“Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë veprime të këqija, por për shkak të atyre që vështrojnë pa thënë dhe pa vepruar gjë” – Albert Ajnshtajn.
Krizë e vazhdueshme; kampanjë e hershme; zgjedhje të parakohshme; premtime boshe; koalicionim i ri / i vjetër; qeveri tenderokrate; dhe ‘kthimi i filmit’ nga fillimi… Këto janë skenat kryesore të ‘dramës’ tragjikomike e cila po luhet dhe ri-shfaqet për vite të tëra në ‘teatrin’ e quajtur Maqedoni; me regjisorë, skenar, aktorë dhe përmbajtje të njejtë! Madje, ajo që të habit edhe më tepër është fakti se, një ‘dramë’ e këtillë po ndiqet dhe duartrokitet nga e njejta publikë dhe të njejtët spektatorë, të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve po e ndjekin të njejtën ‘shfaqje’, dhe se, për çdo skenar të saj paguajnë nga koha, djersa dhe perspektiva e tyre, duke e sakrifikuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre, vetëm e vetëm për të ‘ngopur’ epshet e pangopura të një shtrese të retarduar të shoqërisë.
E këtillë është gjendja në të cilën janë katandisur qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, si dhe shqiptarët në veçanti. Përreth zhgënjimeve të njëpasnjëshme për gati çerek shekulli, ata vazhdojnë ta venë jetën e tyre si ‘bast’ në duar të disa klaneve ‘biznesore-kriminele’, të cilat, për interesat e tyre personale, janë në gjendje të tregtojnë jo vetëm me interesat dhe fatin e popujve të cilët i përfaqësojnë, por praktika e tyre e deritanishme ka dëshmuar se, apetitet e tyre sadiste tejkalojnë çdo normë njerëzore dhe humane.
Në këtë kontekst, rasti shqiptar është shumë më brengosës dhe tragjik. Kjo, nga shkaku se, shqiptarët e këtij nënqielli, përveç që po i nënshtrohen një lufte dhe diskriminimi të paparë në gjitha aspektet dhe sferat e jetës, ata, në të njejtën kohë, mbi ‘lëkurën’ e vet përjetojnë nëpërkëmbje të skajshme të dinjitetit dhe vlerave; nëpërkëmbje kjo, e cila ushtrohet nga ana e të ‘zgjedhurve’ të tyre. Kështu, përskaj faktit që shqiptari sot po ndjehet qiraxhi në shtëpinë e vete; i varfëruar dhe ‘lypsar’ ndaj arkës së buxhetit në të cilin participon; i xhveshur nga të drejtat elementare njerëzore; i rrahur, i arrestuar, i arratisur dhe i nënçmuar; atij sot po i nëpërkëmbet krenaria, nderi dhe intelegjenca kolektive, duke e shndërruar atë në pronë partiake dhe në makineri votuese, me qëllim të realizimit të disa interesave klanore dhe meskine.
Një realitet i këtillë i hidhur nuk mungoi edhe në këtë cikël të fundit zgjedhor. Kampanja parazgjedhore, si zakonisht, në mungesë të platformës së mirëfilltë politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, u karakterizua me bajraktarizëm dhe premtime boshe. Përgjatë kampanjës, asgjë nuk u la pa u instrumentalizuar, duke filluar nga ajo më e shenjta – vlerat fetare, e deri te ajo më e ndjeshmja, siç është gjaku i dëshmorëve si dhe fati i familjeve të tyre. Mbase, nuk është hera e parë që këta diletantë politikë tallen dhe nëpërkëmbin ‘hyjnitë’.
Së këndejmi, dhe pas mbarimit të odisesë zgjedhore, zhgënjimi ishte i pashmangshëm, edhe atë, jo nga shkaku se populli priste realizimin e premtimeve të dhëna dhe të parealizuara disa herë me rradhë, por ky zhgënjim erdhi si pasojë e talljes ‘ashiqare’ me vetëdijen dhe inteligjencën e elektoratit i cili i votoi; duke ndryshuar fjalët dhe qëndrimet për 180 shkallë nga ato të para disa ditëve. Prandaj, ajo që më tepër të bën të zhgënjehesh në raste të këtilla, është pikërisht ajo që thotë populli: “Nuk hidhërohem se më gënjen, por hidhërohem kur mendon se po i besoj rrenës së tij”.
Ndërsa, dështimi i rradhës nuk konziston në mosmarrjen e disa posteve të pretenduara (të cilat poste, edhe po t’i kishin marrë, asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhte), porse, ky dështim ka të bëjë pikërisht me faktin se, edhe pas më se dy dekadave të pluralizmit në Maqedoni, gjendja dhe statusi politiko-juridik i shqiptarëve mbetet nën hijen e mini-tenderëve si dhe mega-skandaleve të disa individëve të pacipë, të cilët mbajnë peng një popullatë të tërë si dhe aspiratat e saj për mirëqenie dhe jetë dinjitoze.
Andaj, marrë parasyshë këtë zhgënjim dhe dështim të ri / të vjetër, i cili po e përcjell popullin shqiptar me vite, dhe me qëllim të hapërimit në trend me kohën, ky popull duhet që sa më shpejtë të zgjohet nga ky ankth që po e ngulfat të tashmen e tij si dhe e ia minon të ardhmen dhe perspektivën; duke e kthyer dinjitetin e vet nga duart e atyre që nuk kanë kurrfarë dinjiteti; si dhe duke filluar të mendojë dhe punojë për krijimin e një alternative të mirëfilltë, e cila do të jetë në nivel të sfidave me të cilat ballafaqohet si dhe idealeve të cilat i synon. Përndryshe, ky popull dhe kjo shoqëri nuk do të mund të amnistohet nga përgjegjësia historike, përmes kritikave dhe pakënaqësive të cilat i shpreh gjatë bisedave të pasdarkes nëpër oda dhe kafene të tymosura, duke e ngulfatur në këtë mënyrë edhe më shumë vehten dhe të tjerët përreth.
EDITOR
11 years ago
next article
Futbollisti i Chelsea-t në Angli ndërtoi një xhami
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago