Me 17 Shkurt 2013, pas namazit të Drekës, në Xhaminë e Wetzikonit u shënua pesë vjetori i pavarësisë së Kosovës. Shënimi i këtij pesë vjetori u bë me lexim Kur’ani dhe lutje për të rënët në këtë luftë.
Fjalimin kryesor e mbajti imami Bashkim Aliu i cili para prezentëve në këtë manifestim përmendi se duke e shënuar këtë përvjetor në xhami, duam të tregojmë se xhamitë janë vendet e frymëzimit të vërtetë të dashurisë ndaj atdheut dhe patriotizmit të shëndoshë. Ai theksoi se duke e shënuar këtë përvjetor me lexim Kur’ani dhe lutje për ata që dhanë jetën në këtë luftë, në krye me familjen e Jasharajve, ne tregojmë se festat mund të shënohen edhe me Kur’an e jo vetëm me koncerte që nuk kanë asnji mesazh serioz pos dëfrimit dhe zbavitjes e cila zgjat pak dhe nuk ka asnji vlerë për ata që sot nuk gjinden në mes nesh, ngase u sakrifikuan për një të ardhme më të mirë të brezave.
Në fjalimin e tij, Bashkim Aliu theksoi se familja e Jasharajve dhe dëshmorët tjerë, duhet të jenë simbol i përgjegjësisë sonë karshi vendit, e jo të përmenden vetëm sa për sy e faqe para opinionit. Kjo, ngase patriotizmi dhe atdhetaria vlerësohet me punën që bën çdo njëri në shërbim të atdheut, në veçanti klasa politike. Ajo që po ndodh sot, len shumë për të dëshiruar, dhe është një tregues se ka largim nga idealet e luftës.
Nepotizmi, korrupsioni, aferat e ndryshme dhe dështimi në shumë fusha tjera, tregojnë se sa janë të përkushtuar sot politikanët për shtetin dhe sa realisht punojnë për shtetin. Këto tregues negativ, flasin se dikush e sakrifikon shtetin për interesin e vet, e jo veten për të mirën e popullit dhe atdheut. Poashtu, shprehi keqardhje për shumë shkelje të të drejtave fetare, si:mbulesa nëpër shkolla, që vajzave me shami nuk u lejohet të ndjekin mësimet në shkolla publike, poashtu mosfutja e mësimnesimit në shkolla, turpi i miratimit të ligjit për legalizimin e martesës me të njejtën gjini, etj. Këto gjëra janë në kundërshtim me Islamin po edhe me traditën e shqiptarëve, dhe paraqesin pikë të zezë të madhe për shtetin e Kosovës. Megjithatë, Kosova nuk është qeveria aktuale, dhe duhet të punojmë që këto gjëra të ndryshojnë.
Më tutje, Bashkim Aliu foli për vlerën e shehidave, dhe u lut për ata të cilët e sakrifikuan veten në emër të Allahut, për të mirën e atdheut dhe çlirimin e vendit.