’ që u bëri shqiptarëve. Ai ka pranuar se nëse tifozi serb do të kishte goditur atë, ndeshja nuk mund të kishte vazhduar më. Kjo gjë tregon se vendimi që Shqipëria të futej në fushë për të vazhduar ndeshjen është shumë e turpshme. Gjyqtari dhe delegati kanë raporte shumë kontradiktore dhe kjo gjë i shton shpresat dhe shanset e Shqipërisë për ta fituar ndeshjen në tavolinë. Shulku ka qenë i ftuar në ‘Revistën Televizive të Mbrëmjes’ në Top Channel dhe ka shpjeguar gjithçka. Ai ka thënë gjithashtu se Serbia kërkoi shtyrjen e vendimit për të diskutuar me FSHF-në riluajtjen e ndeshjes.
A ishte një vendim i pritur ky për ju, duke pasur parasysh perceptimin e opinionit publik mbi komisionet e UEFA-s?
Për të qenë i sinqertë, nuk prisnim ndonjë ndryshim të vendimit në Apel. Megjithatë, në bazë të provave, të cilat janë shumë të qarta, ne kërkonim të merrnim 3 pikët. Vendimi i Apelit ishte një padrejtësi e dytë që i bëhet Shqipërisë sepse ne e kërkuam drejtësinë në Disiplinë në bazë të fakteve dhe raporteve të dy studiove tona ligjore.
A mund të kundërshtojnë njëri tjetrin këto dy komisione të UEFA-s? Po në rastet e mëparshme si kanë vepruar?
Faktet kanë treguar që Komisioni i Apelit në UEFA nuk ka kundërshtuar kurrë atë të Disiplinës. Ne e kemi thënë edhe më parë që do të kërkojmë drejtësi te KAS-i, ndërsa Apeli ishte një shkallë ligjore që duhej ndjekur, por me pak shpresa.
A jeni në dijeni të asaj që është diskutuar deri sa është marrë vendimi i Apelit. A ka pasur mospërputhje në deklaratat e dhëna para Apelit dhe të atyre të dhënë javë më parë?
Përpara se të fillonte mbledhja e Komisionit të Apelit kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Duka, i cili ishte i pranishëm në mbledhje. Më është bërë e ditur se Federata Serbe ka kërkuar një shtyrje të vendimit nga Komisioni i Apelit për të zhvilluar një bisedë me FSHF-në, ku kanë bërë një ofertë që ndeshja të riluhet pa tifozë, por sërish në Serbi. Presidenti Duka e ka kundërshtuar këtë kërkesë të palës serbe dhe ne kemi kërkuar që të marrim atë që na takon, 3 pikëshin në tavolinë. Ndërkohë që të gjithë zyrtarët e ndeshjes janë pyetur nga komisioni dhe raportet e tyre me atë çka kanë thënë para komisionit nuk kanë përputhje dhe raportet mes zyrtarëve janë shumë kontradiktore. Për këto arsye ne shpresojmë që në KAS të marrim 3-pikëshin.
A kemi detaje nga këto deklarata kontradiktore të zyrtarëve të ndeshjes?
Vetëm raporti i arbitrit kryesor ka qenë që Shqipëria ka refuzuar të futet në fushën e lojës. Doja të theksojë një pyetje që i ka bërë avokati jonë arbitrit kryesor të ndeshjes, ai i tha se: ‘Nëse me atë stolin që u godit në kokë lojtari shqiptar të ishit goditur ju, a do të ishit në gjendje të vazhdonit lojën?’. Ndërsa ai është përgjigjur: “Jo nuk do të isha në gjendje të vazhdoja ndeshjen”. Kjo është një përgjigje që ai e ka thënë ndoshta pa dashje, por është një realitet për atë që ekipi shqiptar e kishte të pamundur të fillonte lojën.
Dhe pas kësaj deklarate sërish nuk ka pasur reflektim nga Komisioni i Apelit…
Komisioni i Apelit nuk i ka marrë për bazë edhe të gjitha faktet e tjera që janë shtuar dosjes voluminoze. Ka pasur një mbrojtje shumë korrekte dhe shumë bindëse nga studiot tona ligjore. Megjithatë doja të thosha që vendimi i Komisionit të Apelit ka qenë i paragjykuar.
Është diskutuar gjatë edhe për mënyrën e mbrojtjes nga pala shqiptare. A është paaftësi e dy studiove ligjore për të na mbrojtur apo vendimet e UEFA-s shkojnë përtej kësaj, duke pretenduar të fitojë vota në vendet sllave për zgjedhjet e ardhshme?
Ndoshta kjo e dyta mund të jetë e vërtetë, ndërsa e para nuk qëndron, pasi mbrojtja është bërë brenda rregullave. Këto dy studio na kanë përfaqësuar denjësisht dhe shpresojmë që me mbrojtjen e tyre ne do të fitojmë në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv. Ndërsa për sa i përket votave në vendet sllave që UEFA mund të synojë, unë mendoj që mund të ketë diçka të vërtetë, por ne duam ta lëmë vetëm në kuadrin sportiv.
KAS-i mbetet shpresa jonë e fundit. Do të jetë e njëjta dosje që ka shkuar në Komisionin e Disiplinës dhe në atë të Apelit apo do të pasurohet me elementë të tjerë?
Nuk mendoj se ka ndonjë detaj tjetër që ka ngelur pa u pasqyruar në dy shkallët e para, pasi dosja është shumë e plotë.
Pse shpresat te KAS-i janë më të mëdha se në dy shkallët e para?
Komisioni i Disiplinës dhe i Apelit janë brenda UEFA-s nuk kanë pasur ndonjëherë përplasje dhe rikthim të vendimeve, ndërsa KAS-i ka rikthyer shpeshherë vendimet dhe është një komision i pavarur nga UEFA, me persona të zgjedhur, por jashtë saj.
Të shpresojmë që hapat e tjerë të shkojnë ashtu siç duhet dhe të presim vendimin që e meritojmë të gjithë. Besoj janari dhe më mbrapa do të jetë në qendër të vëmendjes…
Ditët në vazhdim UEFA do të njoftojë për zbardhjen e vendimit dhe pas këtij momenti kemi 10 ditë afat për të bërë ankesën për në KAS, nga ku vendimi zgjat më shumë se në dy shkallët e para, ndoshta dy apo tre muaj.
Me këto parashikime, deri në muajin mars kjo histori do të jetë mbyllur…
Besoj po dhe në favorin tonë.
– See more at: http://www.sportishqiptar.com.al/newsite/2014/12/04/u-beri-gropen-shqiptareve-bie-brenda-atkinson/#sthash.P4dGJ1Cm.dpuf