PYETJA: Tash jemi në muajin e Ramazani, dhe me fillimin e muajit u kemi dërguar urime disa shokëve, e edhe ata na kanë dërguar. Por, ndodhi që të dëgjojmë disa fjalë se qenka bidat. Çka është e vërteta e urimit për Ramazan?
Dr. Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, si besimtar, duhet të dimë se të gjithë e kemi obligim ta ndjekim sunetin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe t’i largohemi bidatit, ngase vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka pohuar se bidatet janë dalalet-humbje, në hadithin e mirënjohur. Mirëpo, duhet kujdes, çfarë cilësojmë bidat, ngase nuk cilësohet bidat çdo veprim, siç ua ka lakmia disa njerëzve.
Për të thënë se diçka është e ndaluar, duhet të kemi argument të qartë nga Kur’ani apo nga Suneti, përndryshe, nëse nuk ka argument autentik dhe të qartë në argumentim për çështjen në fjalë, nuk kemi të drejtë t’i themi një veprimi haram, ngase është e ndaluar që të thuhet për diçka haram apo hallall, pa argument.
Për çështjen që pyesni ju, të themi në fillim se për urimin e arritjes së muajit të Ramazanit, gjejmë mbështetje në Sunetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Kështu, imam Ahmedi dhe Nesaiju transmetojnë prej Ebu Hurejres se ka thënë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i përgëzonte shokët e vet me ardhjen e Ramazanit”. Këtë hadith shejsh Shuajb Arnauti e ka vlerësuar të saktë-Sahih. Dijetari i shquar, Ibn Rexhebi ka thënë:”Disa dijetarë kanë thënë:Ky hadith shërben si bazë për urimin e njerëzve që ia bëjnë njëri-tjetrit për ardhjen e muajit të Ramazanit”. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka përgëzuar shokët e vet për ardhjen e muajit të Ramazanit, dhe në analogji me këtë gëzim dhe përgëzim, mund edhe të urohet ardhja e muajit të Ramazanit.
Marrë parasyshë se Ramazani është muaj i mëshirës, faljes, paqës dhe shumë të mirave tjera, është shumë e kuptueshme që të urohen besimtarët për ardhjen e këtij muaji. Urimi e ka edhe dimensionin e vet të rëndësishëm shoqëror, që muslimanët do të duhej ta kenë parasyshë. Për një veprim nuk mund të thuhet se është haram, nëse nuk ka ndalesë të qartë. Për këtë çështje, jo vetëm që nuk ka ndalesë, por ka mbështetje në Sunet, dhe karakteri shoqëror i urimit, e nënvizon poashtu përparësinë e urimit.
Allahu i pranoftë adhurimet tona dhe punët e mira-Allahu e di më së miri.
EDITOR
10 years ago
previous article
Nga plejboji kthehet në islam
next article