Nëntë vite më parë ukrainasit ishin tubuar në sheshin “Pavarësia” të Kievit, duke valëvitur flamujt e verdhë, së bashku me flamujt e UE-së. Atëbotë si pasojë e të ashtuquajturës “revolucion portokalli” -Orange Revolution- në pushtet erdhën dy figurat pro-perëndimore Julia Timoshqenko dhe Viktor Jushqenko.
Me ardhjen në pushtet të kësaj garniture dukej se influenca ruse në Ukrainë dobësohej. Vlen të përmendim se këto dy politikan edhe pse ishin protagonistë të këtij revolucioni, raportet e tyre pas disa viteve kaluan në një rivalitet.
Ditëve të fundit krahas acarit të madh që zakonisht kaplon Ukrainën, situata politike atje duket se është mjaft e nxehtë. Protestues të shumtë me flamujt të UE-së dhe me fotografitë e ish- kryeministres Timoshqenko protestojnë kundër vendimit të presidentit Janukoviç për mos-nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit me UE-në.
Shikuar në aspektin gjeopolitik Ukraina është një vend me pozitë të jashtëzakonshme, urë lidhëse mes Evropës dhe Rusisë një vend i cili në basenin e detit të zi posedon gjatësi bregdetare përafërsisht 1500 km.
Ukraina me një popullsi prej 45 milion banorësh dhe me një GDP nominale prej 145 miliardë $, konsiderohet një vend mjaft atraktiv për fuqitë e jashtme. Sipas studiuesit ukrainas Oleksandr Lytvynenko, janë pikërisht Rusia, UE-ja, SHBA-ja, Kina dhe Turqia aktorët kryesor global të interesuar për shtrirjen e  ndikimit në këtë vend.
Për Evropën Ukraina ka një rëndësi të veçantë pasi që është një lokacion transit për energjinë, 25% e gazit natyror vjen nga Rusia kurse 80% e këtij gazi kalon nëpër Bjellorusi dhe Ukrainë. Roli i Ukrainës si vend transit energjetik është po ashtu i rëndësishëm për Rusinë, 2/3 e të ardhurave të Gazpromit deri para disa viteve vinin nga shitjet e gazit që kalonte nëpër Ukrainë. Ndërsa Ukraina çdo vit përfitonte përafërsisht 100 milion dollarë nga taksat e transitivit të gazit natyror.
Mirëpo interesat ruse në Ukrainë nuk ndalen vetëm në aspektet ekonomike. Ukraina për Rusinë është e rëndësishme edhe për ato ushtarake, për vet faktin se në qytetin bregdetar të Sevastopolit – ku mbi 70% e banorëve janë rus- gjendet baza ruse. Andaj një aleancë e fuqishme mes Rusisë dhe Ukrainës forcon influencën ruse në Evropën lindore dhe në detin e zi, në të kundërtën Rusia pa Ukrainën mbyllet në thellësi të stepave. Popullsia në Ukrainë është e ndarë ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha, asaj ukrainase dhe asaj ruse (mbi 17% e popullsisë janë rusë etnik).
Identiteti ukrainas historikisht është përcaktuar si i kundërt me atë rus, mirëpo ky numër i rusëve – jo edhe aq i vogël- është pengesë për një agjendë anti-ruse brenda në Ukrainë. Pra mund të thuhet se Ukraina është një “torn country” një vend i cili edhe pse bën pjesë në botën sllavisht-folëse, me religjion ortodoks, elitat politike herë pas herë përpiqen të westernizojnë atë.
Orientimi pro-perëndimorë më shumë se kurrë më parë erdhi në shprehje gjatë qeverisjes së Timoshqenkos dhe ish-kryetarit Jushqenko. Ky i fundit në një deklaratë të tij tha se qëllimi strategjik i Ukrainës është integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO.
Në samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht – samit ky i cili kishte për qëllim zgjerimin e aleancës – SHBA-të mbështetnin fuqishëm dhënien e statusit kandidat (Planit aksionar për anëtarësim) për Ukrainën. Tani që sot evropianët “lusin” Ukrainën që ti kthehet binarëve drejt UE-së, ishin pikërisht Franca dhe Gjermania ata që refuzuan kandidaturën e Ukrainës për në NATO. Vlen të përmendim se sipas konceptit të ri rus për siguri nacionale, zgjerimi i NATO-s drejt vendeve kufitare me Rusinë, konsiderohet kërcënim për shtetin rus.
Në vitin 2009 gjatë samitit  të UE-së në Pragës, zyrtarisht u inaugurua politika e ashtuquajtur “Partneriteti Lindor”, përmes kësaj iniciative UE-ja synon të forcojë bashkëpunimin me gjashtë vende- Gjeorgjinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Ukrainën, Moldavinë dhe Bjellorusinë – që dikur ishin pjesë e  bashkimit sovjetik. Kjo iniciativë parashikon një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe politik, ofron një integrim më të thellë në strukturat e BE-së, si dhe inkurajon këto vende për reforma komfor standardeve të Brukselit.
Për Ukrainën iniciativa në fjalë ka këto qëllime:
a)            Vendosjen e regjimit pa viza mes UE-së dhe Ukrainës në një të ardhme të afërt,
b)            Përforcim edhe më i madh i raporteve bilaterale mes UE-së dhe Ukrainës, si dhe
c)            Të nxirët në pah historia dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet Evropës dhe Ukrainës.
Diplomacia ruse këtë iniciativë të Brukselit e konsideron zgjerim të influencës evropiane drejt kufirit rus, për këtë shkak ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov në formë ironike pyeti “Çfarë është partneriteti i Lindjes? A është sferë e influencës përfshirë edhe Bjellorusinë!?
Ky kurs i politikës pro-perëndimorë të Kievit thuajse ndryshoi me ardhjen në pushtet të qeverisë aktuale dhe presidenti Vitkor Janukoviç. Sesa anti-perëndimor është ai, mjaftojmë të përmendim deklaratën e tij të para disa viteve ku tha se me ligj do të ndalë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Ditë më parë po ky person tanimë në pozitën e shefit të shtetit, në samitin e UE-së i cili u mbajt në Villnius – me 28 dhe 29 nëntor- refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit me Brukselin. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje Ukrainën do ta ofronte edhe më afër UE-së.
Marrëveshja e asocimit me Ukrainën është një marrëveshje bilaterale e cila parasheh formimin e një zone tregtare të lirë dhe gjithëpërfshirëse mes Ukrainës dhe UE-së. Kjo marrëveshje i ofron Ukrainës një kornizë për modernizimin e marrëdhënieve të saja tregtare dhe zhvillim ekonomik përmes hapjes së tregjeve, heqjes së tarifave doganore dhe kuotave, harmonizimin e gjerë të ligjeve, normave dhe rregullave në përputhje me standardet e UE-së.
Edhe pse ministri energjetik i Ukrainës Yuri Boiko theksoi se mos nënshkrimi i kësaj marrëveshje bazohet kryesisht në interesat ekonomike të vendit, për Karl Bid – shefin e diplomacisë suedeze-  një gjë e tillë vjen si pasojë e ndonjë presioni nga jashtë (lexo: rus).
Duhet të theksohet fakti se në vitin 2010 Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje përmes së cilës Ukraina do të paguante 100$ më pak se sa çmimi real për 1000 metër kub gaz natyror rus, ndërsa Rusia në anën tjetër, do posedonte të drejtën e përdorimit të bazës së saj në Sevastopol deri në vitin 2042.
Pas mbarimit të samitit në Villnius, Rusia i ofroi Ukrainës gaz më të lirë nëse kjo e fundit do të bashkohej në bllokun ekonomik të udhëhequr nga vet Moska, për këtë shkak zëvendës kryeministri rus Igor Shuvalov theksoi se një marrëveshje e re e gazit do t’ia lehtësonte problemet Ukrainës. Pra, duket se gazi natyror rus luan rolin e karotës, kur janë në pyetje marrëdhëniet e saja me Ukrainën.
Në vitin 2010 Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia finalizuan projektin e kamotshëm rus pos-sovjetik për një “unionin doganor”, me qëllim që të ndërveprojnë edhe më tepër në aspektin tregtar, ekonomik, energjetik etj. Një vit më vonë gjegjësisht në fund të vitit 2011 vendet e lartpërmendura edhe më tej thelluan bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, andaj edhe nënshkruan deklaratën mbi integrimin euro-aziatik.
Ashtu edhe siç thuhej në deklaratën e përbashkët të tre presidenteve, kjo marrëveshje siguron lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës. Pikërisht atë që kishte krijuar Evropa disa dekada më parë me “Tregun unik evropian”, të njëjtën gjë e realizojnë ish-vendet sovjetike në krye me Rusinë. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në fillim të vitin 2012 dhe në këtë formë palët nënshkruese lansuan ‘hapësirën e vetme ekonomike” (SES) të Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshje funksionon edhe komisioni ekonomik euro-aziatik, pra thuajse i ngjashëm me komisionin evropian. Përmes futjes së Ukrainës në hapësirën e vetme ekonomike, përfundimisht do ti mundësohej Rusisë krijimi i “Unionit ekonomik euro-aziatik” i cili pritet të finalizohet në janar të vitit 2015.
Joshja e Ukrainës nga ana e Rusisë për tu kyçur në këtë hapësirë ekonomike si duket e pengoi presidentin Janukoviç për një marrëveshje me UE-në. Formimi i unionit euro-aziatik pa dyshim se do të rit ndikim ekonomik tregtar dhe politik të Rusisë në euro-Azi, ky union do të rikthente edhe një herë ish vendet sovjetike nën orbitën e Moskës. Unioni i tillë qoftë edhe ekonomik, Rusisë do ti sillte edhe avantazhe tjera gjeopolitike.
Edhe pse ky union bazohet kryesisht në shkaqet ekonomike, popullsia ukrainase këtë çështje duket se e politizoi (Tomislava Penkova), nga frika se mos vallë udhëheqësit ukrainase përpiqen të kthejnë vendin përsëri nën ombrellën ruse.
Përmes protestave në Kiev, ukrainasit shfaqin në mënyrë të hapur orientimin pro-perëndimor, ata po dëshmojnë se ardhmja e tyre është në UE. Protesta mbarë popullore në Ukrainë ndoshta edhe një herë përsërisin skenarin e vitit 2004, pra të një revolucioni të ri. Orientimin e tyre pro-perëndimorë ukrainasit e shprehin jo vetëm përmes protestave por edhe gjatë anketave të cilët janë realizuar në periudha të ndryshme.
Në një anketë të realizuar  nga Deutsche Welle gjatë muajit tetor  të këtij viti me 50 mijë respodente të moshave prej 18-65 vjet nëpër qytete të ndryshme të Ukrainës, 58% e të anketuarve mbështesin integrimin e tyre në UE. Në vendet e pjesës qendrore dhe perëndimore të vendit, mbështetja për marrëveshjen e asocimit me UE-në arrin deri në 64%, ndërsa në pjesën jugore dhe lindore pra aty ku pjesa më e madhe e popullsisë janë të etnisë ruse, mbështetja për unionin me  ish vendet sovjetike arrin në 59%.
Se a do të bashkohet vërtet Ukraina ose jo në hapësirën ekonomike të Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë do të shohim në takimin e radhës mes dy qeverive ruse dhe asaj ukrainase që pritet të mbahet brenda këtij muaji.