Zgjedhjet e fundit presidenciale në Maqedoni po afrohen. Uji është duke vluar. Kampanja parazgjedhore ende pa nisur veçse ka marr formë. Secila parti po taktizon në mënyrën e vet. Ndërsa, popullata e hutuar, po pret se nga cila anë t`ia mbaj. A do të mashtrohen kësaj here shumë, ose pak më shumë? Se termi pak më pak në këto mesele nuk ekziston. Është botë ateistësh, pa zot, ose edhe botë paganësh me shumë zota. Dikush ka zot paranë, dikush prostitutat, ndërsa dikush tjetër pozitën. Popullata në këtë mes janë dele. Jo dele reale që hanë e trashen para Kurban Bajramit, por dele në prag të festës së Kurbanit.
Zgjidh e merr është opsioni i vetëm i popullatës së këtij vendi. Dikush mund ta mohoj të parën, por te e dyta patjetër që do të bjerë. Si zgjodhi si nuk zgjodhi, një ujk ekziston për secilën dele. Së paku në teori është kështu. Ndërsa, praktika po tregon se ekzistojnë shumë ujq të identifikuar e të bashkuar rreth ujkut kryesor.
Kur jemi tek ujku, të nuhasim pak tek dyert e partive politike dhe pasi që po flasim për ujkun, mos pritni të flasim keq. I shtrojmë hundët dhe nisim prej tek dera e madhe:
1. Partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, ka vendosur që në konventën partiake të zgjedh kandidatin e tyre për president të shtetit. Deri më tani janë paraqitur tri kandidat, ndërsa është konfirmuar edhe ri kandidimi i presidentit aktual të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Sipas spekulimeve, Gruevski do të qëndroj pas Ivanovit dhe do t`i jap mundësinë atij që të shijoj edhe një mandat presidencial.
Kjo parti, përmes këtij konkursi të hapur po do me i tregu popullatës se është një parti demokratike e cila respekton të gjitha rregullat e demokracisë. Si e tillë, ajo kontribuon në zhvillimin e pluralizmit dhe lirisë së kandidimit. Brenda këtij rregulli, po do që të hedh poshtë të gjitha ‘ akuzat ‘ e ndërkombëtarëve se në Maqedoni nën udhëheqjen e VMRO-së nuk janë gjërat në rregull.
Metodologjia ‘ zgjidh e merr’ si metodologji politike që po përdoret nga kjo parti ka marr formë statusore. Zgjedhjet brenda partiake janë me votë të fshehtë. Po e zëmë se manipulohen, se ne e dimë se kjo parti nuk manipulon asnjëherë. Cili do kandidat që do të zgjidheshe në këto zgjedhje si kandidat i kësaj partie, në këtë rast Gjorgje Ivanov, do të ishte i pastër politikisht. Kjo gjë ndodh kështu, pasi që Gruevski alibinë e konkursit të hapur do ta përdor për ta vazhduar pa asnjë ndryshim politikën aktuale.
Nëse zgjidhja del e dobët ose e dështuar, Gruevski nuk i ka faj popullatës. Ai i ka dhënë hapësirë atyre që në konkurs publik të paraqesin kandidatët e tyre. Nëse përmes kësaj zgjidhje Gruevski betonizon politikën e jashtme në dëm të Maqedonisë, prapë do të jetë i pastër para kësaj popullatë. Ata, sipas Gruevskit kanë pasur mundësi që t`i nxjerrin kandidatët e tyre. Ndërsa, nëse kandidati i zgjedhur është i përshtatshëm dhe bën gjëra pozitive në këtë shtet, atëherë kjo gjë ka qenë si rezultat i largpamësisë së Gruevskit. Sille ka ta sillesh Gruevski prapë mbi kalë.
Po t`i heqim hundët nga kjo derë, e të mos i mbushim shumë. Le t`i dërgojmë te dera tjetër:
2. Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, LSDM po përgatitet intensivisht për këto zgjedhje presidenciale. Gjithçka rreth tyre momentalisht po spekulohet. Ajo që dihet me siguri është se shumica e degëve të kësaj partie po qëndrojnë pas ish presidentit të Maqedonisë Branko Cërvenkovski si kandidat i mundshëm edhe për këto zgjedhje presidenciale. Në një lloj forme kanë të drejtë. Cili politikan i harxhuar politikisht në këtë parti, ka forcë më të madhe se Branko Cërvenkovski për të i qëndruar ballë ujkut të VMRO-së?
Për këtë parti, këto zgjedhje presidenciale janë me rëndësi të veçantë, pasi që nëse i fitojnë kanë mundësi që të ndryshojnë ose pengojnë politikat e Gruevskit. Për luginën e ujqërve ky mentalitet është i dobishëm po për stallën e deleve njëjtë. Si u zgjodh presidenti nga opozita, si nuk u zgjodh, delet ngelin dele. E sidomos ato të dytës klasë.
Kjo parti, e harxhuar politikisht dhe tashmë e njohur nga popullata, ka shansin që të dobësoj forcën e partisë më të madhe politike maqedonase. Ndoshta edhe në momente të caktuara të hakmerret për të gjitha sulmet mediatike që pushteti ka bërë ndaj saj.
Paraja e çon ujin përpjetë, kanë thanë të moçmit. Prandaj edhe kësaj partie i duhen shumë para të pista e jo të pista për të i qëndruar ballë ujkut të VMRO-së. Ato para do të shërbenin për kampanjën e saj, pasi që luftë pa kampanjë në këtë luginë zor që bëhet. Nuk është rasti i njëjtë me Shqipërinë. Pasi që në Shqipëri forcat e huaja e rrëzuan ‘sovranin’, këtu forcat e huaja po qëndrojnë dhe po hanë mish dele bashkë me ‘sovranin’.
Ikim edhe prej këtu, sa nuk na kanë kafshuar. Të shkojmë tek dyert e ujqërve shqiptarë:
3. Partia më e madhe shqiptare BDI, po kërkon kandidat konsensual për president. Se çka d.m.th ky kandidati konsensual për president ende nuk e kam marr vesh, mirëpo pas zgjedhjeve presidenciale me siguri do ta kuptoj. Ende nuk është paraqitur me kandidat të vetin, dhe po taktizon drejtë pritjes së përgjigjesh nga VMRO-DPMNE.
Nëse ky presidenti i tillë, nënkupton president shqiptarë, atëherë mirë e ka BDI-ja. Ajo asnjëherë se ka pasur keq. Nëse VMRO-ja nuk pajtohet me idenë e BDI-së, atëherë kjo parti do ta shikoj mundësinë për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve. Kjo nuk nënkupton se do t`i bojkotojnë, ju kalemxhinjtë të keni kujdes.
U përurua këto ditë nga BDI, një pjesë e rrugës prej Haraçinës e deri në Ropalcë. Kjo është mirë për popullatën. Të kishim zgjedhje presidenciale për çdo ditë, e të përurohet kah një rrugë do të ishte mrekulli.
Po ikim edhe prej këtu, të shkojmë tek dera e opozitës shqiptare në parlamentin e Maqedonisë:
4. Partia më e madhe opozitare shqiptare në Maqedoni, PDSH, ose ndryshe partia e politikës së mbijetesës, të drejtën ekskluzive për të zgjedhur kandidatin e saj për president të shtetit ia ka lënë vet kryetarit të partisë, z.Menduh Thaçit. Zaten ai e ka librin ‘ Politika e mbijetesës’, libër ky pikë për pikë i realizuar në praktikë nga partia e tij.
Kjo parti ka gjetur pikat e mbijetesës dhe gjithmonë graviton rreth tyre. Edhe të mos ekzistonin ato pika, ajo i krijon të njëjtat, me të vetmin qëllim mbijetesën. Qëllimi e arsyeton mjetin, ose ndryshe politika e mbijetesës.
Të dëshpëruar nga politikat e BDI-së dhe duke treguar se shqiptarët janë popull i organizuar, kjo parti do të merr pjesë në zgjedhje me kandidatin e saj. Synimi i saj,nuk është presidenca, por mundja e BDI-së.
Kësaj dhe gjitha partive politike shqiptare i dëshirojmë sukses në realizimin e synimeve të tyre.
Ne populli i shkretë, nuk kemi zgjidhje tjetër jashtë zgjidhjeve që na afrohen. Si votuam si nuk votuam, prapë dele ngelim. Po është me rëndësi të mos realizohet principi: Në cilën vrimë duhet vendosur gishtin?!!! E për tjerat gjëra, Zot bëje hajr…..