Pyetje:”Dua të më tregoni diçka rreth muajit Rexhep! Çfarë do të thotë ky emër dhe cilat janë vlerat e këtij muaji?”
Myftiu: Shejh Ahmed Sherbasij, profesor në Ez’her (Zoti e mëshiroftë)
Përgjigje:”Fjala “Rexhep” rrjedh nga “Ruxhub” në arabisht, e cila ka kuptimin e madhështisë dhe shenjtërisë. Muaji Rexhep është një nga katër muajt e shenjtë. Në këtë muaj ka ngjarë mrekullia e Israsë dhe Miraxhit. Ai na kujton rëndësinë e vendeve tona të shenjta dhe na bën thirrje që të mos i harrojmë dhe neglizhojmë.
Thotë doktor Ahmed Shirbasij, ish profesor në Ez’her, Zoti e mëshiroftë:
Muaji Rexhep është një nga dymbëdhjetë muajt hënorë arabë dhe islam. Fjala Rexhep, vjen nga Terxhib, e cila do të thotë madhështi dhe shenjtërim. Ndoshta ky muaj ka marrë këtë emër, për shkak se arabët e specifikonin për gjërat e shenjta.
Rexhepi, shpesh herë etiketohet si “Rexhep haram”, sepse është një nga katër muajt e shenjtë, në të cilat ndalohet rreptësishtë lufta, gjë kjo e njohur që në kohë të lashta. Kurani fisnik i përmend katër muajt e shenjtë në ajetin:” Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Teube, 36)
Katër muajt e shenjtë janë: Dhul Kide, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexhep. Thotë profeti Muhamed a.s:”Koha është rrotulluar në pozicionin e parë kur Zoti i lartësuar krijoi qiejt dhe tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, ku katër prej tyre janë të shenjtë, tre të njëpasnjëshëm; Dhul Kide, Dhul Hixhe, Muharem dhe Rexhep i cili është mes Xhumada dhe Shaban.”
Muaji Rexhep njihet ndryshe si muaji tek, pasi ai nuk vjen pas tre muajve të tjerë. Muajt Dhul Kide, Dhul Hixhe dhe Muharrem vijnë njëri pas tjetrit, kurse Rexhep vjen pas pesë muajsh, pas Safer, Rebiul Evvel, Rebiul Ahar, Xhumadal Ula dhe Xhumadal Ahar.
Muaji Rexhep njihet ndryshe si Rexhep Mudar, pasi fisi Mudar e shenjtëronte këtë muaj dhe ia respektonte vlerat.
Gjatë muajit Rexhep ndodhi dhe mrekullia e Isra dhe Miraxh, një nga mrekullitë më të mëdha me të cilat u nderua i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s. Këtë ngjarje e ka përmendur dhe Zoti në Kuran:”I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (Isra, 1)
Ashtu siç ceket dhe në suren Nexhm, ajetet 7 – 18.
“Pastaj iu afrua e iu lëshua, sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër, e i shpalli robit të Allahut, atë që i shpalli. Zemra (e Muhamedit) nuk gënjen për atë që ka parë. Vallë, a do ta kundërshtonit atë për çfarë ka parë, ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet Xheneti i Strehimit. Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?! Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën, por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij!” (Nexhm, 7 – 18)
Mrekullia e Isra-së ishte një nder dhe vlerësim i madh për të dërguarin e Zotit a.s, e cila i dha zemër. Gjatë këtij udhëtimi ai u prezantua me mbretërinë e qiejve dhe të tokës. Ai ishte një formë shplodhjeje dhe qetësimi, pas vdekjes së xhaxhait të tij Ebu Talib dhe gruas Hadixhe, si dhe pas kthimit pa ndonjë rezultat nga Taifi.
Mrekullia e Isra-së na kujton Palestinën e pushtuar, Kudsin dhe xhaminë Aksa të djegur. Isra na kujton detyrimin tonë për ta pastruar tokën dhe për ti çliruar njerëzit nga dhuna dhe ligësia. Isra na kujton thënien profetike:”Nuk bën të ndërmerren udhëtime për qëllim adhurimi veçse drejt tre xhamive: Qabeja, xhamia ime dhe xhamia Aksa në Kuds.”
Është obligim ndaj çdo besimtari që gjatë muajit Rexhep të reflektojë dhe të bëjë çmos për të garantuar dhe mbrojtur vendet e shenjta islame.
Zoti e di më mirë.
Categories