Në një postim të mëpërparshëm rreth një shkrimi të zv. Ministrit të Kosovës, Petrit Selimi, shkruajtëm se

Në klimën e debatit publik kosovar nuk është përherë e kollajtë të lexosh zëra të kthjellët e të logjikshëm. Kur diskutimi vërvitet rreth fesë, fobitë e inferioritetit e bëjnë debatin edhe më iracional. Në këtë klimë, Petrit Selimi ofron një artikulim të kthjellët, edhe kur nuk bie detyrimisht dakort me të.

Këtë e konsfirmon edhe ky artikull i tij i botuar ne gazetën Express ku ndër të tjera Selimi shkruan:

Kosova ka arsye të jetë krenare për tolerancën e treguar ndër shekuj. Ka arsye të jetë krenare edhe me faktin se Nënë Tereza i ka rrënjët në Kosovë, por edhe se ndër xhamitë më të para në Ballkan janë ndërtuar në Kosovë. Nuk ishim të okupuar dot ne nga Turqi sepse nuk patëm vështirë të inkorporohemi në Perandorinë. Kemi të drejtë të jemi krenarë edhe me ritet Sufi të Bektashinjëve, por edhe me shkollën Hanefi të shumicës kosovare që i është dedikuar ruajtjes së modelit të respektimit të ndërsjellë. Kemi arsye të jemi krenarë edhe me kishat e bukura serbe që tashmë janë pjesë e begatisë globale të mbrojtura nga UNESCO (dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës – ato janë serbe, përkundër faktit që moti dikur krishterët që themeluan ato ishin shqiptarë, serbë, ballkanas të etnive të përziera).

Ky vizion i artikuluar nga Selimi, i cili celebron dhe promovon diversitetin, pa tentuar të fshehë poshtë qilimit prezencën e Islamit në kulturën, spiritualitetin dhe historinë kosovare bie në kundërshtim me vizionet që shohin nevojën e një sterilizimi fetar të shqiptarëve si parakusht që shqiptarët të jetojnë aty ku janë, në Evropë.
Por më tutje Selimi trajton lajmin e raportuar sipas të cilit disa pjestarë të Forcave të Sigurimit të Kosovës janë fotografuar duke kryer rite fetare sëbashku, shkurt muhabetit janë fotografuar duke falur namazin – OBOBOOOO!!!

Pjesëtarët e FSK-së që fotografohen duke bërë rite kolektive fetare në ambiente sekulare ushtarake dhe me uniformën e shtetit sekular dhe multi-konfesional, veç sa bëhen mjet i fuqishëm i propagandës së vjetër serbe, që tenton ta ngjyrosë Kosovën shumë specifikisht tash e 100 vjet.

Pikërisht për shkak të diversitetit të cituar më sipër, Selimi shkruan se:

në sferën publike, aty ku është prezenca e shtetit, aty ku është prezenca e idealeve kombëtare dhe liridashëse – aty nuk ka vend për çfarëdo interpretimi uniform kolektivist fetar. Çfarëdo insistimi i Kosovës në një fe, në një botëkuptim, në një mënyrë të vetme të interpretimit të historisë apo politikës do të çojë ujë në mulli të propagandës serbe.

Na duhet të pyesim, ç’lidhje ka ky muhabeti i diversitetit me këta muslimanët që po falnin namazin?
Vendi që mirëfilli garantoi lirinë e Kosovës, ShBA-ja jo vetëm krijon hapsira për anëtarët e forcave të armatosura që të mund të përmbushin jetën e tyre fetare, por ushtria paguan edhe chaplain, apo udhëheqës e këshillues fetarë të krishterë, hebrenj e muslimanë që t’u asistojnë ushtarëve në jetën e tyre fetare. Autori i këtyre radhëve ka patur rastin të vizitojë në disa raste baza ushtarake amerikane ku ju ofrua nga administrata ushtarake edhe mundësia që, si musliman, të mund të hante ushqim hallall. Le të kujtojmë këtu se ShBA është shtet sekular.
Ne e vlerësojmë vizionin e gjerë të z. Selimi, por feja për disa prej nesh nuk është objekt interesant muzeumi i lidhur me kujtime të gjysheve tona (autori i këtyre radhëve, në dallim nga z. Selimi qëllon që ta ketë patur një gjyshe ateiste e një bektashie), por është një realitet i gjallë; jo një antikuarat interesant arti osman, por një përpjekje e përditshme për të qenë në marëdhënie me Zotin e për të jetuar mësimin e profetëve – Moisiut, Jezusit, Muhamedit e gjithë të tjerëve – paqja qoftë mbi Ta.
Një musliman praktikant njeh si obligim të tijin faljen pesë herë në ditë, gjatë kohëve të ndryshme të ditës. Atëherë, një musliman që i shërben atdheut të vet si anëtar i forcave të sigurisë, ashtu si dhe bashkëfetarët e tij që ndajnë të njëjtën fe, a kanë të drejtë të praktikojnë fenë e tyre në këtë Kosovën e pavarur? A kanë të drejtë të falin namazin?
A kërkon ky imazhi i bukur me sufinj, françeskanë e hanefi si kusht sakrifikimin e jetës fetare të muslimanëve kosovarë? Nëse po, atëherë ky lloj diversiteti është paradoksal, sepse ngrihet në fakt kundra diversitetit. Ai kërkon imponimin në shoqëri të vlerave të një elite post – muslimane, post – jugosllave mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Selimi konkludon duke shkruar:

Kornizave të realitetit nuk mund t’u ikim. Paragjykimet njerëzore nuk i luftojmë duke i injoruar apo duke u vetëviktimizuar, por duke qenë aktivisht të angazhuar në promovim të së vërtetës dhe diversitetit.
Kosova nuk është vrimë e zezë. Ka të tillë që duan ta bëjnë të tillë, të tillë që valojnë flamurë të zinj dhe ogurzinj, por duhet thënë gjithmonë dhe pa ndarë, se të tillët janë produkte të konspiracionit historik të shtetit serb dhe veç sa konfirmojnë tendencat e egra të qarqeve propagandistike. S’do mend se mund të jenë të paguar edhe nga Serbia.
Thyerja e propagandës historike të Serbisë filloi me orientimin e kosovarëve drejt Europës dhe SHBA-së. Ishin dy gishtat e çuar përpjetë në shenjë të viktorisë që sollën simpatitë botërore dhe lirinë përfundimtare, këtë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë.

Së pari, muslimanët duhet të marin seriozisht atë që thotë Selimi këtu. Ne mund të flasim për të drejta fetare, por është pikërisht perëndimi ai që politikisht garanton liritë tona fetare. Si të tillë, paragjykimet duhen parë e kuptuar seriozisht e fatkeqsisht muslimanët shqiptarë nuk kanë artikuluar një vizion të qartë të prezencës tonë historike ashtu si dhe bashkohore si muslimanë evropianë. Jemi tërësisht dakort me Selimin kur thotë se “Paragjykimet njerëzore nuk i luftojmë duke i injoruar apo duke u vetëviktimizuar, por duke qenë aktivisht të angazhuar në promovim të së vërtetës dhe diversitetit.”
Dakord, por falja e namanit nuk është konspiracion serb dhe nuk bie në kundërshtim me orientimin evropian të Kosovës. Kush mendon kësisoj, kërkon një Kosovë në Evropë pa kosovarët muslimanë – gjë që është e pamundur e për rjedhim jo vetëm anakronike, por edhe anti-shqiptare. /ezani/