Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë, ka dënuar vrasjen e ushtarit britanik në Londër, nga dora e një të riu me origjinë nigeriane. Unioni e konsideron këtë akt një krim të shëmtuar dhe shkelje të gjitha traktateve të cilat duhen respektuar. Njëkohësisht, Unioni e konsideron krimin një krim edhe ndaj islamit dhe myslimanëve. Në deklaratën e nxjerrë me këtë rast, thuhej:
“Unioni ka ndjekur me shqetësim të madh lajmin e transmetuar nga mediat, lidhur me vrasjen e një ushtari britanik, nga duart e një të riu nigerian, i cili i përket besimit islam. Ne në Unionin Botëror të  Dijetarëve Myslimanë, e dënojmë fuqishëm këtë krim të shëmtuar dhe e konsiderojmë një shkelje të traktateve, të cilat çdo  besimtar mysliman duhet ti respektojë me besimet dhe popujt e tjerë. Njëkohësisht, ai është një krim ndaj islamit dhe myslimanëve, si dhe një shërbim që u ofrohet  fushatave antiislame të cilat synojnë shpërfytyrimin e imazhit të islamit dhe myslimanëve, duke nxitur urrejtjen.
Ne shfrytëzojmë rastin që ti përcjellim ngushëllimet tona të sinqerta familjes së ushtarit të vrarë dhe theksojmë rëndësinë e kërkesës së Këshillit islamik në Britani, që ky rast të hetohet si i izoluar dhe që nuk përcjell një gjykim fetar dhe as pasqyron qëndrimin e myslimanëve.
Uninoi Botëror i Dijetarëve Myslimanë, bën thirrje që të bëhen përpjekje të përbashkëta për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi baza humane, të cilat garantojnë të drejtat dhe liritë dhe pakësojnë shanset e tensionit dhe konfliktit. Njerëzimit i lipset të jetojë në paqe, qetësi dhe lumturi, në çdo cep të botës qoftë, larg persekutimit dhe diskriminimit. Kjo është ajo të cilës i besojmë, që përpiqemi ta arrijmë dhe drejt të cilës i ftojmë të gjithë. /ardhmeriaonline/